Mustafa: Thaçi i dënoi komunat e LDK-së, ndërsa i mashtroi ato të PDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Lipjan se Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike i kanë dënuar komunat që janë qeverisur nga LDK-ja, ndërsa janë mashtruar ato komuna që janë qeverisur nga PDK-ja me premtime boshe, prandaj më 8 qershor ata do të shkojnë në opozitë, për t’i liruar vendin një qeverisje të mirë dhe demokratike të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“PDK dhe qeveria e saj, i kanë mashtruar me premtime të kota komunat që i ka qeverisur kandidatët e saj, ndërsa i ka dënuar komunat e drejtuara nga LDK-ja, që do të thotë se nuk ka bërë asgjë për askënd. Në qeverisjen tonë nuk do t’i mashtrojmë disa komuna as nuk do t’i dënojmë disa komuna të tjera, por do të qeverisim drejt për të gjitha komunat e Kosovës. Do të qeverisim drejt për çdo qytetarë të Republikës së Kosovës, në çdo cep të vendit”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se qeveria në largim ka abuzuar me pushtetin prandaj do të shkojë në opozitë më datë 8 qershor. ”Ne kemi përcaktime të qarta se si do ta zhvillojmë Kosovën. Qeveria e ardhshme, si qeverisje e LDK-së, do të punojë shumë në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës dhe në uljen e varfërisë me të cilën po përballen qytetarët tanë. Këto janë orientime tona madhore që do t’i realizojmë për çdo qytetarë, për çdo të ri dhe të re, për çdo të moshuar, për të gjithë ata që kanë nevojë për shtetin e Kosovës dhe ata janë të gjithë qytetarët tanë”, ka shtuar Mustafa.
Sipas tij, vota e 8 qershorit nuk është votë për një parti, për një subjekt, nuk është votë për një qeverisje të keqe, por për një qeverisje të mirë.
“Më 8 qershor do të jetë një referendum për tu shkëputur nga qeverisja degraduese dhe për tu orientuar drejt zhvillimit dhe integrimi në familjen evropiane. LDK është e vetmja parti e cila mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë e keqe në të cilën është zhytur. Nuk është zhytur Kosova vetë, por e ka zhytur një qeverisje e keqe”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka kritikuar edhe “disa parti opozitare po e ndihmojnë Hashim Thaçin në këto momente duke u marrë me LDK-në. Ne nuk merremi dhe nuk krahasohemi me askënd, sepse jemi më të mirët, më demokratikët, me mbështetjen më të madhe qytetare”, tha ai.
Ai ka pohuar se Qeveria e Thaçit është qeverisje e keqe sepse nuk e ka zhvilluar vendin, nuk e ka demokratizuar vendin, ka qenë qeveri e cila e ka rritë korrupsionin dhe nuk e ka luftuar krimin e organizuar, prandaj ata që i bëjnë këto dështime duhet të shkojnë në opozitë.
“Synimet tona nuk janë synime të merremi me vetveten, por me zhvillimin e Kosovës, me ndërtimin e një shteti të fortë, me të cilin do të krenohemi të gjithë. Synimi ynë është që ta përmirësojmë jetën e çdo qytetari, që ata të ndihen të lumtur dhe të begatë në shtetin e tyre dhe që këta të rinj dhe të reja të kenë shkollim dhe punësim adekuat ngjashëm me vendet evropiane”, tha Mustafa.
Ai shoi se ata që merren me kazino, nuk kanë vend në Kosovë dhe as që të qeverisin me të.
Mustafa mori si shembull Lipjanin se kur ekziston vullneti për ndryshime, ky vullnet kurorëzohet me fitore.


