RCCOLA

Mustafa: Rugovizmin duhet jetësuar

/ 4 minuta lexim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se pavarësia nuk është e plotë përderisa nuk arrijmë të ushtrojmë pushtetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa duke folur për angazhimet e anëtarësisë së LDK-së, ai tha se “nuk mjafton vetëm të thirremi në rugovizëm, por duhet jetësuar atë. E, rugovizmi jetësohet duke e rrit partinë që e themeloi ( LDK-në) dhe duke e qeverisur Kosovën, kryetar i parë i së cilës ishte”.

Këto deklarime lideri i LDK-së Isa Mustafa i bëri në takim me tri nëndegët e saj në kryeqytet, lagjen Kodra e Diellit, Lagja e Spitalit dhe Matiçani dhe e Degës së Tretët të LDK-së,që njihet si Dega e Presidentit Rugova.

“Pavarësinë nuk e kemi të plotë përderisa nuk arrijmë ta ushtrojmë pushtetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ne nuk e konsiderojmë se jemi krejtësisht të pavarur përderisa në Kosovë një pjesë të sovranitetit e kemi deleguar tek institucionet e BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ne jemi që sa më shpejtë që Kosova t’i merr këto përgjegjësi, sepse ne shtetin s’e kemi bërë që përgjegjësitë t’i marrin organizatat ndërkombëtare, por shtetin e kemi bërë që të marrim përgjegjësi për të qeverisë Kosovën”, tha Mustafa, duke shtuar se përderisa Kosova nuk është në gjendje që të merret me sundimin e ligjit atëherë kjo pjesë ka mbetur ende në institucione ndërkombëtare.

Mustafa gjithashtu tha se Kosova nuk është demokratike përderisa demokracia nuk funksionon në të gjitha pjesët e saj. Ai e quajti si të dështuar demokracinë në fushën e ekonomisë, pasi, siç tha, privatizimi ka dështuar, është monopolizuar dhe përderisa mediet i janë monopolizuar.

Sipas tij, nëse në komunën e Prishtinës nuk i kryhet një shërbim ata do të abuzojnë në faqen e parë të gazetës dhe organet nuk veprojnë, prandaj kjo shoqëri duhet të demokratizohet.

Mustafa është ndalur edhe te procesi i reformave brenda subjektit që përfaqëson, duke kërkuar nga anëtarësia një mobilizim më efektiv në veprime, sidomos tani kur zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

KKVITI

Ai bëri thirrje për një angazhim më të fuqishëm sidomos aty ku ka pushtetin lokal LDK meqë aty ku nuk e ka një aktivizim dhe reagim shumë më të madh.

“Jo që jemi në rrezik që ta humbim primatin sepse nuk jemi fare në rrezik por ne e dëshirojmë të jemi shumë më të fuqishëm”, tha ai.

Ndërsa shtoi se është anëtarësia ajo që e ka ruajtur LDK-në. Për sa i takon qeverisjes ai tha se LDK ka një alternativë tjetër të qeverisjes në nivel vendi.

“Qeverisjen tonë të ardhmen do ta bazojmë në ofertën tonë në zhvillimin ekonomik pikëpamje të punësimit, rrënjosjes së varfërisë me të cilën ballafaqohemi, oferta e LDK do të jetë në pikëpamje të shtetit ligjor. Suksesin tonë do ta masim dhe zhvillojmë me një drejtësi preventive, e cila nuk u mundëson njerëzve që të korruptohen”, tha Mustafa.

Në fund lideri i LDK-së tha se “nuk mjafton vetëm të thirremi në rugovizëm, por duhet jetësuar atë. “E rugovizmi jetësohet duke e rrit partinë që e themeloi ( LDK-në) dhe duke e qeverisur Kosovën, kryetar i parë i së cilës ishte”. /Telegrafi/