Fundamenti

Mustafa priti në një takim pune kryetarin e Preshevës dhe të Bujanocit

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në një takim të rregullt të punës dhe në kuadër të Komunave të mëdha shqiptare ndërkufitare të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, sot janë takuar krerët e Komunave të Gjilanit si nikoqir, Preshevës dhe Bujanocit, të cilët kanë bashkëbiseduar për harmonizim të qëndrimeve dhe veprimeve, që qytetarët e Anamoravës dhe Luginës së Preshevës ta kenë më mirë për çdo ditë të ardhshme. Ky në fakt është qëllim i politikës, që të lehtësoj dhe rregulloj në bazë të kompetencave lëvizjen e qytetarëve andej dhe këndej kufirit është thënë në këtë takim.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa ka thënë se ky regjion ishte urë lidhëse ndërkufitare në aspektin ekonomik por edhe familjar dhe aspekte të tjera deri më tani, por tash e tutje është një urë lidhëse edhe më e fuqishme, sepse kemi Universitetin Publik të Gjilanit, i cili që në fillim të themelimit të tij ka pranuar një numër të konsiderueshëm të studentëve nga Komuna e Bujanocit dhe e Preshevës duke i ftuar edhe studentët e Medvegjës dhe Kumanovës që të jenë pjesë e UPGJ-së, por edhe për arsye që janë themeluar shkolla të rëndësishme profesionale e që mund të marrin përvoja të mirë nxënësit nga këto dy komuna.

Ai ka thënë poashtu se kufiri shtetëror e ka zbeh paksa lëvizjen e qytetarëve të Luginës së Preshevës në këtë anë, ngase taksat për sigurim janë rënduese për qytetarët e atjeshëm, me këtë ekonomi çfarë e kemi sot në hapësirën shqiptare, por besojmë fuqishëm në angazhimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi që në kuadër të bisedimeve në Bruksel të bëjë lehtësira në këtë drejtim, sepse është duke ndodhur një angazhim shumë i madh edhe i kryetarëve të Bujanocit dhe Preshevës. “Besoj se në periudhën që vjen do të kemi ditë shumë më të mira. Do të relaksohen marrëdhëniet me Serbinë, do të pranohemi mes vete, ose edhe shumica e çështjeve do të definohen në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi. Qëndrimi është shumë i qartë, ngase nuk mund të ketë të drejta dhe standarde të larta për serbët në Kosovë e të njëjtat standarde mos t`i gëzojnë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës, Mal të Zi ose kudo tjetër ku ata jetojnë prej vitesh. Po punojmë bashkë që të sjellim të mira mes vete, siç janë shkollat profesionale, Universitet, që janë edhe për nxënësit dhe studentët tanë atje, sepse ata janë edhe tanët, dhe këto standarde të Komunës së Gjilanit janë në disponim të shqiptarëve atje. Jemi duke punuar edhe në drejtim të Kumanovës dhe atje së shpejti do të jetë infrastruktura e rregulluar mes dy qeverive që edhe ajo pikë kufitare të aktivizohet dhe të kemi komunikim sa më të shpejt mes vete dhe normalisht edhe të zhvillohemi ekonomikisht, të zhvillojmë turizmin dhe të ecim përpara siç kanë lëvizur edhe popujt tjerë para nesh”, ka potencuar ndër të tjerash kryetari i Komunës së Gjilanit Mustafa.

“Ne tradicionalisht komunikojmë mirë dhe do të bëjmë përpjekje me kryeministrin që të zbutet taksa kufitare, sepse tani është vërtet ngarkuese, ngase me këtë rast ka pësuar komuniteti në Luginë të Preshevës, por edhe ka rënie të qarkullimit të tregtarëve dhe bizneseve nga Gjilani” ka thënë Mustafa.

Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit, tha se ky është një nga takimet e rregullta me Komunën e Gjilanit, kemi bashkëpunim shumë të mirë në aspektin e kulturës, arsimit, por pse jo të bashkëpunojmë edhe më tutje. “Ne kemi probleme të shumta, por shpresojmë se bisedimet në Bruksel ta relaksojnë situatën dhe të krijohen lehtësira edhe më të mëdha për komunikim mes vete”.

Eco Higjiena

Ai ka shprehur mirënjohje për kuotën e vënë për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Gjilanit dhe kjo është një lehtësirë shumë e madhe.

Ai poashtu ka ofruar gjithë infrastrukturën që edhe nxënësit e tjerë të regjistrohen në shkolla të mesme profesionale për çka ne jemi shumë falënderues për kryetarin Mustafa.

Ndërsa, Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, ka falënderuar kryetarin e Gjilanit për kujdesin e madh që ka për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke u nisur që nga lehtësira për lëvizje e deri të bashkëpunimi arsimor, kulturor dhe ekonomik. “Ne shqetësimet që i kemi në Luginë së pari i plasojmë në Komunën e Gjilanit e pastaj bashkërisht i drejtohemi edhe qeverisë së Kosovës e cila vazhdimisht na ka mbështetur në qëllimet tona. Ne jemi të lidhur miqësisht, familjarisht por edhe historikisht”.

Ai ka thënë se në të ardhmen do të zhvillohen edhe projekte në interes të shqiptarëve në dy anët e kufirit. “Ka shumë mundësi të bëhet zhvillim ekonomik, mes këtyre dy zonave, ndaj kërkojmë mbështetjen edhe të qeverisë së Kosovës që të vihet në funksion ky mikro-regjion Gjilan, Bujanoc, Preshevë dhe Kumanovë. Bashkërisht do të rregullojmë infrastrukturën mes dy Komunave që të mundësojmë kthimin e të shpërngulurve nga fshatrat e thella malore, sepse atje mund të ketë një lindje të turizmit, dhe zhvillim të bizneseve dhe aspektit ekonomik. Nuk ka ngjarë asnjëherë as në qendrat më të mëdha studimore as në Shqipëri, Maqedoni apo Prishtinë që të lejohet regjistrim kaq i madh i studentëve tanë, siç ka ndodhur këtë vit në Universitetin Publik të Gjilanit Kadri Zeka, ku Qemajl Mustafa ishte kryetar i bordit drejtues. Ndaj ne jemi falënderues përherë, duke shpresuar që në një të ardhme një degë e UPG – së të hapet edhe në Luginë të Preshevës. Ndërsa është lejuar regjistrimi i të gjithë studentëve nga Komuna e Medvegjës.

Me veprimet e bëra nga shteti i Kosovës ne ndjehemi pjesë e proceseve tuaja dhe për këtë ju falënderojmë sepse janë krijuar lehtësirat që ne të kemi këtë ndjenjë”./rajonipress/