Mustafa ua dorëzon çelësat dy familjeve skamnore

Gjilan – Familjet e Afrim Bekteshit dhe Mirvete Jasharit edhe solemnisht i kanë pranuar çelësat e shtëpisë nga Qemajl Mustafa. Mustafa dhe donatorët kanë premtuar ndërtimin edhe të dy shtëpive tjera për familjet nevojtare.
Vëllezërit Afrim e Naim Bekteshi i janë gëzuar tej mase ndërtimit të shtëpisë së re nga donatorët vullnetmirë gjilanas. Këtë gëzim të tyre për pak qaste e ka ndarë edhe kreu i Komunës Qemajl Mustafa i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Kuvendit Izmi Zeka.
Qemajl Mustafa solemnisht ua ka dorëzuar çelësat familjes së Afrim Bekteshit e Mirvete Jasharit , shtëpi këto që kanë rreth 130 metra katror dhe janë të ndërtuara të gjitha nga donatorët gjilanas.
Mustafa tha se Komuna po bënë përpjekje që të ndihmojë familjet nevojtare dhe ne po përkrahim këto forma solidare të njerëzve vullnetmirë. Mustafa tha se ata donatorë që po ndihmojnë në këtë formë po japin kontribut të çmueshëm sepse po e zbusin gjendjen sociale në qytet. “Edhe ne si institucione gjithmonë participojmë me 20 % dhe po ju ofrojmë shërbime tjera si në infrastrukturë e kyçje në rrymë, ujësjellës e kanalizim”.
Mustafa tha se edhe një shtëpi është ndërtuar nga “Diamond” e “Mab Group”, kurse për këto dy shtëpi kontribut të madh kanë dhënë shtatë donatorë.
Enver Maliqi nga iniciativa qytetare dhe Nazim Maliqi ishin të lumtur që sot ua dorëzuan çelësat dy familjeve. Enver Maliqi tha se donatorët kanë vullnet të madh për të ndihmuar vetëm duhet të zbulohen rastet dhe ne jemi shumë optimist, pasi kemi edhe përkrahjen e kryetarit të komunës që edhe ditëve tjera të bëjmë gati edhe dy familje me shtëpi të reja.
Familjarët Naim e Afrim Bekteshi thanë për rajonipress se ndërtimi i shtëpisë për ta donë të thotë lindje për së dyti.”Shtëpia i ka të gjitha orenditë e reja dhe ne do të kujdesemi për të si për sytë e ballit. Mirënjohës të gjithë atyre që kanë ndihmuar e përkrahur këtë aksion humanitar” tha Bekteshi./rajonipress/