Fundamenti

Mustafa: Tregu i gjelbër do të jetë modern dhe funksional

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Qemajl Mutafa, Riad Rashiti, Bajram Isufi dhe Bahrije Mahmuti kanë takuar të mërkurën tregtarët e tregut të gjelbër të cilëve ua kanë shpjeguar projektin dhe të ardhmen e rregullimit të këtij tregu i cili sipas Qemajl Mustafës pritet të jetë modern dhe funksional dhe pa i dëmtuar interesat e 300 tregtarëve që ndodhen në atë kompleks.

Protesta e 300 tregtarëve të tregut të gjelbër e ka detyruar Asamblenë Komunale që të hekë nga rendi i ditës privatizimin e saj për të vazhduar me debate e sqarime rreth të ardhmes së këtij tregu.

Për të sqaruar projektin dhe planin rregullues që ka paraparë Komuna për të investuar në këtë treg përmes investimeve me partner privatë tregtarët e shumtë i ka taktuar Qemajl Mustafa i cili shoqërohej edhe nga Bajram Isufi drejtor ekzekutiv në Ecohigjiena, Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik dhe Bahrije Mahmuti drejtoreshë e urbanizmit.

Qemajl Mustafa fillimisht ua ka sqaruar të gjitha procedurat e mundësisë së privatizimit të Tregut të Gjelbër dhe idenë e investimeve në këtë treg. Mustafa i ka garantuar tregtarët se asgjë nuk do të ndodhë pa dijeninë e tregtareve dhe askush nuk do të dëmtohet nga ky proces i privatizimit.”Ne jemi në fazën fillestare të studimit të tregut për të gjetur një zgjidhje më të favorshme edhe për tregtarët edhe për furnitorët dhe për shërbyesit, por mbi të gjitha duhet të shohim edhe interesin e konsumatorit” tha Mustafa.

Mustafa tha se fillimisht është paraparë ndërtimi i një objekti modern që do t`i shërbejë tregut dhe juve tregtarëve duke pasur edhe garazhe cilësore.”Ky investim shkon përafërsisht 1.5 milion euro dhe me përgjegjësi mund të ju them se tregu do të bëhet modern dhe funksional , por pa prekur e dëmtuar interesat e juaja” shtoj Mustafa.

Mustafa tha se tregu nuk është pronë shoqërore, por është pronë komunale dhe si i tillë ne kemi të drejtë të investojmë dhe ta privatizojmë.”Tregu nuk shitet sepse aty do të ketë vetëm investime të huaja dhe rregullim e modernizim të infrastrukturës. Ky investim e ritë vlerën e investimeve të juaja sepse Komuna i ka përkrah gjithmonë bizneset” ka sqaruar Mustafa.

RCCOLA

Edhe Bajram Isufi drejtor në Ecohigjiena tha se kjo kompani kujdeset për shërbimet cilësore dhe funksionalizimin e tregut, por nuk është përgjegjëse për procesin e privatizimit.

Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik tha se po mundohen që këtë proces të tregut tua sqarojnë tregtarëve në mënyrën më të mirë të mundshme.”Askush nuk do të dëmtohet nga ky privatizim, përkundrazi përfitues do të jenë të gjithë” tha Rashiti.

Bahrije Mahmuti drejtoreshë e urbanizmit në mënyrë vizuele u ka sqaruar tregtarëve planin rregullues të Tregut të Gjelbër.

Ndërkaq Bislim Demaj i cili tha se është përfaqësues i 300 tregtarëve u shpreh se tregtarët janë kundër privatizimit sepse ne mbajmë 2000 familje dhe ky aset është kombëtar.”Nëse ne dalim në rrugë atëherë do t`ia mësyjmë azilit. Ne u bëjmë me dije këshilltarëve komunal që të kenë kujdes çfarë po votojnë sepse vendimet e Asamblesë Komunale në prag të fushatës zgjedhore janë jo valide” tha Demaj.

Edhe Agush Haziri tregtar tha se protesta e jonë është ardh si rezultat i neglizhencës së organeve komunale. Nexhat Hajrullahu anëtar i kryesisë së LDK-së tha se ky subjekt politik i përkrah kërkesat e tregtarëve sepse me kohë është deklaruar kundër formës së tillë të privatizimit dhe mos transparencës rreth këtij projekti. /rajonipress/