Fundamenti

Mustafa: Vuçiqit i kërkuam kthimin e lapidarit dhe hapjen e fakulteteve në gjuhën shqipe

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa sot gjatë ditës e ka pritur Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lidhur me këtë takim dhe për problemet që ka komuna e Preshevës, Mustafa ka folur në Zona B, në Klan Kosova .Mustafa thotë se me procesin e integrimeve evropiane, Vuçiq e ka për detyrim të tregojë dozë shumë të lartë të interesit për pakicat joshumicë që janë shqiptarët.

“Vuçiq e ka vizituar për herë të parë Preshevën dhe kjo pa dyshim ka bërë që të krijohen emocione të veçanta në krahasim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, që ishte në nëntorin e vitit të shkuar. Vizita e Ramës ishte një vizitë historike pasi erdhi kryeministri i shtetit amë. Atij i është dhënë titulli ‘Qytetar Nderi’ për kënaqësinë e kësaj vizite që ka treguar populli shqiptar”.

“Dallimi është se kryeministrit Vuciq i është dhënë një mirënjohje duke e përshkruar si vizitën e parë të një kryeministri serb, si dhe duke specifikuar edhe një varg kërkesash”.

Mustafa tha se kryeministri serb pas vizitës në Srebrenicë, kishte dyshimet e veta lidhur me këtë vizitë duke ndryshuar për pasojë edhe axhendën e tij.

“Pas ngjarjeve që përjetoi në Bosnje, ai kishte emocione. Për këtë ka ndryshuar axhenda, sepse nuk ka qenë e paraparë të vizitohet Komuna. Ai kishte emocione të veçanta, sepse ngjarja në Srebrenicë nuk ishte shumë e këndshme. Ardhja në Preshevë ka pasur emocion të veçantë se mos po ndodhë e njëjta gjë”.

“Shqiptarët e Preshevës nuk kanë shkaktuar asnjë reagim – shqiptarët nuk harrojnë, por dinë edhe të falin”, tha Mustafa.

Kryetari i Komunës së Preshevës tregoi lidhur me kërkesat që ia ka parashtruar kryeministrit serb.

“Kërkesa e parë ishte që ta kthejë lapidarin e dëshmorëve të kombit që ka qenë para komunës së Preshevës. Ne aty tashmë kemi vendosur një konstruksion metalik dhe i kemi treguar se nga aty është larguar lapidari. I kemi thënë se në Preshevë ka ndodhur një luftë në vitin 2001 dhe këtë nuk mund ta fshehë as kjo Qeveri, e asnjë tjetër”.

“Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë”.

“Sipas kryeministrit serb, ne duhet të mendojmë për një lokacion tjetër dhe ky është një proces që duhet të vazhdojë. Mbyllja e maternitetit ishte një temë tjetër”.

“Ne kemi filluar rikonstruktimin e shtëpisë së shëndetit për ta shndërruar në maternitet dhe Komuna e ka mbështetur këtë projekt me 68 mijë euro, ndërsa të gjitha fondet tjera janë sigurar nga jashtë”.

“Shqiptarët kishin humbur durimin, por megjithatë presionet kanë vazhduar nga autoritetet ndërkombëtare dhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama”.

“Ky është një hap i mbarë i dialogut të mirëfilltë mes shqiptarëve dhe serbëve për t’u ndjerë shqiptarët e Luginës si autoktonë dhe për të vazhduar jetë të dinjitetshme”.

Sipas Mustafës, me Vuciqin u diskutua edhe për tekstet shkollore të nxënësve shqiptarë nga Kosova.

“Kryeministri serb është në dijeni se kohë më parë na vizitoi Ministrit i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami, i cili premtoi se do të japë tekstet shkollore për arsimin fillor. Duke qenë se ai është akoma skeptik dhe shumë larg nga njohja e pavarësisë së Kosovës në këtë drejtim është shumë alergjik, andaj propozimi i tij ishte që të bisedojë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama”.

“Sipas tij, kontigjenti i librave duhet të vijë nga Shqipëria. Për ne është njësoj – si nga Kosova, si nga Shqipëria. I pranojmë me të njëjtën kënaqësi, sepse ne duam tekste shkollore burimore të Kosovës dhe Shqipërisë pasi do të kontribuojmë në shkollimin e fëmijëve nga Presheva”.

