UBT

Mustafa: Raporti i GAP-it politikë i pasaktë dhe jo argumentues

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Qemajl Mustafa duke ju përgjigjur vlerësimeve të raportit të GAP-it për rajonipress tha se për fat të keq edhe ky raport (sikur edhe shumë raporte që bëjnë OJQ-të e ndryshme) është një raport plotësisht politik, është i pasaktë dhe vetëm përshkrues e jo argumentues. Si i tillë mund të jetë lehtë edhe tendencioz nga qarqe të caktuara opozitare ose të tjera.

Mustafa tha se raporti është një pamflet propagandues politik dhe mua aspak nuk më befason përmbajtja e tij plotësisht e zezë për komunën e Gjilanit sepse tashmë jemi në një periudhë parazgjedhore dhe është fare “normale” për ambientin kosovar e ballkanik që disa nga mediet (të shkruara e elektronike) e sidomos OJQ-të dhe disa portale të themeluara brenda natës në vitet elektorale dhe për nevoja elektorale të vehen në funksion të pushteteve ekonomike e politike për ta “kaluar gardhin” në këtë proces të afërt zgjedhor.

Duke i lexuar komentet në këto portale rreth raportit të GAP më bëhej që këtë tekst nuk e ka shkruar ndokush tjetër përveç grupeve politike opozitare të PDK e që janë LDK e sidomos Vetëvendosjes së Gjilanit. Fjalori plotësisht diskreditues e fyes, janë hulumtuar (kinse) momentet e “tejkalimeve”, “ngecjeve” … por nuk janë dhënë argumente dhe nuk ka aspak saktësi e qartësi për lexuesin mesatar të vendit.

Mustafa ka dhënë argumente tjera nga raporti i GAP-it.

Së pari GAP e ka patur plotësisht të hapur administratën e komunës dhe ka mund të pyes e konsultojë zyrtarët profesionalë të komunës dhe të merr informacione të sakta e të bollshme për të gjitha aktivitetet e komunës dhe të del me saktësi. Këtë nuk e ka bërë. Pra, nuk e ka shfrytëzuar transparencën e 100%-të të komunës së Gjilanit e cila për këtë aspekt është renditur e para në Kosovë (MAPL – raport i qasjes në dokumente zyrtare 2012). Kjo GAP-it nuk i intereson sepse ai ka mision tjetër.

Gjilani ka marrë tashmë pamje tjetër po GAP-i këtë nuk e sheh. Nga një qytet që në vitin 2007 ishte me plotë gropa, i papastër, i katandisur në baltë e në terr edhe në qendër të qytetit, me konflikte politike e pronësore, me administratë burokratike, abuzuese, me tym duhani e me gjygyma qaji në të … tashti Gjilani është qytet tipik evropian për nga mënyra se si mirëmbahet dhe si funksionon në raport me qytetarin e tij ka thënë Mustafa.

“Nuk ka më gropa askund nëpër rrugët e tij (mund të shihet ndonjë në të përfunduar të dimrit), është qyteti më i pastër në Kosovë, është qyteti me hapësirat më të mira gjelbëruese, është qyteti me ndriçimin më të mirë publik në aksin kryesor dhe me mbulueshmëri të mirë në gjithë zonën urbane e rurale, është qyteti me klimën më të mirë për investime (USAID-BEEP-2011/2012), është qytet me vlimet më të mëdhaja të investimeve në ndërtime të larta (GAP këto ndërtime nuk i sheh) të cilat e kanë bërë qytetin modern, kanë punësuar mijëra njerëz, kanë kontribuar në buxhetin e komunës dhe të shtetit, e kanë kursyer tokën e bukës nga ndërtimet… Jemi komuna me administratën më të mirën në vend, me shkallën më të lartë të të hyrave (GAP-it nuk i intereson pse Gjilani është larg para shumë komunave të madhësisë së njëjtë të inkasimi i të hyrave vetanake – krahaso të dhënat nga tabelat e ministrisë së financave) … Jemi komuna me shkallën më të lartë të shfrytëzimit të teknologjive informative (TI)… Jemi të parët në riatdhesimin e personave dhe në integrimin e shoqërisë së saj multietnike, … Pra, Gjilani rrënjësisht dhe plotësisht ka ndryshuar për ata që kanë sy dhe që duan me pa”.

