Mustafa: Polarizimi i PDK-së sjell vetëm dëme

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Qemajl Mustafa për rajonipress thotë se reforma në PDK nuk guxon të aktrohet. Thotë se polarizimi brenda PDK-së është rrugë plotësisht e gabuar dhe vetëm dëme do ti sillte PDK. Kritikon të “qumit peshë” që kanë determinuar qeverisjen dhe kanë pasur pozicione të larta në parti e pushtet. Një palë zgjedhje të mirëfillta janë të domosdoshme sepse ujërat në PDK nuk kanë ecur për një kohë të gjatë.

Qemajl Mustafa vazhdon të mbetet njëra nga figurat më të qëndrueshme në PDK-në e Gjilanit dhe të qendrës. Ai mbetet më meritori që kjo parti erdhi në pushtet në vitin 2007 në Gjilan . Ishte angazhimi dhe kontributi i tij që e bindi elektoratin gjilanas të votojë për PDK, gjë që nuk e bënë këtë të tjerët para tij.

Edhe tani ka një qëndrim përmbajtësor dhe konstruktiv. Është nga figurat e pakta në PDK qoftë edhe në nivel qendror që ka guxim ta thotë të vërtetën ashtu si është dhe hapur ka folur disa herë dhe ka kërkuar llogari e përgjegjësi për qytetin e tij dhe për mungesën e investimeve në Gjilan. Kishte një borxh ndaj votuesve të shumtë dhe ende kërkon përgjegjësi për ta zbatuar programin e tij dhe projektin ambicioz të investimeve.

Kurse tani Qemajl Mustafa duke ju referuar zhvillimeve dhe zgjedhjeve që pritet të mbahen brenda PDK-së në nivel lokal e qendror për rajonipress sërish jep kritika të mirëfillta që qëllim kryesor kanë ecjen përpara të PDK-së.

UBT

Mustafa thotë se në PDK nuk ka pasur zgjedhje për kohë të gjatë, andaj një palë zgjedhje të mirëfillta janë të domosdoshme për ta bërë atë parti me vitalitet programor e struktural që mund t`i përballojë sfidat e konkurrencës politike sidomos të qeverisjes nëpër tranzicionin e Kosovës e të Ballkanit. “Ujërat në PDK nuk kanë ecur për një kohë relativisht të gjatë dhe kuadrot në shumicë janë të njëjtat qysh prej para 7 vitesh me ndonjë ardhje në stilin e kooptimit i cili ka ndikuar në trazimin e shpirtrave autentikë përbrenda saj” shprehet Mustafa.

Po a do të ketë reforma në këto zgjedhje të brendshme?. Mustafa mendon se është çështje themelore e kruciale për secilin organizëm politikë e sidomos për organizmat që janë lidere në skenën politike të Kosovës çfarë është edhe PDK. “Përgjigja është fare e thjeshtë. Nëse ekziston vullnet dhe përcaktim i njëmendtë i kreut të saj për reformim kjo është vetëm deklarative, reforma nuk do të ndodhë po ajo do të aktrohet e që do të ishte dëmi më i madh që i bëhet kësaj partie. Reforma nënkupton gatishmërinë e secilit prej nesh që të marrim përgjegjësi të larta dhe shtesë nëse këtë e thonë votuesit, por edhe që të lirohemi nga obligimet nëse nuk kemi patur performancë të mirë ose nëse konkurrenca sjell njerëz edhe me kualitativë se ne . Pra me rëndësi është qëllimi i mirë dhe organizimi i mirë dhe fer i zgjedhjeve” mendon Mustafa.

Mustafa mendon se në PDK ka njerëz të mirë dhe kuadro të mira dhe ka hapësirë të madhe për marrjen e kuadrove të reja që kanë ardhur ndërkohë në tregun politikë dhe të punës. Por Mustafa sheh edhe probleme në PDK. “Në PDK ka edhe pakënaqësi e që vien nga ata “të qumit peshë” e që janë ata që kanë pasur pozicione të larta në parti dhe pushtet dhe e kanë determinuar qeverisjen dhe ka pakënaqësi edhe nga ata të cilët kanë bërë shumë punë për partinë e për shtetin po nuk kanë përfituar asgjë nga të qenit në pushtet, bile as edhe vetëm një punësim të qëndrueshëm të ndonjë familjari. E kemi për borxh të gjithë që me sinqeritet të kontribuojmë në këtë proces zgjedhor qoftë me kyçje aktive në të ose me arsyeshmërinë e duhur e të argumentuar”.

Mustafa tha se askush në PDK nuk ka të drejtë t`i kontribuojë polarizimit sepse kjo është rrugë plotësisht e gabuar dhe këtë të drejtë aq më pak e ka Hashim Thaçi, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. “Ata rrezikojnë që të mos perceptohen më si lider të PDK-së dhe ta humbin besimin e zgjedhësve të saj. Duhet thënë megjithatë që PDK e ka skalitur mirë epokën e saj në qeverisjen me Kosovën sepse të mira të mëdha i kanë ndodhur vendit gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare. Është shpallur pavarësia, janë bërë shumë investime në mbarë Kosovën, po lidhemi me autostradën me Shqipërinë dhe po i afrohemi BE-së” tha në fund Mustafa./rajonipress/