Mustafa: Të gjenden mekanizma për të parandaluar korrupsionin

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Qemajl Mustafa tha se shoqëritë në tranzicion, përcillen nga korrupsioni, mirëpo duhet të gjinden mekanizma të cilat e bëjnë të mundur parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni tejet të dëmshëm.

Lëvizja FOL, në kuadër të serisë së debateve nëpër komuna për “Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve” ka mbajtur sot takimin e radhës në komunën e Gjilanit me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”.

Në këtë debat u diskutua për nivelin e zbatimit të ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve dhe se sa zyrtarët publikë denoncojnë parregullsitë, veprimet e kundërligjshme apo edhe rastet e korrupsionit brenda institucioneve të tyre përkatëse.

Në fillim të këtij debati, Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL, ofroi të gjeturat dhe zbrazëtitë ligjore të ligjit në fjalë, si nga aspekti i dispozitave dhe sanksioneve po ashtu edhe nga pikëshikimi i përvojave që zyrtarët publik kanë mbi ekzistimin dhe përmbajtjen e ligjit.

Ndër të tjera ai tha se “rreth 73.6% e zyrtarëve janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërsa 23.4% nuk janë fare të informuar për ekzistimin e ligjit në fjalë”. Tutje, Elbasan Racaj ka shtuar se zyrtarët publikë kanë njohuri edhe më të pakta kur bëhet fjalë për përmbajtjen e ligjit “ku vetëm 15.3% e këtyre zyrtarëve deklarohen të kenë njohuri të thella, 60% deri diku, 21% pak, kurse 4% deklarohen të mos kenë fare njohuri përmbajtjesore”.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri, deklaroi se çdo qytetar i Kosovës është i detyruar në bazë të dispozitave kushtetuese të raportojë aferat korruptive të cilat ndodhin pranë institucioneve të cilat janë në shërbim të po këtyre qytetarëve”. Po ashtu, Haziri specifikoi se në gjykatën ku ai vepron, ka persona të emëruar për mbikëqyrjen e parregullsive dhe se në të njëjtën kohë, ekziston një dhomë e posaçme ku mund të drejtohen personat të cilët dëshirojnë të raportojnë aferat korruptive, ku në atë rast do u mbrohet edhe identiteti i tyre.

Edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa tha se nisma e Lëvizjes FOL është e një nismë e mirë e cila bënë të mundur informimin sa më të thellë të qytetarëve dhe institucioneve publike mbi Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve dhe në kuadër të kësaj është po i njëjti qytetar ai i cili përfiton në mbrojtjen nga aferat korruptive.

Mustafa tha se shoqëritë në tranzicion, përcillen nga korrupsioni, mirëpo duhet të gjinden mekanizma të cilat e bëjnë të mundur parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni tejet të dëmshëm. Gjithashtu, duke u ndërlidhur me hulumtimin e publikuar nga Lëvizja FOL, Mustafa specifikoi se “inkurajimi i personave për të raportuar aferat korruptive duhet bërë përmes promovimit të organeve të cilat do ruanin anonimitetin e këtyre personave.

Për të arritur këtë ne si komunë kemi themeluar një linjë telefonike e cila ka krijuar mundësinë personave raportues të raportojnë rastet e keqpërdorimit pranë institucioneve ku ata punojnë dhe të cilat u shërbejnë atyre. Mustafa theksoi se ekziston zyra e avokatit të komunës e cila është përgjegjëse për pranimin e informatave mbi keqpërdorimet dhe rastet abuzive por se rastet e raportimeve janë në numër tejet të vogël.

KKGJILAN

Ismail Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “problemi nuk qëndron tek Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve, porse e gjitha ka të bëjë me mosbesimin që qytetarët kanë për të raportuar aferat korruptive.

Sipas tij nëse mungon vullneti politik nga ana e institucioneve publike për të çuar deri në fund lëndët rreth aferave korruptive dhe keqpërdorimit, atëherë çdo ligj dhe çdo raportim do mbetet në sirtar.

Kurteshi tha se nuk është çështje e frikës së qytetarëve për të raportuar, ngase ka persona dhe organizata të cilat në mënyre publike kanë denoncuar dhe vazhdojnë të denoncojnë praktikat korruptive në nivele të ndryshme. Mirëpo, mungon angazhimi i institucioneve për të parandaluar rastet abuzive dhe korrupsionin në përgjithësi.

Kurse Fadil Gashi nga partia AAK theksoi se vërejtjet më të mëdha shkojnë në drejtim të emërtimit të Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, i cili do duhej të ndryshohej me kalimin e kohës.

Gashi po ashtu theksojë se është e çuditshme se si Kuvendi i Kosovës ka mundur të miratojë një ligj si ky i cili në brendi përmban aq shumë zbrazëtira ligjore.

Gashi tha se një ndër elementet më shqetësuese të dala nga hulumtimi i bërë nga ana e Lëvizjes FOL është niveli i ultë i njohurive që zyrtarët publik kanë rreth ekzistimit dhe përmbajtjes së Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve.

Gazmend Murseli nga OJQ “ANP GJILAN”, theksoi se mungon promovimi i Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve nga ana e institucioneve publike.

Sipas tij duhet të vazhdohet me promovimin sa më të madh të ligjit dhe në të njëjtën kohë duhet të kërkohet më shumë përgjegjësi nga ana e zyrtarëve të thirrur për të luftuar aferat korruptive. /rajonipress/