UBT

Mustafa takon ekspertët çek

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, i shoqëruar edhe nga drejtori për Zhvillim Ekonomik, Riad Rashiti, menaxheri i Zyrës së Projekteve Fadil Osmani dhe nënkryetari i komunës së Novobërdës Driton Abdyli pritën në takim pune ekspertët nga Czech Invent, të financuar dhe të kontraktuar nga Republika e Çekisë për të bërë studimin e fizibilitetit në zonën ekonomike rajonale në Novobërdë.

Me këtë rast kryetari Mustafa falënderoi ambasadën Çeke për angazhimin e saj për të siguruar financimin e këtij studimi dhe për mbështetjen e dhënë komunës së Gjilanit nga ana e qeverisë së republikës së Çekisë.

Ai potencoi rëndësinë e madhe që ka krijimi i kësaj zonë, për të nxitur investimet e huaja , por edhe ato vendore me qëllim të rritjes së punësimit dhe të zhvillimit ekonomik në përgjithësi, në rajonin e Gjilanit dhe më gjerë.

Kryetari i komunës së Gjilanit tha se përcaktimi për krijimin e kësaj zonë në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës është bërë për arsye të mungesës së tokës komunale në Gjilan, duke rikujtuar se në të kaluarën ka pasur mundësi sikur institucionet komunale të kishin qenë më të vëmendshëm dhe në bashkëpunim me AKM-në e atëhershme të përcaktoheshin që toka në Livoq të poshtëm të mos privatizohej duke hulumtuar mundësin e ndërrimit të tokës, sepse ka qenë mundësia më e mirë e mundshme dhe e vetme për të krijuar një zonë ekonomike më afër komunës së Gjilanit.

Uji Dea

Kompania Czech Invent prezantoi përmbajtjen e projektit (studimi i fizibilitetit) i cili do të realizohet deri në fund të muajit tetor të këtij viti.

Ndërsa, Drejtori për Zhvillim Ekonomik Riad Rashiti u shpreh i bindur se përfundimi i këtij projekt-studimi do të jetë dobiprurës për fillimin e krijimit të kësaj zone ekonomike, sepse nga ky studim do të dalin mundësit dhe përfitimet të cilat do të krijohen nga kjo zonë ekonomike rajonale. “Në këtë studim do të bëhet analiza socio-ekonomike, parashikimet e kërkesave të tregut për investime, potencialin vendor të investimeve, llojet e veprimtarive të bizneseve të cilat do të mund të vendosen në këtë zonë dhe mënyrën e menaxhimit të kësaj zone ekonomike rajonale, analizën financiare të ZER, analizën ekonomike të kostos dhe përfitimet që do të jenë në të ardhmen nga operimi i kësaj ZER. Pra ne presim që me finalizimin e këtij studimi të kemi edhe planifikimin e kohës dhe kostos së realizimit” ka thënë Rashiti.

Ndryshe kompania e kontraktuar Czech Invent ka shprehur gatishmërinë që në të njëjtën kohë të bëjë analizën për mundësin eventuale të krijimit të ndonjë zone ekonomike tjetër në komunën e Gjilanit, pa shpenzime shtesë të projektit, duke bërë krahasimet e rëndësisë në mes dy apo më shumë zonave ekonomike se cilat do të jenë me më shumë interes për komunën e Gjilanit.

Ndërsa nënkryetari i Novobërdës Driton Abdyli ofroi mbështetjen e plotë të komunës për realizimin e këtij studimi, duke caktuar edhe zyrtarin përgjegjës për këtë projekt./rajonipress/

Mund të ju interesoj: