Mustafi: Më kanë kritikuar edhe për humbjet në ndeshjet ku nuk kam luajtur

Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi, ka qeshur me pretendimet se ai është “mbrojtësi i dytë më i keq në botën e futbollit”.

Në një sondazh të realizuar nga Marca (ku kanë votuar mbi 150.000 njerëz), qendërmbrojtësi shqiptar është renditur i dyti në listën e mbrojtësve më të këqij të sezonit, menjëherë prapa Phil Jonesit të Manchester Unitedit.

Derisa e ka pranuar se në vitin e fundit ka pasur probleme me formën e tij, ai ka theksuar se sondazhi i realizuar në internet nuk e shqetëson.

“Në dy vitet e para pas transferimit te Arsenali në vitin 2016, gjërat shkuan shumë mirë për mua. Mirëpo, menjëherë pas festave të fundvitit 2018, pati një ngërç. Bëra disa gabime dhe krijuan një rrëmujë që nuk e kisha përjetuar më parë”, ka deklaruar Mustafi për Der Spiegel duke e përmendur humbjen (5-1) nga Liverpooli, në dhjetor 2018, ku u kritikua shumë, por ka theksuar se nuk ishte i rikuperuar që të luante në atë lojë dhe luajti vetëm për nder të trajnerit Unai Emery.

“Nuk kisha luajtur për tri javë për shkak të lëndimit dhe pastaj hyra në lojë pa u stërvitur me skuadrën, sepse trajneri kishte nevojë për mua. Pas pjesës së parë, rezultati ishte 4-1, pata disa momente të këqija dhe u lëndova sërish. Pastaj mora shumë komente negative nga tifozët e Arsenalit në Instagram dhe Twitter, dhe shkruheshin artikuj ku unë kritikohesha shumë”.

“Unë jam mjaft autokritik saqë e kuptoj kur bëj gabime. Po ashtu, mund të përballem me kritikat e mëdha. Mirëpo, kritikat u tepruan dhe ishin të paarsyeshme. U bëra shënjestër. Në një pikë, njerëzit më kritikonin edhe për humbjet ku nuk luaja aspak”, ka deklaruar kampioni i botës.

Ai ka thënë se akoma beson në aftësitë e tij, edhe pse ka pasur momente kur kishte pasur dyshime, por në fund e ka kuptuar se është i fortë mendërisht. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).