Mustafa: Së pari do t`i fitojmë komunat, pastaj tërë Kosovën

Gjilan – Lideri i LDK-së Isa Mustafa të shtunën në Konventën e Forumit të Gruas së LDK-së tha se kësaj radhe Lutfi Haziri do të fitojë pa problem në Gjilan. Fitorja e LDK-së është fitore edhe e qytetarëve të Gjilanit. Unë jam i bindur se pasi t`i fitojmë komunat do ta fitojmë tërë Kosovën tha Mustafa.
Lideri i LDK-së Isa Mustafa është dukur shumë i relaksuar të shtunën pasiqë së bashku me Lutfi Hazirin kandidatin për kryetar të Gjilanit ka shëtitur rrugëve te qendrës së Gjilanit raporton rajonipress.
Edhe në fjalimin e tij para Konventës së Forumit të Gruas së LDK-së në Gjilan Isa Mustafa tha se prej sotit me programin e mirë që ka Lutfi Haziri do ta fitojmë Gjilanin.”Fitorja jonë nuk është dëshirë e jona, por është realitet sepse Gjilani është qeverisur mirë e drejtë në kohën e LDK-së dhe në kohën e Lutfi Hazirit “ tha Mustafa.
Mustafa tha se Lutfi Haziri po tregon aftësi prej një lideri të Anamoravës i cili do të merr mbështetjen tuaj, do të merr mbështetjen edhe të qytetarëve të Gjilanit të cilët janë për ndryshime.”Me fitoren e LDK-së në Gjilan jemi të interesuar që ta zhvillojmë këtë qytet në të gjitha sferat dhe në të gjitha hapësirat ku është shkaktuar devijim nga pushteti aktual. LDK-ja do të tregojë vlerat e veta për Gjilanin dhe jemi të bindur dhe besojmë në ndryshime. Do ta fitojmë së pari Gjilanin dhe pastaj tërë komunat e në fund edhe krejt Kosovën” tha Isa Mustafa.
Mustafa tha se gruaja është shtylla e Kosovës. Edhe Lutfi Haziri kandidat për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së ka akuzuar Hashim Thaçin se sa herë vije në Gjilan nuk skuqet që pas lenë borxhe të mëdha.”Gjilani është abuzuar keq nga pushteti aktual dhe ai qendror. Thaçi është borxhliu më i madh i Gjilanit dhe duhet të kërkojë falje publike. Gjilani vërtetë është popull i urtë e i sjellshëm, por nuk harron. I them Thaçit eja në Gjilan sa herë që të duash, por sjell me vete edhe 7 milion eurot që janë borxhe të shkaktuara nga keqqeverisja e tij” tha Haziri.
Haziri tha se kur e ka lënë pushtetin në arkën komunale i ka lënë mbi 600 mijë euro kurse tani kur ta marrim pas 3 nëntorit e marrim me 7 milion euro borxhe.
Haziri tha se fitorja në Gjilan është e pakontestueshme sepse këtë e kemi pritur qe 6 vite.”Me ardhjen e LDK-së në Gjilan në pushtet ne e ndalim abuzimin, korrupsionin. Gjilani dhe qytetarët e saj duhet të votojnë sikurse në vitin 2000 sepse ndryshimi vije vetëm me votat e juaja” tha Haziri.
Haziri tha se Qeveria e Kosovës po e zhytë edhe vet Kosovën në borxhe dhe ndëshkimi më i madh për këtë pushtet lokal e qendror është vota e juaj.
Në këtë tubim ka folur edhe Lirije Kajtazi kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në nivel qëndror e cila tha se gratë e LDK-së kanë treguar angazhim historik dhe ne për këto vite kemi treguar vlera.
Kurse Valentina Bunjaku Rexhepi kryetare e FGLDK në Gjilan tha se ky pushtet në ikje do të marrë ndëshkimin nga vota e qytetarëve të Gjilanit.”Me LDK do ia kthejmë dinjitetin gruas e familjes” tha ajo.
Në fund në këtë konventë janë prezantuar 12 kandidate femra për këshilltare komunale nga radhët e LDK-së./rajonipress/