ARKATANA

Mustafa: Pozitat që i mban sot Vjosa i ka falë meje dhe LDK’së, e kushtëzova Kurtin ta shkarkonte Konjufcën

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, iu është kundërpërgjigjur deklaratave të mbrëmshme të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani. Mustafa i ka rikujtuar Osmanit se i kanë humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe se pozitat aktuale që i mban sot i ka falë politikës dhe lidershipit të LDK’së, meqë kishte kushtëzuar Kurtin që t’a shkarkonte Konjfucën dhe t’a propozonin Osmanin për kryekuvendare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e pozitës së presidentit, Vjosa Osmani, këtë të premte kishte zgjedhur Televizionin Publik të Kosovës për t’i qeruar hesapet me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përmes valëve të RTK’së, Osmani mbrëmë i dha opinionit kumtin se rrugëtimin e saj politik do ta vazhdojë e vetme dhe se nuk do të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, meqë sipas saj, kjo parti ka mbajtur në pushtet kapësit e shtetit. Përveç kësaj, kandidatja e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se tashmë partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova i ka mbetur vetëm llogo-ja dhe se votuesit i përfaqëson vetëm ajo.

Lidhur me këto akuza të Osmanit, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Isa Mustafa ia ka rikujtuar Osmanit faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe thotë se bazuar në atë rezultat zgjedhor, qytetarët e kanë votuar Osmanin vetëm për deputete.

“Lista zgjedhore, në të gjitha zgjedhjet ka qenë e LDK-së, me logo të LDK-së, e përkrahur nga të gjitha strukturat e partisë dhe e votuar nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Të gjitha pozitat që i mbajnë njerëzit e LDK-së, janë rezultat i politikave të LDK-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk janë fituar.I kemi humbur. Sipas këtyre rezultateve, qytetarët e kanë votuar Vjosën vetëm për deputete”, ka thënë Mustafa.

Ish-kryeministri dhe i pari i LDK’së thotë se të dy pozitat që sot i mban Vjosa Osmani, pra atë të kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, janë si rezultat i politikave të partisë dhe vetë Mustafës si kryetar, e jo si rezultat i votave.

Mustafa në këtë intervistë për Gazetën Express thotë se në negociatat më Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion, kishte kushtëzuar Albin Kurtin që ta shkarkonte Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në atë pozitë të vendosej Vjosa Osmani.

Uji Dea

“Ndërkaq në proces të negociatave me VV për bashkëqeverisje, si Kryetar i LDK-së kam kushtëzuar që VV të propozojë Vjosa Osmanin për Kryetare të Kuvendit, duke e shkarkuar Glauk Konjufcën. Pra pozitat që i mban sot Vjosa ia ka siguruar lidershipi i LDK-së, unē si Kryetar e kam nënshkruar marrëvedhjen. Mbi këtë bazë sot është edhe ud e Presidentit. Nuk e ka bërë vota, por marrëveshja politike që e kam drejtuar unë si Kryetar i LDK-së. Me vota do të ishte Glauk Konjufca Kryetar i Kuvendit dhe ud të Presidentit”, ka shtuar tutje i pari i LDK’së.

Mustafa e lë në ndërgjegjen e Osmanit faktin që ajo vazhdon të qëndrojë kryetare e Kuvendit dhe tashmë edhe u.d e presidentit edhe pas prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Derisa ka pyetur Osmanin se në çfarë cilësie i mbanë këto dy pozita, si anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës apo si pjesëtare e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Çështje tjetër është se a është morale dhe etike që pas prishjes së koalicionit dhe të marrëveshjes, Vjosa të vazhdojë ta mbajë atë pozitë që ka derivuar nga marrëveshja e prishur. Shihet qartë se ajo nuk ka reflektuar parime. Po e përgojon lidershipin e LDK-së se e vetmja deshire e tyre është të mbesin në pushtet , ndërkaq duhet të merret me pushtetin e saj dhe me faktin se kah i buron ky pushtet. Duhet të deklarohet se pozitën si Kryetare e Kuvendit rrjedhimisht edhe si ud e Presidentit a e mbanë si anëtare e LDK-së apo e VV-së. Mbi të cilat parime qëndron në ato pozita?!?”, ka thënë Isa Mustafa për Express.

Isa Mustafa thotë se si Lidhje Demkratike nuk e llogaritin si të tyren meqë është prishur koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në fund i pari i LDK’së thotë se nga zgjedhjet e fundit, Osmanit i ka mbetur vetëm vota e “duetit Haxhi Avdyli & Haki Abazi”, derisa shton se “Të tjerët i ka zhgënjyer”./GazetaExpress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.