Mustafa të japë dorëheqje si Gruevski

Modeli maqedonas dhe kryeneçësia politike e Qeverisë kosovare. Edhe pse nuk kanë zgjidhje tjetër, koalicioni e do me çdo kusht mbetjen në pushtet
“Kryeministri maqedonas, sado që të ketë bërë skandale, ka një pikë respekti dhe dashurie për atdheun e tij, për shtetin e tij, për dallim prej kryeministrit kosovar, të cilit i mungon atdhedashuria tërësisht. Kryeministri i Kosovës është i zhveshur tërësisht nga skrupujt moralë”, tha analisti Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”
Sado që kriza politike dhe institucionale në Kosovë po vazhdon të thellohet, partnerët e koalicionit qeverisës PDK dhe LDK, për shkak të lakmisë për vazhdimin e kapjes së shtetit, nuk po e marrin kurajën që të japin llogari para qytetarëve të vendit, dhe t’i japin fund kësaj krize, duke pranuar përgjegjësinë e tyre për gabimet e bëra.
Ata mund të marrin si shembull, Maqedoninë, ku pas skandaleve dhe protestave të opozitës, kryeministri dha dorëheqje, u krijua Qeveria e përkohshme dhe pritet të mbahen zgjedhjet.
Analistët politikë këtë barrikadim të lidershipit qeverisës të Kosovës, po e cilësojnë si mungesë totale të ndjenjës së përgjegjësisë për shtetndërtim. Përgjegjësia kryesore në këtë rast, sipas njohësve të skenës politike, i bie kryeministrit të vendit Isa Mustafa.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, konsideron se kreu i ekzekutivit nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie për shtetin, atë përgjegjësi që e ka reflektuar sadopak homologu i tij në Maqedoni. “Kryeministri maqedonas, sado që të ketë bërë skandale, ka një pikë respekti dhe dashurie për atdheun e tij, për shtetin e tij, për dallim prej kryeministrit kosovar, të cilit i mungon atdhedashuria tërësisht. Kryeministri i Kosovës është i zhveshur tërësisht nga skrupujt moralë”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.