Mustafa: Veprimet e opozitës, akt kriminal

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet në sallën alternative ka theksuar se shpreh papajtueshmërinë e tij të plotë në lidhje me veprimet të cilat po i ndërmerr opozita me bllokimin e seancës së Kuvendit të Kosovës.
Ai gjatë fjalimit të tij në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet në bufen e Kuvendit, ka theksuar se veprimet e opozitës janë një akt kriminal, dhe se sipas tij, nuk do të tolerohet një sjellje e tillë.
“Ata që hedhin gaz lotsjellës që përmban elemente kimike, ata që cenojnë deputetet, duhet të përgjigjen para ligjit. Institucionet e ligjit të marrin masa. Nuk do të lejojmë as nuk duhet te lejojmë që shumica parlamentare të pengohet që të mbaj seancën nga tre katër individë”, ka shtuar Mustafa.
Ndërsa,zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në seancën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës, veprimet e opozitës i ka quajtur kriminale dhe të çmendura.
“U ballafaquam me një sulm jo vetëm kundër koalicionit qeverisës, por me veprime kriminale të çmendura që po tentojnë punën dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Fillon seanca e jashtëzakonshme në sallën alternative
E plotësuar: Ka filluar të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës në sallën alternative. Në seancë ndodhet edhe ambasadori amerikan, Greg Dellawie.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se i vjen keq për situatën e krijuar, ndërsa tha se kjo gjendje ka ardhur si rrjedhojë e njerëzve të pandërgjegjshëm.
Në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji për buxhetin.
Gaz lotsjellës edhe në drejtim të sigurimit, Kuvendi përfshihet nga tymi
Deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës edhe në drejtim të sigurimit, të cilët nuk po i lejojnë opozitën të shkojnë në katin e tretë të Kuvendit, gjegjësisht në bufenë e Kuvendit ku po pritet të mbahet seanca e Kuvendit.
Aktualisht, deputetët e pozitës ndodhen në sallën alternative ku për pak çaste pritet të fillojë seanca, ndërsa sigurimi që ka bllokuar opozitën, shihen se janë me gaz maska.