“Nuk do të lejojmë përkthimin e teksteve shkollore në mënyrë të bastarduar, por përfundimisht ne kërkojmë tekste burimore nga akademikë të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Mustafa.

Ai tha se gatishmëria e Vuçiqit është që ta lejojë kontigjentin e teksteve shkollore nga Republika e Shqipërisë.

“Ne kemi përmendur që edhe në fakultete të rritet numri i lëndve në gjuhën shqipe, sepse vetëm 30% e normës janë në gjuhën shqipe. Sot kemi përmendur edhe hapjen e fakulteteve në gjuhën shqipe”.

Hidromorava

“Këtë ai e ka të njohur, sepse gjithë shqiptarët janë për studime universitare në Kosovë dhe Shqipëri duke mos i veçuar edhe universitetet private”.

“Problemi qëndron se në Luginë duhet të funskionojë një mini-universitet duke angazhuar kudaro të mirefilltë shqiptarë, sepse neve na konvenon që kuadrot të vijnë nga Gjilani e Prishtina, e jo nga Saranda e vende të tjera që janë në distancë shumë më të largët”.

“Ngurtësia e mosnjohjes së Kosovës i sjell këto probleme”.

Kryetari Mustafa është shprehur se në këtë takim nuk është biseduar për raportin e Beogradit dhe Kosovës, pasi koha ishte shumë e shkurtër.

“Nuk është hapur ndonjë temë në raport me Serbinë dhe Kosovën, sepse ne kemi një varg problemesh kruciale”.

“Megjithatë, unë nuk e kam konsideruar të nivelit të barabartë të bisedohet mbi këtë temë”.

“Ne kemi pasur për detyrim t’i paraqesim problemet kruciale”.

Mustafa ka deklaruar se para kryeministrit serb është paraqitur edhe problemi i kthimit të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Preshevë, pasi qytetarët e Preshevës duhet të udhëtojnë për të kryer edhe punë të zakonshme në Gjykatë.

Po ashtu, sipas kryetarit të komunës së Preshevës, është biseduar edhe për zhvillimin ekonomik.

“Është folur edhe për zhvillimin ekonomik dhe për shumë cështje kryeministri serb u bë se nuk i dinte dhe shprehte keqardhje.Papunësia është mbi 70% dhe padyshim se kjo ia tërhoqi vëmendjen, sepse mesatarja e papunësisë në Serbi është 15-20%. Kjo shifër ia tërhoqi vëmendjen dhe shprehu keqardhje. Ai u interesua që me fonde të veçanta të kontribohet në këtë fushë. Ai premtoi, duke na ngarkuar edhe neve si Komunë, për të gjetur investitorë potencialë, sepse kemi mbi 35% të popullsisë që është në vende të jashtme dhe janë të gatshëm të kontribojnë në hapjen e vendeve të reja të punës”.

Në fund, kryetari Mustafa foli për regjistrimin e popullsisë në Luginën e Preshevës.

“Regjistrimit të popullsisë që ka ndodhur në vitin 2002 shqiptarët u janë përgjigjur, ndërsa në vitin 2011 kemi pasur një bojkot”.

“Shqiptarët nuk dolën, por me presioni i madh i Bashkimit Ndërkombëtar e ka detyruar Qeverinë Serbe që të bëhet vlerësimi i popullsisë derë me derë”.

“Ne nuk kemi qenë dakord me këtë regjistrim derë më derë, por kemi kërkuar që të shfrytëzohen metoda alternative që e përdorin bazën e të dhënave në polici, nxënësit nëpër shkolla, në shëndetësi”.

Mustafa mendon se regjistrimi nuk ka qenë i saktë dhe është zvogëluar numri i banorëve shqiptarë.

“Në vitin 2002 ka pasur 34.000 banorë rezidentë, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë në regjistrimin e radhës kanë nxjerrë 29.600 banorë”.

“Ulja e numrit të popullsisë është e papranueshme. Regjistrimi derë më derë nuk është regjistrim real. Grupi i ekspertëve ndërkombëtarë ka dështuar në këtë aspekt”.

“Në këtë drejtim ka qenë që qëllimi të ulet numri i shqiptarëve që shqiptarët të mos financohen dhe të mos marrin fonde”, tha Mustafa. /Klan Kosova/