FITORJA

Mustafa: Qeverisja Haziri prodhon shumë retorikë, fjalamani e zhurmë për asgjë

/ 14 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Qemajl Mustafa ish kryetar i Komunës së Gjilanit duke komentuar punën gjashtë mujore të qeverisjes së Lutfi Hazirit thotë për rajonipress se shikuar globalisht në komunën e Gjilanit për këta tetë muaj nuk ka ndodhur asgjë e re e që do të mundej me u përmendur dhe me u mbajt mend nga qytetarët e kësaj komune përveç ndonjë vendimi për vazhdim të planifikimit hapësinor në zonën urbane e që është vazhdimësi e punës së qeverisjes së kaluar të PDK-së dhe zbatimit të rregullores për themelimin e këshillave të Bashkësive Lokale.

Ish kreu i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa i ka bërë një analizë të thukët punës dhe qeverisjes 6-8 mujore të Lutfi Hazirit. Për rajonipress Mustafa flet për të gjitha projektet, ngecjet, zhurmën rreth borxheve, akuzat e pabaza dhe mungesën e një strategjie dhe guximi të qeverisjes Haziri, raporton rajonipress.

Mustafa thotë se me të drejtë e kanë lavdëruar organizimin dhe imazhin paksa më ndryshe (në kuptim pozitiv) të panairit të prodhuesve të regjionit, po që si akt nuk paraqet ndonjë risi sepse qeverisja e kaluar mbajtjen e panaireve e kishte traditë dhe prioritet të veçantë (të rikujtojmë panairin e prodhuesve të regjionit, panairin e artizanateve, panairin e bletarisë, panairin e farmerisë – gjedhave dhe lopëve qumështore, …)

“Qeverisja e komunës ka nisë me vonesa në konstituim të këshillit të drejtorëve i cili me emërimet që i bëri kryetari Haziri del të jetë mjaftë këshill problematik dhe jokompetent për t’u kacafytur me kërkesat e shumta dhe komplekse të qytetarëve e të komunës dhe me problemet që i ka ajo. Ndonjëri nga drejtorët bën dallim dhe është më profesional e më serioz në punën e tij natyrisht. Është fare e njohur që kuvendi i komunës e filloi punën me shumë probleme, me udhëheqje të dobët dhe me qasje diskriminuese këshilltarëve dhe grupeve opozitare. Bile, situata në këtë kuvend ishte një kohë jashtë kontrollit ligjor dhe kështu u kualifikua edhe nga shoqëria civile. Kryetari nuk e monitoron punën e kuvendit edhepse kjo është detyrë ligjore e tij. Ai rrallë prezanton në seancat e kuvendit” tha Mustafa.

Sipas Mustafës në kuvend janë marrë edhe vendime plotësisht jashtëligjore si rasti i shfuqizimit të komisioneve të ndërmarrjeve publike lokale (të Ecohigjienës dhe të stacionit të autobusëve) pa e analizuar kuvendi punën e tyre dhe pa sjellë përfundime nga kjo analizë. “Edhe më keq, kuvendi ka emëruar në këto komisione njerëz me konflikte të rënda ligjore me këto kompani e që sigurisht MAPL dhe MZHE do të duhej fuqishëm të reagonin për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe punën e këtyre ndërmarrjeve. Ndonjëri nga drejtorët e ka nisë punën keq si rasti i atij të arsimit i cili e nisi me fyerje ndaj personelit e nxënësve në shkollën e arteve. Kryetari bëri diskriminim kur bëri trysni dhe e shkeli ligjin duke i detyruar drejtorin e QKMF dhe zëvendësin e tij që “me vullnetin e tyre” të ikin në pozita më të ulëta anipse atyre nuk u kishte skaduar kontrata. I detyroi që dhunshëm të bëjnë kompromise. I zëvendësoi me militantë të LDK-së natyrisht” sqaron Mustafa.

