Mustafa: Presidentja t’i kërkojë Kushtetueses se si të dilet nga ngërçi

Prishtinë – Isa Mustafa vazhdon të mos jetë kryetar Kuvendi, ndonëse ka më shumë se 100 ditë prej kur ky post i është premtuar nëpërmjet një marrëveshje që ka lidhur partia e tij me disa subjekte politike që bashkërisht bëjnë shumicën në Kuvend. Nuk do t’i hyjë procesit të zgjedhjes, për aq kohë sa nuk do të sigurohet që procesi është plotësisht kushtetues, shkruan sot Koha Ditore.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin për zgjedhjen e tij kryeparlamentar dhe ia ka njohur të drejtën vetëm PDK-së ta japë propozimin për këtë post. Por, pavarësisht që ka dalë fituese e zgjedhjeve, PDK-ja nuk e ka shumicën në Kuvend. Ka dështuar të votohet kandidati i saj, edhe në vazhdimin e seancës që është zhvilluar javën e shkuar.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Mustafa që drejton partinë e dytë në vend për kah numri i votave, ka treguar se edhe në vazhdimin e radhës të seancës konstituive do t’i lejohet PDK-së të propozojë kandidatin. Por, ka bindjen se prapë do të dështojë. Zgjidhjen e sheh vetëm te mundësia që PDK-ja t’ia delegojë koalicionit LDK-LVV-AAK-Nisma të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi. Mustafa nuk do të pranonte të propozohej nga PDK-ja, qoftë edhe formalisht.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS