Uji Dea

Muzikë dhe vargje shqip në Bernë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Publiku pati rastin të dëgjojë këngë nga Elina Duni, fragmente librash nga Besa Myftiu dhe vargje nga poeti i ri Ndriçim Ademaj

Të dielën mbrëma në Bernë u mbajt një mbrëmje muzikore letrare. Mbrëmjen, në të cilën prezantoheshin këngëtarja Elina Duni, shkrimtarja Besa Myftiu dhe poeti i ri Ndriçim Ademaj, e hapi Valbonë Çollaku-Noli, e cila i përshëndeti të pranishmit dhe fillimisht Elina Dunin, këngëtaren tashmë të etabluar në skenën jo vetëm zvicerane të xhazit.

Atë e prezantoi si “një vajzë të lindur në Tiranë e cila me zërin e saj prej bilbili ka magjepsur të gjithë shqiptarët kudo që janë, dhe ka sjellë mallin e dallgëve të detit Jon, këngën e vajzës së valëve, flladin e luleve shqiptare, potpuritë tiranase e kosovare, Isonë e Korçës dhe mallin e Moresë largët”.

Elina Duni edhe këtë mbrëmje shkëlqeu me interpretimin e këngëve të njohura nga repertori i saj, të mbështetura në folkun shqiptar. Këngët si: “Unë ty moj të kam dashtë”, “Hapi sytë e zezë”, “Kur pata një lule të bukur”, “Moj e bukura morè” etj. u pritën me entuziazëm dhe me duartrokitje nga të pranishtmit.

Në vijim, shkrimtarja Besa Myftiu, e ëma e Elina Dunit, e cila që nga viti 1991 jeton në Gjenevë, lexoi vargje dhe fragmente nga veprat e saj “Miq të humbur”, “Drejt të pamundurës” dhe “Rrëfime nga nga vendet e harruara”.

Mobi Casa

Në këtë mbrëmje, të pranishmit patën rast të njohin për së afërmi edhe një poet të ri, shumë të talentuar Ndriçim Ademajn. Ndriçimi është me prejardhje nga Prizreni, i lindur në vitin 1991, dhe tani studion dhe jeton në Gjenevë. Ai i emocionoi të pranishmit me talentin dhe mjeshtërinë e vargut të poezisë së tij. Deri tani Ademaj ka botuar dy vëllime me poezi: “Kërkoj diellin” dhe “Dera”. Nga vëllimi i i tij më i ri “Dera”, lexoi poezitë: “Infuzion”, “Çobanishte”, “Fshatari im pa plis” etj.

Në vazhdim të kësaj mbrëmjeje artistike në një ambient shumë të bukur të restaurantit Bella Vita, pronari, Billi Arifi, me prejardhje nga Maqedonia, ofroi një apero të pasur. Me këtë rast publiku pati rastin që të njihet më për së afërmi me këta artistë të këngës dhe vargut. Të interesuarit patën po ashtu mundësinë edhe të blejnë veprat e tyre.

Të pranishëm në këtë mbrëmje artistike ishin edhe konsulli i Shqipërisë, Kastriot Noli dhe zëvendëskonsulli i Kosovës, Besnik Miftaraj.

Dy ditë para kësaj, artistët në po këtë përbërje, janë prezantuar edhe në Olten, në ambientet e Bibliotekës Interkulturore Inkuba, para një publiku kryesisht zviceran.

/albinfo/Vjollca Popova