Mustafës po i ngushtohet rrethi brenda LDK-së

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kohët e fundit është futur në mes të dy zjarreve. Në njërën anë, po përballet me presionin e anëtarësisë së LDK-së, e cila po kërkon ridefinimin e marrëveshjes së Bllokut LVAN, në mënyrë që pozita e kryeministrit t’i takojë LDK-së, dhe në anën tjetër, po përballet me presionin e partisë së Ramush Haradinaj, AAK-së, e cila po kërkon respektimin e marrëveshjes së 10 qershorit.
Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, kryeministër është nominuar Ramush Haradinaj e jo Isa Mustafa. Ky i fundit, të enjten në mëngjes ka kërkuar nga partnerët e koalicionit të reflektojnë duke aluduar në ridizajinimin e marrëveshjes së Bllokut.
Por vetëm pak orë me vonë, diskursi i tij ka ndryshuar, duke thënë së marrëveshja e Bllokut është e qëndrueshme.
Edhe të dielën Mustafës i erdhi edhe një mesazh i fuqishëm nga bastioni i LDK-së në Istog. Ishte pikërisht nënkryetari i LDK-së, dhe kryetari i Istogut, Haki Rugova që i qoi edhe një “selam” Mustafës, raporton Indeksonline.
Rugova ka thënë se strukturat më të larta të partisë së tij, pritet të mblidhen brenda dy ditëve dhe të diskutojnë për hapat e mëtutjeshëm lidhur me marrëveshjen e Bllokut.
Ai ka deklaruar se në këtë takim pritet që të flitet për marrëveshjen që LDK ka me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen.
Duke folur për një ridizajnim të mundshëm të marrëveshjes së LAN-it, Rugova ka thënë se “marrëveshja prishet me marrëveshje”.
Sinjale të forta Mustafës në vazhdimësi i ka dërguar edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, i cili ka kërkuar që LDK-së t’i takojë posti i kryeministrit në një marrëveshje të re me partitë e Bllokut.
E ndryshimi i qëndrimeve brenda ditës të liderit të LDK-së, vlerësohet të këtë ardhur pas një deklarate për media të AAK-së, e cila kishte kërkuar nga partnerët e Bllokut t’i qëndrojnë besnik marrëveshjes së arritur për krijimin e institucioneve të reja. /Indeksonline/