Ish kreu i Gjilanit thotë se ajo që mbahet mend dhe lavdërohet deri tashti në këtë komunë është qeverisja e mirë dhe zhvillimi që e ka sjellur qeverisja gjashtëvjeçare e PDK-së me AKR-në. “Krejt çka shihet, çka preket e ndjehet për së miri në komunë është meritë e qeverisjes së kujdesshme dhe plotësisht të përkushtuar të formacionit tim politik në për ato gjashtë vite. Shërbimet e mira në gjithë administratën, në shëndetësi e në arsim janë meritë dhe vazhdimësi e traditës tonë të mirë. Pastërtia e qytetit, parqet me lule, drujtë dekorativë (me të cilat krenohej kryetari në pranverë të këtij viti, madje dhe lavdërohej me të drejtë nga ambasadori i Anglisë), janë meritë e kujtë tjetër përveç e qeverisjes tonë me PDK-në dhe AKR-në deri në fund të vitit 2013”.

Projekti “Mirusha” është vazhdimësi e punës tonë të mundimshme e të madhe. Pjesën më problematike të projektit edhe si infrastrukturë edhe si shpronësim e kryjtëm ne deri thellë në qytet. “Tashti po vazhdohet me dinamikë shumë të ultë për fat të keq (ashtu sikur ishte vitin e fundit të qeverisjes tonë – e themi hapur), por kjo nuk ndodhi për shkak të qeverisjes lokale. Qeveria ka tepër pak mjete të planifikuara brenda vitit për këtë projekt dhe kjo e frenon punën shpesh deri në bllokim. E pata thënë edhe publikisht që me këtë dinamikë të investimit ky projekt nuk kryhet edhe për gjashtë vitet e ardhshme. Kryetari i tashëm e ka për detyrë me kërkue në vazhdimësi mjetet e nevojshme për këtë projekt si për realizimin e tij, por sidomos për shpronësim sepse komuna asnjëherë nuk ka me ia dalë me krijue fond të mjaftueshëm për shpronësimet të cilat janë të shumta në komunë” sqarohet Mustafa.

Asfaltimi i disa rrugëve është meritë e memorandumit të nënshkruar në vitin e kaluar nga unë si kryetar i komunës dhe ministrit të infrastrukturës zotit Mujota. “Me një dallim që memorandumi i ripërtërirë është tejet i reduktuar. Ai i yni ishte 2.4 milionë euro e ky i tashmi me gjasë është rreth 1.2 milionë euro për arsyet që mund t’i dijë kryetari i komunës. E pata thënë menjëherë pas zgjedhjeve në Gjilan (duke i uruar fitoren kryetarit Haziri dhe LDK-së) se kryetarit të ri do t’i shkojë patjetër puna mirë e mbarë nëse e ka së paku qëllimin dhe vullnetin tim të mirë për komunën. Nuk e them që kryetari nuk e donë zhvillimin e komunës. Assesi. Por, e them me plotë përgjegjësi që kryetari Haziri nuk e ka përceptimin tim për zhvillimin e komunës, por më e keqja nuk e ka as vullnetin dhe energjinë për t’i lëvizur gjërat shpejtë dhe mirë përpara. Sipas përceptimit tim (të argumentuar), kryetari nuk e ka kontrollin dhe nuk bën monitorimin e saktë dhe të përhershëm të procesit në komunë”.

Mustafa mendon se kryetari Haziri merret shumë me sfilatë dhe fjalamani politike të cilat e qesin shpesh në “livadh”. “T’a kujtojmë rastin e vajzave të mbuluara kur ishte në gjendje të solidarizohej me krejtë mjetet antiligjore me to anipse këtë e bënte “esull” dhe plotësisht me paramendim vetëm dhe vetëm për ta marrë votën e komunitetit islam (edhe atij ekstrem islam që ashiqare ishte në rritje dhe në dëm të vendit). Këtyre ditëve me shumë vonesë po e shohim shtetin në veprim ndaj këtij sindromi. Kryetari Haziri bajagi i ka fry këtij zjarri gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj”.

