Mustafa shkon në Bruksel, nuk i pret vizat

Kryeministri, Isa Mustafa, nuk do ta presë liberalizimin e vizave, por do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithëse në fund të vitit të kaluar Muatafa deklaroi se “nuk mund të udhëtoj nëpër Evropë përderisa kosovarët mbesin të izoluar”, tani ai ka vendosur ndryshe.
Opozita e quan joserioz vendimin e kryeministrit Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të udhëtojë drejt Brukselit për t’i vazhduar bisedimet me Serbinë pavarësisht deklaratës së mëhershme se “nuk do të udhëtoj jashtë vendit derisa nuk liberalizohen vizat për kosovarët”.
Këtë premtim Mustafa e kishte dhënë në fund të muajit dhjetor pas publikimit të raportit për vizat për Kosovën nga Këshilli Evropian.
Ndërsa tani përfaqësuesit e Zyrës së kryeministrit thonë se “Mustafa nuk ka thënë se nuk do të udhëtojë pa liberalizim, por ka deklaruar se do të ishte mirë që liberalizimi i vizave të ndodhë para vazhdimit të dialogut”. “Me këtë sjellje të BE-së ne do ta kemi të vështirë edhe në dialog, sepse unë nuk kam çfarë t’ju them qytetarëve të mi nesër, që unë po shkoj në dialog, ju jeni të izoluar në Kosovë dhe unë po dal të shëtitem në Bruksel ose Evropë për t’i zgjidhur problemet e Kosovës, mirëpo ju duhet të rrini akoma të izoluar sepse BE-ja po thotë që ju me përjashtim të krejt qytetarëve tjerë të Ballkanit nuk meritoni të udhëtoni lirshëm në BE”, pati thënë Mustafa në fund të muajit dhjetor.
Madje këtë qëndrim ai e ka përsëritur edhe në fillim të këtij viti. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ai ka thënë se Serbia është shpërblyer për dialogun me Kosovën, pasi është hapur edhe kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova po mbetet e izoluar. Prandaj Mustafa pati përsëritur se qeveritarët e Kosovës nuk mund të shëtisin nëpër Evropë përderisa qytetarët mbesin të izoluar, pasi, sipas tij, kjo do të ishte joetike./zeri/