Mustafa: Po punojmë me institucionet e BE-së, liberalizimi i vizave do të ndodhë sa më shpejt
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke u punuar maksimalisht me institucionet e BE-së në drejtimin e liberalizimit të vizave dhe se liberalizimi i vizave do të ndodhë sa më shpejt.
Ai ka shkruar se është në kompetencë të organeve të BE-së që vetëm ato të caktojnë datën e rekomandimit, përkatësisht të liberalizimit.
Ja postimi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:
“Qytetarë të nderuar
E di që liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për ju. Kosova përmbushi të gjitha kërkesat e BE-së, lidhur me kriteret për liberalizim dhe presim që institucionet e BE-së të marrin vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë.
Kosova, po ashtu, ka treguar përkushtim të fortë për ndaljen e plotë të migrimit të qytetarëve të saj në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ka marrë masa për kthimin dhe riatdhesimin e një numri shumë të madh të atyre që u shpërngulën.
Qeveria po punon pa ndërprerë në krijimin e një ambient që gjeneron zhvillim dhe punësim si dhe për adoptimin e politikave ekonomike dhe sociale, të cilat krijojnë perspektivë për jetë për të gjithë qytetarët ju.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shtetet e BE-së, me ato që e kanë pranuar shtetin tonë por edhe me ato që nuk e kanë pranuar, që ti informojmë për rëndësinë politike dhe ekonomike që ka liberalizimi i vizave për qytetarët tanë dhe për bizneset, sidomos tani kur po e imlementojmë MSA-në.
Jemi në kontakte dhe në bashkëpunim me institucionet më të larta të BE-së.
Në këtë periudhë institucionet e Kosovës mund të flasin për përmbushjen e kritereve, kurse është në kompetencë të organeve të BE-së që vetëm ato të caktojnë datën e rekomandimit, përkatësisht të liberalizimit. Po punojmë së bashku me institucionet e BE-së, andaj besojmë që liberalizimi do të ndodhë sa më shpejtë. IM”. /Indeksonline/


