Hidromorava

Mustafa: Shkalla e transparencës varet prej edukimit të publikut

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në një tryezë për transparencën në qeverisjen lokale, që është mbajtur në Prishtinë, në organizim të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me OJQ “Cult Club”, Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se transparenca duhet të shikohet si problem i edukimit të publikut për shumësinë e ligjeve që kanë të bëjnë me pushtetin lokal dhe qendror. Qytetarët duhet të dinë se kanë të drejtë për qasje në dokumente publike, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes medieve, porse kjo bëhet përmes një procedure dhe afati ligjor.

Ai nuk u pajtua me konstatimin se kryetarët e komunave janë të disponuar për të dhënë informacione, ndërsa strukturat poshtë tyre, janë më pak reflektuese ndaj kërkesave të qytetarëve për qasje në dokumente publike.

“Ne jemi të gjithë të gatshëm të ofrojmë atë që kërkohet, por duhet të respektohet një procedurë që e ka paraparë ligji, sepse zyrtari nuk mundet që të ofrojë brenda sekondës një dokument”, ka thënë Mustafa.

Nëse do të veprohej kështu, atëherë një pjesë e madhe e zyrtarëve komunalë do të duhej të merrej me këto kërkesa. “Unë jam i kënaqur nëse përgjigja jepet në ditën e shtatë, aq sa është afati ligjor, por që ajo përgjigje të jetë adekuate dhe jo një përgjigje sa për të heq qafe një palë”, ka thënë Mustafa.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe në komuna të ketë probleme. “Natyrisht që ka probleme edhe te komunat. Plot prej tyre s`i kanë ende qendrat e shërbimeve të qytetarëve”.

Duke e shtjelluar më tutje këtë çështje, Mustafa ka nënvizuar faktin se transparenca është e lidhur shumë edhe me saktësinë. “Ndodh që në një medie del i shtrembëruar informacioni, aq sa ne si kryetarë të komunave nuk e njohim veten tonë ndonjëherë”. Ai e ka ilustruar këtë edhe me shembuj konkret në raport me komunën e Gjilanit.
Ndryshe, Mustafa ka thënë se transparencës nuk duhet t`i frikësohet askush dhe garantoi se komuna Gjilanit do t`i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese për qasje në dokumente publike, siç ka bërë edhe deri më tani, pos në rastet kur ligji e përcakton ndryshe.

Fundamenti

“Prej 11 vjetësh jam në Kuvendin Komunal, qoftë si opozitë, qoftë si pozitë dhe e di saktësisht se kurrë nuk kemi marrë vendim për fshehjen e ndonjë dokumenti prej publikut”, ka thënë Mustafa, duke ritheksuar se gjithçka është transparente.

Por, shoqëria civile dhe mediet mendojnë se me çdo kusht duhet të jenë kritik të pushtetit. “Edhe ne jemi për t`i nxjerrë të metat tona, por nuk duhet të mohohen as gjerat e mira. Në këtë mënyrë, me lajme të këqija, është kontaminuar aq keq shoqëria kosovare sa që qytetarët mendojnë se të gjithë ne që jemi në pushtet, jemi hajna. “Kjo është e gabuar”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, Musa Sabedini nga agjencia e lajmeve “Rajonipress” tha se zyrtarët në Gjilan janë mjaft të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në raport me publikun, por vetë gazetarët, në të shumtën e rasteve, janë dembelë.

“Jam i sigurt se në Komunën e Gjilanit, gazetarët nuk kanë bërë asnjë kërkesë për qasje në dokumente publike”, ka thënë Sabedini, ndërkohë që ka shtuar se ai ka pasur qasje në të gjitha dokumentet dhe askush nuk e ka penguar asnjëherë. Sipas tij, gazetarët dembelë mundohen të gjejnë arsye te mos transparenca e organeve komunale.

Megjithatë Sabedini ka thënë se edhe në Gjilan duhet ende të rritet shkalla e transparencës, sidomos janë të fshehura nganjëherë raportet e auditimit të cilat vonohen ose nuk bëhen publike derisa të aprovohen nga Asambleja./rajonipress/