GAP bazohet në komentet e ndonjë mediumi kur thotë ”Qemajl Mustafa është i përfolur për përzierje në procedurat e prokurimit dhe lidhjes me bizneset e komunës…”
“Kjo është tërësisht e pasaktë sepse ndonjëri nga mediumet ka bërë krim kur e ka ranguar kryetarin Qemajl Mustafa në mesin e atyre që (eventualisht) përzihen në prokurime dhe bëjnë ndikime në procedura. Tashti GAP po e trashë këtë krim sepse po referohet në të pavërtetat. Asnjëherë nuk do të gjejë GAP dhe asnjë medium, OJQ ose hetuesi që Qemajl Mustafa ka kurdisur, ka imponuar, ka kushtëzuar dhe ka penguar që bizneset t’i realizojnë me ligj dhe lirshëm të drejtat e tyre në komunë. Pra, arena është e hapur e ftoj publikisht GAP-in që të sjellë argumente për përzierje të kryetarit në procedurat e prokurimit dhe në ”lidhjet” me bizneset. Në të kundërtën hetuesia besoj shumë do të duhej të merrej seriozisht me GAP-in dhe me matrapazllëkun e diletantizmin e tij”.

Qemajl Mustafa nuk ka qenë për asnjë çast në konflikt të interesit me një biznes pasiv të regjistruar në shtator të vitit 2006 (kur kryetari i tashëm nuk ka parë as ëndërr që do të bëhej kryetar) dhe biznesi nuk ka punuar asnjëherë pra, qarkullimi i tij në ATK është zero. Përkundër shpjegimeve AKK ka dashur të bëjë një ”Show” dhe gjykata për kundërvajtje e ka shqiptuar një gjobë prej 700 euro si padi mandatore (sikur në rastin e dënimeve në komunikacion), por lë të dihet përfundimisht që kjo ka ndodhur sipas LIGJIT PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT e jo pse Qemajl Mustafa ka rënë në konflikt të interesit gjë të cilën GAP ose nuk e dallon aspak sepse ka të punësuar torollakë që nuk marrin erë në këtë punë dhe e bën natyrisht me qëllim të pastër diskreditimi. E ftoj që kujdesshëm ta lexojë ligjin dhe të mos prodhojë mjegull e tym për ta hutuar publikun e komunës e të vendit.

Çka din GAP për mënyrën se si funksionojnë komunat e Kosovës? GATI ASGJË.

Së pari, qeveria me rekomandim të FMN dhe të BB nuk lejon punësime të reja që do të thotë se kodi i pagave është i ngrirë dhe nuk mund të rritet. Kjo do të thotë se komunat nuk mund të bëjnë asnjë punësim të rregullt përveç nëse dikush pensionohet, e lëshon vendin e punës ose vdes.

Mobi Casa

Në anën tjetër, nevojat e komunave janë rritur tej mase për staf shtesë sepse e kemi rritur infrastrukturën (MBI 20000 M2 Hapësirë e re shkollore, qindra kilometra e ujësjellës e kanalizime , sipërfaqe të gjelbëruara, ndriçim publik, rrugë e trotuare..) dhe kemi marrë përgjegjësi shtesë me delegim dhe dekoncentrim të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal (si QPS, Teatri, biblioteka, pyjet …).

Pra, shumë bilans i thjeshtë… Nëse një kryetar ka dashur që komuna e tij të funksionojë ka qenë dashur të blejë kapacitete shtesë profesionale kudo: Roje pylli për ti ruajtur pyjet në shkatërrim e sipër, inspektorë shtesë për ta ruajtur rendin zhvillimor në komunë, zjarrfikës për ta ruajtur pasurinë dhe jetën, administratorë shtesë në gjendjen civile , në financa , në urbanizëm, gjeodezi dhe ekonomi… ka qenë dashur që të pranohet personel shtesë për t’i mirëmbajtur shkollat e reja: Pastrues, mirëmbajtës, roje fizike … Prej nga mjetet përveç nga Kodi i mallrave dhe shërbimeve . Në anën tjetër granti nuk është rritur por nevojat janë rritur drastikisht shumë. Kjo ka bërë që të hyjmë në obligime te kodi i mallrave dhe shërbimeve , por si rezultat e kemi një komunë e cila funksionon për mrekulli krahasuar me komunat tjera të Kosovës.

