Mustafa premton 2.5 miliardë buxhet dhe 120 mijë vende pune

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të hënën në Konventën e LDK-së për zhvillim dhe punësim se plani qeverisës i tij parasheh që brenda një mandati qeverisës ta rrisë buxhetin e Kosovës në 2.5 miliardë euro, ta luftojë hendekun e bilancit tregtar duke fuqizuar prodhimin vendor, si dhe do të krijojë 120 mijë vendetë reja pune, pjesa dërmuese e të cilëve në bujqësi dhe veprimtari prodhuese.
“Sipas ekspertëve të LDK-së norma e zhvillimit ekonomik është përgjysmuar nga qeveria aktuale dhe do të na duhet 30 vjet për të dyfishuar të ardhurat kombëtare. Me këtë qeveri kemi 300 mijë të papunë. Kjo qeveri ua ka humbur shpresat të papunëve se mund të gjejnë një vend pune, ndërsa familjet me asistencë sociale nuk mund ta përballojnë shpenzimet elementare mujore. Si pasojë e qeverisjes aktuale, vetëm vitin e kaluar 21 mijë persona kanë kërkuar azil në vendet tjera”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se kjo gjendje nuk mund të vazhdohet më tutje dhe “konsiderojmë se vetëm ne mund ta bëjmë kthesën e domosdoshme për qytetarin e Kosovës”. “Normat e larta të interesit po i dekurajojnë firmat private, investimet e jashtme janë përgjysmuar pasi që investitorët ikin nga korrupsioni i lartë. Shumica e ushqimeve që konsumojmë vijnë nga jashtë ndërsa tokat pjellore të Kosovës janë djerrina. Deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në 2.2 miliardë euro. Këtë gjendje mund ta sanojë vetëm programi ynë zhvillimor”, ka thënë Mustafa.
Ai ka nënvizuar se në aspektin e politikës fiskale mbledhja e tatimit do të bëhet brenda vendit, do të bëhet përshkallëzimi i tatimit në vlerën e shtuar, do të ulet pragu i regjistrimit të TVSH-së nga 50 mijë në 30 mijë euro qarkullim, përkohësisht do të pushojnë tatimet për firmat investuese, ndërsa do të bëhet zvogëlimi i ekonomisë joformale. “Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do t’ua përgjysmojmë tatimin nga 9 për qind në 4.5 për qind, do të krijohet fondi investiv nga fondet e privatizimit, që do të shfrytëzohet për bashkëfinancimin e projekteve në prodhim, do të hapin inkubatorët në zonat e biznesit dhe do të rritet efikasiteti i drejtësisë në mbrojtjen e investitorëve. Do të eliminojmë barrierat ligjore dhe do ta zvogëlojmë burokracinë dhe do të hiqet”, ka thënë kreu i Lidhje Demokratike.
Sipas Mustafës, afër 60 për qind e popullatës së Kosovës është rurale dhe deri në 20 për qind e prodhimit kombëtar bruto të Kosovës është nga bujqësia. /Telegrafi/