Mustafa viziton fabrikën e përpunimit të drurit Euro – Model

Gjilan – Kryetari Qemajl Mustafa, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës për mandatin e tretë, së bashku me sekretarin organizativ në PDK, Bujar Nevzati dhe me disa kandidat për këshilltarë komunal, sot kanë vizituar Fabrikën për Përpunimin e Drurit Euro – Model, ku nga afër kanë parë zhvillimin e hovshëm që ka marrë kjo Fabrikë për një periudhë të shkurtër të themelimit të saj.
Me këtë rast kryetari Mustafa ka përshëndetur këtë punë të madhe që është duke u bërë në këtë fabrikë, duke thënë se punësimi i rreth 50 personave është një sukses i madh për juve si firmë, por është për t’u përshëndetur edhe nga ana jonë si institucione, që ishim, jemi dhe do të mbetemi partner të përhershëm të bizneseve, prodhuesve në sektor të ndryshëm, ngase bashkëpunimi dhe përkrahja e ndërsjellët është interes i zhvillimit të vendit. Më vjen poashtu shumë mirë dhe ndjehem i lumtur që ju kemi një prodhim kaq të madh dhe një treg të sigurt.
Ai ka inkurajuar ata që të aplikojnë me projekte edhe në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim, në mënyrë që ky biznes të zgjerohet edhe më shumë pse jo edhe me produkte të tjera, sepse kushtet që ka kjo bankë janë vërtet zhvillimore.
Ai ka thënë se Institucionet komunale, me qeverisjen e Qemajl Mustafës, gjithnjë do të jenë në mbështetje të biznesit dhe gjithnjë duke krijuar lehtësira për funksionim komod. Ne me mundësit që kishim kemi liruar bizneset nga taksat, por edhe në ta ardhmen, kemi mundësi dhe kemi vullnetin që të krijojmë edhe lehtësira të tjera dhe përkrahje normalisht.
Ndërsa, pronari i fabrikës Euro – Model, Izad Dushica, ka thënë se jemi të fokusuar fuqishëm në zhvillimin e biznesit për prodhimin e karrigeve dhe përpunimin e drurit në përgjithësi.
Ai tha se janë duke bërë përgatitje në zgjerimin e mëtutjeshëm të prodhimit. Ka spikatur se tregu është i furnizuar mirë, sikurse që edhe kërkesat janë ende të mëdha. Dushica ka thënë se edhe sa i përket të punësuarve, për çdo vit ka rritje të tyre, ndërsa për momentin ai kishte në fabrikën e tij 48 punëtor të angazhuar, ndërsa siç ka thënë në muajt e verës kur edhe është sezoni më i madh i punëve kjo shifër ka arritur në rreth 70 sosh. Dushica i ka ofruar mbështetjen e pa rezervë të firmës së tij për kryetarin Mustafa dhe për Partinë Demokratike të Kosovës. Ne jemi të vendosur dhe vetëm ju urojmë suksese dhe fitore më 3 nëntor.
Ndryshe kryetari Mustafa ka informuar se Gjilani është një Komunë e cila ka bërë shumë reforma sa i përket përkrahjes së biznesit në raport me Komunat e Kosovës që nga viti 2008, porse ka thënë se përkrahja dhe mbështetja do të jetë edhe më e fuqishme nëse ai do të jetë në krye të komunës edhe për këtë mandatin katër vjeçar, për arsye që tani mbështetja nga niveli qeveritar në qendër është mbështetje si asnjëherë më parë. Kjo mbështetje jam i bindur që do ta ndryshoj Gjilanin totalisht. Do ta ndryshoj në shumë fusha si në infrastrukturë, shëndetësi, bujqësi, ekonomi, mirëqenie sociale thuhet në njoftimin e degës së PDK-së./rajonipress/