RCCOLA

Mustafa priti në një takim studentë nga universiteti i SHBA-ve

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa ka organizuar pritje për studentët posdiplomik që studiojnë në universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e të cilët janë me prejardhje të ndryshme kombëtare.

Ata në bazë të programit akademik veror i cili është bërë sivjet dhe që pritet të vazhdoj vitet e ardhshme kanë vizituar pjesë të ndryshme të Kosovës dhe hapësirës shqiptare dhe janë pritur nga niveli më i lartë i udhëheqjes në Republikës së Kosovës qoftë në nivelin lokal apo shtetërorë, të shoqëruar nga profesori ligjërues në njërin nga Universitetet në SHBA, Faton Bislimi.

Me këtë rast Qemajl Mustafa, kryetar i komunës, tha se është një takim jashtëzakonisht i veçantë. Vetë fakti i vizitës në këtë përbërje është shumë i veçantë sepse pikërisht Gjilani është zgjedhur të vizitohet nga ky grup studentësh që kanë sjellë përvojat e tyre, por natyrisht që edhe do të marrin diçka nga këtu, ngase siç tha ai Gjilani është një vend me një kulturë, mikpritje, pozitë dhe shumëçka interesante për një shtet të ri i cili ngadalë por sigurt po ec përpara krahas vendeve të ndryshme botërore.

“Kosova dhe secili vend tjetër mund të njihet mirë nëse preket dhe perceptohet në këtë mënyrë siç keni vepruar ju. Ndryshe është të lexosh për një vend dh komunitet dhe ndryshe është ta vizitosh, me shpresën se Kosova dhe Gjilani po ju pëlqejnë.

Ne jemi qytetarë me dispozita të barabarta në botë, kemi diferenca të kulturave, kombësisë, religjionit etj. por jo ndryshe, dhe motoja “Të gjithë të ndryshëm, të gjithë të njëjtë”, është moto e cila gjithnjë është aktuale ngase të gjithë jemi të ndryshëm por të gjithë jemi në ambientin e njëjtë dhe me dispozita të barabarta”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se deri në vitin ’99 nuk i kishim mundësitë që të komunikojmë natyrshëm dhe me liri të plotë me botën, por edhe pse si shtet i ri që jemi, neve posa na janë hapur dyert për të komunikuar me botën.

Ne sot shohim të rinjtë që thuajse të gjithë kanë mësuar të flasin gjuhë të ndryshme të huaja, e që sot janë koleg tuaj, sepse një pjesë e madhe e shqiptarëve studiojnë në universitet të ndryshme të botës.

Uji Dea

Edhe kontributi i demokracive botërore me në krye ShBA-të, të cilët edhe na kanë ndihmuar të çlirohemi, ka pasur këtë qëllim që njerëzit të mos jenë të varur, të izoluar dhe të paarsimuar, por të jenë të lirë të hapur dhe me mundësi të zhvillimit intelektual, ekonomik, politik, shoqëror etj.

Nga ana e tij Faton Bislimi profesor në njërin nga Universitetet në Kanada, tha se Gjilani është një vend ku denjësisht përfaqësohet imazhi i Kosovës, kultura shqiptare dhe mbi të gjitha vizioni i Kosovës së re i krijuar pas tërë asaj “katrahure” kur ky vend ishte nën okupimin dhe terrorin e një regjimi gjenocidial në Ballkan.

Studentët nga Gjilani, që janë nikoqir të miqve të tyre nga SHBA-ja, Kanadaja, Japonia dhe shtetet e tjera të cilët kanë ardhur në Kosovë për të mësuar realitetin mbi Kosovën dhe trojet shqiptare në përgjithësi, ku i kemi dhënë përparësi pjesës historike, kulturore dhe shoqërore, vitin e ardhshëm kjo do të jetë një rrugë e dyanshme që studentët nga Gjilani do t’i vizitojnë miqtë e tyre në Amerikë që është e mirëseardhur për vendin tonë e mbi të gjitha për Komunën tonë.

Studentët të cilët vizituan Gjilanin dhe hapësirën shqiptare do të përgatitin shkrime akademike për vizitën e tyre të cilat do të botohen në një libër të përbashkët me titull “Si e pashë Kosovën”, në gjuhën angleze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, libër i cili do të jetë botim ndërkombëtar dhe mund të lexohet nga njerëzit në Azi, Afrikë, Evropë, Zelandë të Re, Amerikë dhe në gjithë botën, e i cili deri tani i ka munguar Kosovës në këtë formë.

Ky do të jetë një monument i gjallë që do të mbetet në shërbim të gjithë të tjerëve për të mësuar më tepër për Kosovën, sepse bëhet në nivelin akademik dhe bëhet nga prekja e fakteve të gjalla nga këta studentë, tha Bislimi./rajonipress/