Mustafa ka sqaruar se gjatë këtij viti po e sanojmë gjendjen e borxhit te ky kod sepse na është mundësuar liri më e madhe në planifikim për këtë vit nga qeveria dhe po vazhdojmë me punë normale .

“Aspak nuk është e vërtetë që komuna ka shpenzuar 434.964 euro për karburante për vetura. Shpenzimi në komunën e Gjilanit për karburante për vetura është përherë më pak ose rreth 50 mijë litra karburante ose rreth 60 mijë euro. Pra është rrenë e kulluar e GAP. I kanë të dhënat në komunë e le t`i marrin. Shpenzimi i veturës së kryetarit të komunës për punën e përditshme të tij është krejt normal dhe racional (rreth 90 km në ditë). Vetura e kryetarit kryen edhe ndonjë punë tjetër teknike për nevoja të komunës përveç që e bartë kryetarin në agjendën e tij të përditshme. Kryetari nuk banon në Prishtinë dhe së paku qe dy vite nuk udhëton për nevoja private atje as një herë në dy javë. Pra, GAP është plotësisht i painformuar apo nuk donë të informohet. E kam thënë gjatë vitit 2012 së paku tri herë publikisht që kryetari banon në qendër te hyrja e bankës ekonomike në katin e parë”.

Familjarët e Qemajl Mustafës kontribuojnë tepër shumë dhe çdo ditë në mbështetjen dhe mirëmbajtjen e kryetarit të komunës andaj e meritojnë një trajtim normal njerëzor e qytetar në punësim dhe në fund të fundit kjo është e drejtë qytetare e tyre. Nëse GAP ka menduar se kryetarët mund të jetojnë me vetëm rrogat e mjera që dhe vartësit e tyre i kanë, gabohet rëndë gjithashtu.

Shpenzimet prej 296.277 euro për tri vite (rreth 100.000 në vit) për dreka dhe darka siç thotë GAP-i qëllimkeq janë shpenzime për manifestime nga më të ndryshmet në komunë po jo për dreka e darka. Aty hyjnë shpenzimet e manifestimeve si Flaka e Janarit , Dita e pavarësisë, dita e Betejës së Zhegocit, dita e mësuesit, dita e çlirimit, ditët e festave kombëtare e ndërkombëtare si dita e Evropës, ditët ve rinisë , dita e tokës, dita e flamurit, dita e Kushtetutës, viti i ri … Këta të GAP vetëm tregojnë sa të varfër janë në njohuritë e tyre për qeverisjen lokale.

Te shpenzimi prej 144.335 euro për tri vite (rreth 50.000 në vit) për udhëtime e mëditje jashtë vendit… Kjo është fare normale për një komunë të madhe siç është Gjilani sepse zyrtarët shkojnë në vizita studimore dhe në seminare e trajnime jashtë vendit në regjion dhe në botë andaj dhe ia takojnë me ligj biletat e udhëtimit dhe mëditjet. Kjo është në funksion të ngritjes së dijes dhe të shkathtësive e njohurive për qeverisje… Mos ndoshta GAP mendon ne me getoizimin e komunës mund ta bëjmë komunën evropiane?! Gabim e ka gjithë ditën.

Sa u përket projekteve le të lexojnë më mirë sepse larg mbi 25 projekte të mira e të mëdha komuna i ka të realizuara dhe në realizim gjatë këtyre tri viteve. Le të vjen GAP në komunë dhe i tregojmë sa shumë dhe sa keq ka gabua me këtë raport.

GAP është treguar tepër selektiv dhe tepër tendencioz ose diletantesk në qasje dhe në dije. Ndoshta që të gjitha bashkëjetojnë në GAP por e vërteta është se GAP është larg nga realiteti. Në fund të fundit është princip edhe ligjor që këto raporte asnjëherë nuk do të duhej të botoheshin për publikun pa nja debat dhe komunikim intern me subjektin (në këtë rast me komunën e Gjilanit) për t’i sqaruar të gjeturat nëse qëndrojnë ose jo.

Mbetet për fund të apelojmë te instancat e drejtësisë që të merren seriozisht me ne të gjithë pra edhe me shoqërinë civile e mediet sepse dëmi që ato ndonjëherë i bëjnë qeverisjes dhe demokracisë është i pariparueshëm….

Kthjellohu GAP ose herët apo pak më vonë të kthjellon ligji… ka thënë në fund të sqarimit Qemajl Mustafa./rajonipress/