Haziri është marrë me Luginën e Preshevës, me do kufijë të viteve ’56, me zyrën e Luginës. “Duhet shtruar pyetja se cili është efekti i asaj retorike dhe asaj zhurme?
Gënjeshtra e kulluar që kryetari dhe vartësit e tij e plasuan në publik pa skrupulla gjatë gjithë fushatës dhe sidomos pas saj se komuna kishte 7, pastaj 8 dhe së fundi 9.6 milionë euro borxhe nuk do ta shpëtojë kryetarin dhe politikën e tij nga dështimi i madh që e pret.
Është e njohur tashmë zyrtarisht me raport financiar të vitit 2013 të hartuar nga DBF që komuna kishte obligime të krijuara me ligjet e Kosovës në fuqi 4.12 milionë euro. Nëse kësaj i hiqen 0.377 milionë që janë bartur në vitin 2014 del se komuna kishte obligime reale në vlerën prej 3.743 milionë. Pra tepër larg nga rrena e kulluar prej 9.6 milionë euro. Kjo është për t’u skuqur e turpëruar thellë një kryetar dhe një parti nëse veten e quajnë sadopak seriozë dhe me dinjitet për ta udhëhequr një komunë të madhe siç është komuna e Gjilanit”.

ARKATANA

Nëse hiqet prej këtij obligimi pjesa e shpronësimeve prej 1.40 milionë euro (sepse 600 mijë euro janë të planifikuara për sivjet në buxhet e pjesa tjetër kryhet edhe sipas ligjit vitin 2015), del se borxhe qe i kanë bë presion kryetarit qysh nga janari 2014 për mallra e shërbime, për komunali, për investime kapitale e pak edhe në rroga kanë qenë 2.343 milionë euro.

“Me parashikimet që ne kujdesshëm i kemi bërë në buxhetin e vitit 2014 (të cilat i kemi miratuar në KK sa kemi qenë ne në komunë në vitin 2013) dhe me një politikë tradicionale të kursimeve, situatën financiare kryetari mund ta ketë plotësisht likuide dhe nën kontroll. E përshëndes tendencën për ta kursyer buxhetin e komunës dhe për t’i realizuar parametrat buxhetor për këta gjashtë muajt e kaluar (bile edhe me retorikën dhe zhurmën e madhe për kinse borxhin e madh që e ka trashëguar komuna) por, në këtë drejtim nuk kemi lëvizje të dukshme përpara”.

Siç është parë në raportin financiar 6-mujor te inkasimi i të hyrave lokale komuna stagnon plotësisht sepse edhe vitin e kaluar realizimi i taksës komunale ka qenë rreth 45% e që është edhe sivjet. “Por, këtu ekziston një dallim i madh në favor të qeverisjes tonë sepse ne ishim në vitin e gjashtë të qeverisjes kur natyrshëm do të duhej me pasë pak molisje e lodhje dhe ishim në vitin zgjedhor kur sadopak bie disiplina në punë ndërsa kjo qeverisje e ka vitin e parë të qeverisjes dhe do të duhej me qenë e freskët dhe me plotë energji. Deri tashti nuk po tregon se është e tillë”.

Kryetari dhe qeveria e tij kanë ikur plotësisht nga agjenda dhe premtimet e tij elektorale. “Është bërë shumë zhurmë për trajtimin me prioritet të ujërave të zeza, por ku është sot kryetari me këtë realitet? Ne i kemi informatat nga dora e parë që projekti i madh i hartuar në kohen tonë për ujërat e zeza nga BE, komuna dhe hidrokompania është lënë plotësisht në harresë dhe negocijimi me qeverinë dhe me BERZH-in është këputur dhe është harruar fare.Te trajtimi strategjik i ujit për pije nuk e kemi pa që komuna ka lëvizur nga të arriturat që ne i kemi bërë si komunë (duke e kyçur këtu edhe rezervoarin e madh prej 3000 metër kub në kodrën e dëshmorëve). Hidrokompania dhe kompania për trajtim të mbeturinës dhe të pastrimit të qytetit për mua kanë qenë me prioritet të lartë. Këtë qasje nuk e kam pa deri tashti te zoti Haziri. Përkundrazi kam të dhëna për komunikim të egër, me tersllëk, joligjor e joprofesional me këto kompani nga vartësit e kryetarit, por edhe neglizhencë nga vet kryetari. Krejt kjo mund t’i kthehet kryetarit dhe komunës në bilans negative pas një kohe të shkurtë”.

