Mustafa viziton tri shoqatat e personave me aftësi të kufizuara
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit së bashku edhe me drejtorin e Shëndetësisë, dhe Mirëqenies Sociale kanë vizituar sot tri shoqatat e personave me aftësi të kufizuara, ku me këtë rast i kanë informuar ata me subvencionimin që do të ndajnë këtyre ditëve për to dhe për përkrahjen e vazhdueshme që do të marrin edhe në të ardhmen prej Komunës së Gjilanit. Kryetari Mustafa tha se shuma prej 2 mijë euro që do të ndaj drejtoria e Shëndetësisë është një shumë simbolike por ne edhe më tutje do të jemi me ju për të mirën e qytetarëve.
Ai ka falënderuar shoqatat për angazhimin e përbashkët me komunën për trajtimin e personave më kërkesa të veçanta. “E kemi krijuar bashkë një bazë të mirë dhe kushdo që është në krye të HENDIKOS-it dhe Komunës me vullnet të mirë arrin të ndihmoj shoqërinë. Ne kemi treguar përkushtim dhe këtë e kanë thënë edhe donatorët e ndryshëm nga jashtë. Kemi ruajtur edhe raportet që nga koha sa ishim në opozitë dhe edhe tash për këtë kohë sa jemi në pozitë. Poashtu kemi bërë punë të mira, projekte të shumta që nga objektet e deri te trajtimi ditor i fëmijëve me nevoja të veçanta. Për këtë kohë sa kemi udhëheq me Komunën, kemi krijuar standarde të mira të funksionimit dhe ato nuk mund t’i degradoj askush sepse qytetarët janë ata që do t’i mbrojnë dhe do të ngritën përherë gjatë të ardhmes” ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Xhemajl Salihu, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, tha se bashkëpunimi deri më tani ka qenë i mirë, me shoqatat , por me mundësit që kemi po u rrimë pranë projekteve dhe nevojave që ju i keni si më elementare dhe të domosdoshme.
Ai tha poashtu se trajtimi i personave me aftësi të kufizuara ne Komunën e Gjilanit janë larg tjerëve në trojet shqiptare, këtë e kanë thënë sondazhe të ndryshme që kanë bërë donator të respektuar të Komunës sonë.
Kurse, Remzi Kqiku koordinator i DSHMS-së me shoqatat për personat me aftësi të kufizuara tha se para vitit 2008 kemi pritur më shumë, por nuk ka se si të mos i pranojmë dhe të jemi falënderues për punët të mëdha të bëra në të mirën e HENDIKOS-it dhe personave me aftësi të kufizuara. “Me vet faktin që jemi në këtë objekt, ne jemi të kënaqur sepse komuna së bashku me donatorët dhe me komunikimin e mirë po na ndihmon vazhdimisht dhe nuk kemi breng të hapësirave për zyra, s’kemi brengë për rrymën, ujin, ngrohjen, mbeturinat etj. Këtu kushtet, edhe me një qëndrueshmëri financiare do të mund të realizonim projekte të dobishme dhe jetike për personat me aftësi të kufizuara” ka thënë Kqiku.
Sipas Kqikut sa i përket infrastrukturës ligjore mund të thuhet se kemi disa ligje që janë të mira, por ka edhe ligje diskriminuese për persona me aftësi të kufizuara.
Nga ana tjetër Orhan Bejta përfaqësues i shoqatës së të shurdhërve ka thënë se kanë mbështetje të mëdha nga kryetari, por ai ka kërkuar që trajnimi i deritanishëm i shkrim-leximit për persona të shurdhër të vazhdoj edhe më tutje sepse është i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Nga shoqata e të verbërve Bajram Rushiti tha se janë të kënaqur me mbështetjen e marrë nga Komuna porse nevojat janë të mëdha ende edhe pse Komuna e Gjilanit dhe kryetari Mustafa na ka qëndruar përherë pranë me subvencionime sikur edhe ky i këtyre ditëve. Do të mundohemi që të jemi konstruktiv, në punë për të mirën e personave me aftësi të kufizuara/rajonipress/.


