Mustafa viziton qendra të ndryshme të testit të Maturës

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, i shoqëruar nga drejtori i drejtorisë së Arsimit, Bujar Nevzati përfaqësues të komitetit të arsimit Saranda Ballaca e Mimoza Shkodra, dhe zyrtar të tjerë komunal, kanë bërë vizitë nëpër disa qendra ku mbahej testi i maturës për më shumë se 2400 nxënës të Komunës së Gjilanit, të cilëve u kanë uruar suksese në këtë test shumë të rëndësishëm, për karrierën e këtyre nxënësve në të ardhmen.

Mustafa pas vizitës në shkollën e gjimnazit “Zenel Hajdini”, ka thënë se ai së bashku me stafin e tij komunal, të drejtorisë dhe komitetit të arsimit, janë në këtë vizitë për të par nga afër ecurinë e testit, për t’u dëshiruar nxënësve suksese, për t’i motivuar ata dhe për t’ua bartë atyre mesazhin se në këtë testim ata duhet të jenë të përqendruar dhe pa stres, sepse kjo është një shkallë tjetër të cilët ata duhet ta kalojnë me sukses sikur që kanë kaluar disa sfida të dijes deri më tani. “ Ky është organizim i rregullt vjetor, puna ka nisur mirë, kushtet janë të mira për mbajtjen normale të testit, nuk ka asnjë arsye sipas meje por edhe jam i bindur dhe shpresoj se rezultatet do të jenë të mira, bile larg më të mira se sa vitet paraprake, sepse tashmë është krijuar një traditë e mirë e organizimit të testit në Komunën e Gjilanit” tha Mustafa.

Mustafa tha se mesazhi im është që të vazhdojmë bashkërisht me punë dhe secili të jap kontributin e tij, sepse ky është një proces i madh i shoqërisë së Kosovës. “Duhet të jap kontributin e vet me përkushtim dhe disiplinë vetë nxënësi, duhet të jep familja, sistemi i arsimit dhe ne të gjithë në institucionet qeverisëse qendrore dhe lokale, nga ministri e deri te arsimtari, sepse vetëm kështu mund të kemi një arsim më të zhvilluar dhe më të sigurt në rrugën e tij të zhvillimit të vendit dhe shoqërisë së fuqishme garuese me vendet më të zhvilluara ndërkombëtare.Duhet poashtu të marrim modelet më të mira në regjion dhe në botë në mënyrë që pas aplikimit të tyre të mund t’ia dalim për disa vite” shtoj Mustafa.

Ndërsa Halim Vranovci, shef i Drejtorisë së Arsimit për shkollat e mesme, ka thënë se është duke u mbajtur testi i maturës në 16 qendra të testimit dhe janë të përfshirë 2466 nxënës. “Në të gjitha këto qendra çdo gjë është duke shkuar në rregull dhe nuk kemi asnjë problem më të vogël. Nxënësit janë duke punuar me përkushtim dhe është duke u bërë një punë shumë e mirë nga ta, të paktën ky është një pohim i vet nxënësve, ndërsa unë vetëm ju uroj atyre suksese, sikundër që i falënderoj të gjithë drejtorët e shkollave, profesorët për angazhimin, sepse pa një punë të përbashkët të të gjithëve në shkollë nuk mund të kemi rezultate të mira”.

Hidromorava

Kurse, Saranda Bllaca, anëtare e Komiteti për Arsim në Gjilan, së bashku edhe me Mimoza Shkodra – Bislimin thanë se ky është viti i pestë me radhë që dalin në vizitë nëpër shkolla të ndryshme ku mbahet testimi.

Bllaca tha se për dallim nga vitet tjera, këtë vit shihet hapur se nxënësit janë më të relaksuar dhe në bazë të kësaj ne besojmë që edhe suksesi do të jetë më i madh. Ajo tha se në komunikimin me disa nxënës ka marrë informacionin se testi këtë vit është më i lehtë se vitet paraprake, porse me përkushtim mund të arrihen rezultate konkrete dhe të dëshiruara.

Ndërsa drejtori i gjimnazit “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha, tha se para testit ai është takuar me të gjithë nxënësit dhe atyre u ka hequr një pjesë të madhe të stresit, duke marrë premtimin nga ta se do të punojnë maksimalisht dhe me përkushtim që sukseset të jenë më të mirat e mundshme.

Kryetari bashkërisht me këtë delegacion kanë vizituar edhe qendra të tjera ku mbahej testi./rajonipress/