Mustafa thotë se projekte me vlerë dhe me rëndësi kruciale të bazuar në partneritetin privat-publik të cilat investohen me para private dhe i sjellin shumë dobi komunës, kryetari i ka stopuar plotësisht. “Nuk do të pushojmë asnjëherë së kërkuari llogaridhënie se pse po ndodhë një gjë e tillë kur ne si qeverisje me ekipe profesionale të komunës dhe me miqtë të shquar ndërkombëtar këto procese i kemi dizajnuar për jo më pak se dy vite me radhë. Është harxhuar shumë kohë dhe është investuar ekspertizë në hartim,por edhe
mundi i madh në procedim deri te komiteti ndërqeveritar i cili i ka miratuar këto projekte. Kanë qenë të parat projekte në Kosovë që kanë ardhur në këtë komitet nga komunat.
Projekti i qendrës së shkollave të mesme ka patur edhe përfitues dhe ka qenë i gatshëm për nënshkrim. Nuk e patëm nënshkruar vetëm që të mos mendohet se dikush po ngutet për ta bërë para fushatës zgjedhore. Kryetari dhe qeveria e tij e kane stopuar ose edhe siç dëgjohet ndoshta e kanë anuluar procesin fare. Pse?

Projekti i transportit publik të udhëtarëve është i gatshëm për tenderim. E ka marrë vizën në Prishtinë gjithashtu. Pse nuk procedohet me të kur është kaq shumë i rëndësishëm për kohën, për xhepin dhe për komoditetin e qytetarit të komunës?, pyet Mustafa.

Është një projekt tjetër tepër madhor për komunën – Monografia e Gjilanit – në të cilën është punuar tri vite dhe është finalizuar nga redaksia e saj dhe është dorëzuar në shtyp po kryetari nuk e shtyp një vepër të tillë kaq me rëndësi për vetëm 4000 mijë euro shpenzim (sepse 3000 euro të tjera i ka obligim Telekomi i Kosovës).

Keq shumë për një kryetar që do të duhej me ju gëzue këtyre të gjeturave të mira në komunë.”Zona ekonomike ne Llabjan pas studimit që e kemi bërë ne, është e gatshme për projektim dhe realizim. Nuk ka lëvizje as në këtë drejtim. Te tregjet është bërë shumë zhurmë po lëvizje nuk shihen as këtu. Plotë projekte të hartuara i ka kryetari në zyrën e projekteve dhe e ka punën fare të lehtë nëse donë me e bë ashtu si duhet dhe ashtu si e kërkon interesi i qytetarëve. Po e përfundoj me konstatimin (që është edhe konstatim i shumicës së qytetarëve sot në Gjilan) se kryetari ka premtue shumë po ju ka ikë premtimeve dhe po bën pak punë. E sugjerojmë kryetarin që të mos i frikohet progresit të komunës anipse ky zhvillim themelet i ka me emblemën dhe ngjyrat e PDK. Është tepër e sigurtë që këto themele janë të forta dhe në to është mbjellur qëllimi i pastër dhe fisnik për rritën e komunës së Gjilanit”.

E sugjerojmë gjithashtu kryetarin që të jetë më shumë menaxher dhe të qëndrojë gjatë në zyrë dhe në hapësirën e komunës në Gjilan sesa të merret me politika nacionale e me qendrën e partisë së tij sepse ka marrë obligime para qytetarëve në nivelin lokal i cili nuk është aspak i lehtë për menaxhim. Nënkryetari i tij i ardhur me formulë politike “të zorit” nuk mundet dhe fundja nuk e ndjen përgjegjësinë e plotë me e krye punën e tij thotë Mustafa.

Sipas tij rrugën vërtet e ka të trasuar fortë dhe mirë nga qeverisja e PDK-së. “Lëviz përpara kryetar. Nëse të duhen këshillat e mia, siç ju pata thënë edhe me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës, unë këtu jam 100% në disponim të komunës sepse dështimi i saj më dhemb shumë ashtu sikur edhe suksesi më gëzon edhe më shumë. Komuna mbetet vlerë e përhershme e jona e ne kryetarët e partitë politike ndërrohemi natyrshëm sipas kërkesës së demokracisë” ka përfunduar Mustafa./rajonipress/

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.