Mobi Casa

Mustafa: Pjesëmarrja në Samitin global kundër ISIS-t, dëshmon faktorizimin e Kosovës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Koha.net nga New Yorku, thekson se pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Liderëve Global në Luftë kundër ISIS-t, dëshmon se Kosova është faktor i rëndësishëm në bashkësinë ndërkombëtare. Mustafa thekson se gjatë qëndrimit në New York, ka takuar dhjetëra liderë të shteteve e organizatave ndërkombëtare, por edhe shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai po ashtu bën të ditur se është biseduar me përfaqësuesit e SHBA-ve edhe për modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës dhe se për të gjitha çështjet, përkrahja e SHBA-ve për Kosovën është evidente.

Zoti kryeministër, sot keni marrë pjesë në punimet e Samitit të Liderëve Global në Luftë kundër ISIS-t, me ftesë të Presidentit Obama. Çfarë rëndësie ka kjo ngjarje për Kosovën?

Mustafa: Pikë së pari, ky samit ka rëndësi të madhe për shkak se ka tubuar në New York liderët e të gjitha shteteve partnere në koalicionin global kundër ISIS-it dhe terrorizmit në përgjithësi. Është rast i mirë për të vlerësuar rezultatet tona, për të shkëmbyer përvojat por edhe për të koordinuar hapat e mëtutjeshëm në këtë luftë që bota demokratike po e bën kundër të keqes, e cila po sfidon humanizmin dhe vlerat më të çmuara demokratike.

Së dyti, pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë samit, me ftesë të Presidentit Obama, dëshmon faktin se Kosova çdo ditë e më shumë po e merr rolin që i takon në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare, është faktor i rëndësishëm dhe me subjektivitetin e saj shtetëror, po jep kontribut në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta botërore.

Kemi parë një numër takimesh të cilat i keni zhvilluar në New York. Çfarë realisht po loboni në këtë fazë?

Mustafa: Në fakt kemi zhvilluar dhjetëra takime me liderë të shteteve, organizatave ndërkombëtare, me përfaqësues të lartë të SHBA-ve, me presidentin e Këshillit Evropian, udhëheqësen e diplomacisë evropiane, përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Në këto takime ne kemi kërkuar përkrahje konkrete për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL, për përmbylljen e procesit të njohjeve, kemi kërkuar përkrahje për anëtarësim në strukturat euroatlantike, për nënshkrimin sa më të shpejt të MSA-së dhe liberalizimin e vizave.

Uji Dea

Kemi hasur në mirëkuptim dhe mbështetje të fuqishme në këto procese. Edhe shtetet që nuk na ka në njohur, janë të gatshëm të votojnë për anëtarësim të Kosovës në UNESCO, në INTERPOL për të mbështetur pa rezerva integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Pra, Kosova sot gëzon përkrahjen e të gjitha shteteve demokratike, dhe të mekanizmave ndërkombëtarë dhe rajonalë.

Me zyrtarin e lartë amerikan, Hoyt Yee, keni biseduar edhe për Forcat e Armatosura të Kosovës?

Mustafa: Kishim një takim shumë të mirë me z. Yee. Ai shprehu mbështetje të parezervë të SHBA-ve për Kosovën, vlerësoi hapat që kemi ndërmarrë brenda Kosovës, por edhe për konstruktivitetin e Kosovës në raport me proceset rajonale e ndërkombëtare.

Mund të them me kënaqësi të madhe që SHBA-të mbesin partneri kryesor strategjik i Kosovës, që përbën një motiv dhe përkrahje vendimtare për hapat e mëtejshme të Kosovës. Kemi biseduar edhe për modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës por edhe për çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën. Gjatë këtyre ditëve, do të takohemi edhe me zyrtarë të tjerë të nivelit më të lartë të administratës amerikane, ku do të koordinohemi dhe do të diskutojmë për këto çështje, por ne jemi siguruar se përkrahja e SHBA-ve për Kosovën është evidente.

A do të anëtarësohet Kosova në UNESCO dhe INTERPOL?

Mustafa: Kosova do të jetë pjesë e të gjitha organizmave ndërkombëtarë. Ne po punojmë fuqishëm që të sigurojmë mbështetjen e nevojshëm për anëtarësim në UNESCO dhe në INTERPOL, por edhe në strukturat tjera ndërkombëtare. Republika e Kosovës, me progresin e vazhdueshëm po bën si dhe qëndrimet dhe vizionin e saj për bashkëpunim rajonal e më gjerë, tashmë është partner i çdo shteti demokratik dhe është faktor i rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare.