Mustafa: Rezultatet janë të pamohueshme, transparenca dhe llogaridhënia e madhe
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka mbajtur të premten debatin e parë publik me qytetarë për këtë vit, ku i ka nënvizuar arritjet e 6-mujorit të parë dhe ka konstatuar se, me gjithë ndonjë të metë të vogël, rezultatet e përgjithshme janë të pamohueshme.
Qemajl Mustafa për gati katër orë ka bashkëbiseduar me qytetarët e tubuar në sallën e madhe të teatrit. Mustafa tha se çdo herë ka qen i hapur dhe transparentë për çdo qytetarë. “Asnjë qytetar nuk e kam refuzuar sepse kështu ne kemi promovuar transparencën e madhe ndaj publikut dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve” tha Mustafa.
Njëherësh, Mustafa tha se debati i sotshëm është obligim ligjor, derisa i ka inkurajuar qytetarët që të drejtohen në zyrën e tij çdoherë që kanë nevojë, sepse dera për ta është e hapur çdo ditë. “Ne jemi çdo ditë në arenë me taksapaguesit tanë”, ka thënë ai.
Pasi ka thënë se Gjilani vazhdon të shquhet për klimë të mirë politike, ndëretnike e ndërnjerëzore, kreu i Komunës i ka prezantuar me shifra e fakte punën e drejtorive komunale, që nga Administrata, e cila në këtë e periudhë ka proceduar mbi 56 mijë lëndë. Edhe në Arsim jemi më të mirë, si në aspektin organizativ, disiplinë e cilësi, ka thënë Mustafa.
Sa u përket investimeve në këtë sektor, ai tha se shkolla e Bujqësisë ka përfunduar, gjimnazi është në përfundim e sipër, ndërkaq së shpejti fillon ndërtimi i shkollave në Shurdhan, Kishapole si dhe shkolla e Arteve. Një arritje e madhe është hapja e Universitetit Publik në tetor.
Në Kulturë, Rini e Sport është punuar jashtëzakonisht mirë, ndërsa lajm i mirë është se MKRS është përcaktuar që në Gjilan ta ndërtojë një qendër rinore, që është një investim kapital prej 500 mijë euro.
Sektor stabil është edhe Shëndetësia primare, e cila ofron shërbime në tërë hapësirën e komunës. Në QKMF dhe punktet e saj janë kryer rreth 110 mijë vizita mjekësore.
Buxheti vazhdon të mbetet stagnues në krahasim me nevojat që kemi, por rritja fillon që nga viti tjetër, kur ndarja e buxhetit bëhet sipas numrit të banorëve, ku Gjilani përfiton pas regjistrimit të popullsisë. Në vitin 2014, buxheti do të jetë mbi 20 milionë euro. Të hyrat vetanake, në këtë periudhë janë realizuar 42 për qind.
Edhe në Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit vazhdon të punohet mirë, ndonëse këtu do të donim të ishte edhe më mirë, por ky është një sektor mjaft kompleks. Punë e mirë është bërë veçmas me planet rregulluese. Deri në fund të vitit 2014, synojmë që zonën urbane ta trajtojmë në tërësi me plane rregulluese, ka thënë Mustafa.
Hapa pozitiv janë bërë edhe te Zhvillimi Ekonomik. Jemi ndër tri komunat e para të mëdha në krijimin e ambientit për biznes. Në këtë periudhë janë regjistruar 325 biznese të reja, të cilat kanë punësuar 530 persona, ndërkaq numri i përngjitshim i bizneseve aktive është 3327 sosh. Komuna e Gjilanit ka vazhduar investimet edhe në partneritet publiko-privat dhe këto ditë është aprovuar edhe projekti për kompleksin e shkollave të mesme, derisa dy projekte tjera janë në përfundime sipër.
Bujqësia është sektor që trajtohet me prioritet. Falë punës së mirë që ka bërë drejtoria e Bujqësisë, fermerët e kësaj komune, vjet kanë arritur të marrin një të tretën e granteve të përgjithshme të Ministrisë së Bujqësisë, përkatësisht 300 mijë euro.
Mustafa nuk është shprehur shumë i kënaqur me Inspektoratin komunal, që është një aspekt shumë i rëndësishëm i qeverisjes, duke thënë se ka bërë punë të mirë, por është vërejtur edhe një stagnim prej vitit të kaluar, që ka ndodhur si pasojë e rënies së disiplinës në punë.
Mbrojtja e Shpëtimi janë përkushtuar më shumë në preventivë dhe kjo ka rezultuar me ulje të shkallës së dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, prandaj është një punë që duhet vlerësuar, sikurse Kadastra, ku punohet me efikasitet në dhënien e shërbimeve.
Te Shërbimet Publike, Mirusha është projekti më i rëndësishëm që po punohet në qytetin e Gjilanit, pavarësisht disa ngecjeve që ka pasur për shkak të natyrave procedurale. Në katër fshatra të Zhegrës dhe rrethinës janë lëshuar ujësjellësit, ndërkaq është duke u realizuar projekti i rezervuarit të ujit në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”, që është investim zviceran në vlerë 1.5 milionë euro dhe do të zgjidhë problemin e ujit në lagjet periferike.
Mustafa ka lavdëruar për punë të mirë edhe zyrat komunale, si Prokurimin, Projektet, Auditimin dhe të tjerat dhe veçmas Informimin, e cila kujdeset për transparencën dhe qasjen në dokumente publike. “Ne nuk kemi asgjë për të fshehur nga qytetarët tanë”, ka thënë kryetari Mustafa.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjet dhe interesimet e qytetarëve Adelina Sylejmani, Ruhan Kurteshi, Ismajl Aliu, Fazli Behluli,Blerim Shefkiu, Ruzhdi Selimi, Leonard Miftaraj, Shaban Terziu, Refik Syla, Fadil Biçmeti , Isa Gajrullahu, Arbresh Fazliu, Milaim Maliqi, dhe të tjerë.
Sa i përket kërkesës së Zhegrës për themelimin e Komunës, Mustafa ka thënë se personalisht nuk është kundër dhe është shprehur optimist se kjo do të ndodh, meqë edhe kryeministri e ka premtuar këtë.
Ndërkaq rruga e Nasalës do të tenderohet së shpejti, së bashku me rrugën e Bilinicës dhe ka mundësi që të kryhet në tërësi brenda këtij viti, ose eventualisht në vitin tjetër, nëse kushtet atmosferike nuk premtojnë.
Sa i përket shitjes së tokës komunale, që u përmend rasti te ish-Kadastra, Mustafa ka thënë se kjo nuk do të ndodh asnjëherë, sepse as ligji nuk e lejon. Kryetari i Komunës ka dhënë përgjigje edhe në interesimet tjera të shumta të qytetarëve, që kanë marrë pjesë në debat dhe numri i tyre ka qenë i admirueshëm.
Është pyetur edhe për rrugen e Stanqiqit për të cilën tha se është projekt shumë i dobishëm për Gjilanin./rajonipress/


