RCCOLA

Mustafa: Qeveria e Thaçit ka instaluar praktika kriminale

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratës së diplomatit gjerman, Michael Brand, i cili ka thënë se, Qeveria e Thaçit refuzon të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit.

Mustafa nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se, njerëzit e Kosovës e dinë këtë realitet dhe vuajnë rëndë nga kjo qasje e qeverisë.

“Alarmi që na erdhi nga Michael Brand, një prej deputetëve me ndikim të Partisë Kristian Demokrate (CDU) të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, është serioz për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Ai ka thënë, në Bundestagun gjerman, se situata në Kosovë është e keqe, në veçanti e kapur nga krimi dhe korupsioni, ndërsa qeveria aktuale refuzon t’i luftojë këto dukuri.

Mobi Casa

Ky është shërbimi më i keq që mund t’i bëjë një qeveri qytetarëve dhe shtetit të vet. Kjo rrezikon t’i kushtojë Kosovës me zvenitjen e mbështetjes ndërkombëtare për aspiratën legjitime të popullit të Kosovës, për t’i përmbushur standardet, që nesër të jetë pjesë e vlerave dhe civilizimit evropian.

Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë ndëshkim dhe këtë damkë. Ata janë viktima të qasjes zhvatëse të strukturave dhe praktikave kriminale që ka instaluar kjo qeverisje.

Ashtu siç ka thënë edhe deputeti Brand, njerëzit e Kosovës e dinë këtë realitet dhe vuajnë rëndë nga kjo qasje e qeverisë.

Prandaj, unë besoj se ata do të reagojnë më 8 qershor, për t’u ndarë nga epoka e degradimit dhe komprementimit të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë, si i nominuari i saj për ta drejtuar qeverisjen e ardhshme të Kosovës, jemi të përkushtuar dhe të vendosur për ta udhëhequr Kosovën drejt rikthimit të emrit të mirë në arenën ndërkombëtare. Ne do ta ndërtojmë një filozofi qeverisëse të bazuar në standardet demokratike, e cila, jo vetëm që nuk do t’i ketë dyert e mbyllura në kryeqytetet kryesore të diplomacisë, por do ta gëzojë respektin dhe mbështetjen e partnerëve strategjikë të vendit tonë, Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë Gjermanisë si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar në fund Mustafa.