Mustafa: Qeveria , s`është e vetëdijshme për gjendjen reale ekonomike

Eksperti i Ekonomisë, njëherit deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa duke folur rreth privatizimit të PTK-së ka evidentuar të meta për të cilat ka pasur frikë në vazhdimësi që nga koha kur ka filluar të flitej për privatizimin e saj. Sipas tij, duke qenë se procesi ka rezultuar me defekte edhe konkurrenca ka qenë e ulët, andaj shitja është bërë me një çmim të ulët, ndërsa kompania, e cila ka privatizuar 75 për qind të aksioneve të PTK-së, duket të mos këtë kompetencë profesionale dhe referencë në zhvillimin e telekomunikimeve.
Mustafa gjatë një interviste për Kosovapress, duke folur për situatën ekonomike në vend, ka thënë se ajo është mjaftë problematike dhe me tendencë të përkeqësimit nga viti në vit, situatë kjo, e cila, sipas tij, nuk po trajtohet seriozisht nga Qeveria e vendit.
“Në zbatimin e ligjeve, në luftimin e korrupsionin dhe në shumë elemente, situata nuk është përmirësuar, por ka shkuar edhe më keq. Prandaj edhe investimet e jashtme në Kosovë kanë shkuar vazhdimisht duke u zvogëluar nga viti në vit. Prandaj është jashtëzakonisht problematike kjo situatë, për arsye se zbatimi i ligjit, funksionimi i institucioneve, luftimi i korrupsionit, zbatimi i kontratave, mbrojtja e investitorëve, janë probleme të cilat janë shumë të rëndësishme dhe nuk po adresohen në mënyrë të duhur nga Qeveria”, ka pohuar ai.
Sipas Mustafës, Qeveria nuk është shumë e vetëdijshme për gjendjen ekonomike dhe se po mendon se është duke punuar mirë. E kur qeveritarët e një vendi, sipas tij, nuk janë të vetëdijshëm për problemet që i ka popullata, atëherë ato probleme nuk mund të zgjidhen.
“Mendoj që Qeveria nuk është shumë e vetëdijshme, për situatën ekonomike dhe problemet që janë. Qeveria mendon se është duke punuar më së miri. Ju po e shihni se si paraqiten ministrat e kësaj Qeverie, zëvendës kryeministrat, kryeministri. Kur raportojnë ata flasin vetëm për sukseset. Po t‘i dëgjojmë vetëm në atë mënyrë, do të duhej t’u kishin lakmi dhe presidenti Obama dhe Merkel, do të duhej të vinin këtu, sepse këta nuk paraqesin asnjë problem në Kosovë…..Këtu s’ka probleme. Këtu ka vetëm tregime të sukseseve. Kur qeveritarët e një vendi nuk janë të vetëdijshëm për problemet që i ka popullata, atëherë ato probleme nuk mund të zgjidhen. Pikënisja është qe Qeveria dhe Kuvendi, duhet të jenë të vetëdijshëm që ne kemi probleme serioze me papunësinë, me varfëri, me rritje ekonomike”, ka thënë ai.
Qeveria, sipas Mustafës, duhet të shikojë t’i zgjidh problemet dhe jo të vazhdojë me një retorikë shterpe, pasi që Kosova rrezikohet dhe nga një jo stabilitet social, i cili dhe më tej do ta dëmtonte imazhin e vendit, i cili dhe ashtu është mjaftë i dëmtuar.
“Derisa ne luftojmë me fjalë, problemet ashpërsohen. Në matricën sociale të Kosovës, problemet ekonomike dhe sociale ashpërsohen dhe ka rrezik që të ketë një jo stabilitet social, i cili do të ishte edhe më i keq, për imazhin e investimeve në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa sa i përket sistemit bankar në vend, Mustafa ka pohuar se ky është një problem mjaftë serioz. Sipas tij, kamatat e larta të kredive vazhdojnë t’i ngulfasin bizneset, pasi që kamatat e bankave në Kosovë, mbeten 30 deri në 40 për qind më të larta se të rajonit. Mustafa thotë se Qeveria duhet të merret me këtë problem, pasi që bankat po e keqpërdorin këtë situatë. Sipas tij, me këto norma të interesit, kaq të larta, nuk do të ketë rritje të mirë ekonomike.
“Sigurisht se janë ngulfatëse. Sepse bizneset janë detyruar me hy, sepse ka një mungesë të parasë së gatshme. Ato duhet të hyjnë dhe për nevojat afatshkurta, për investime…. Por edhe familjet janë të stërgarkuara me norma të interesit dhe kredi. Është një problem dhe se kjo politikë e bankave, atyre mund t’u kthehet në një lloj bumerangu me rritje të kredive të këqija dhe me probleme në uljen e fitimit të tyre”, ka pohuar ai.
Duke folur për privatizimin e PTK-së, Mustafa ka thënë se ka ndodhur ajo për të cilën ka pasur frikë. Sipas tij, ka pasur defekte në këtë proces gjë e cila ka rezultuar me një konkurrencë të ulët dhe me mungesë të investitorëve serioz.
“Çmimi duket të jetë i ultë, por dhe më problematike është pasiguria lidhur me zhvillimet e mëtejme. Sepse prej informatave që kemi ne, nuk garanton, nuk rezulton se këto korporata që kanë ble kanë një kompetencë profesionale, kanë një përvojë, kanë një referencë në zhvillimin e telekomunikimeve”, ka thënë ai.
Ai tha se Qeveria nuk është në gjendje të tregoj bazën ligjore mbi të cilën është privatizuar PTK-ja, sepse nuk ka asnjë vendim të Kuvendit për përqindjen e aksioneve të shitura. /Kosovapress/