RCCOLA

Mustafa: Perspektivë do të ketë, sepse shteti nuk është bërë që njerëzit të ikin

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në një intervistë për Telegrafin ka folur për proceset e gjithmbarshme në vend. Ai ka folur për gjendjen ekonomike, ikjen e qytetarëve nga vendi, koalicionin me PDK-në dhe programin qeverisës.

Intervistoi: Besnike Salihu Shala

ÇFARË NUK SHKOI ME BLLOKUN

Telegrafi: Zotëri Mustafa, po përfundon edhe viti 2014. Si e vlerësoni këtë vit për shoqërinë kosovare?
Mustafa: Ne kemi kapërcyer një viti i cili në aspektin ekonomik ka qenë mjaft i rëndë për shkak të papunësisë së madhe dhe për shkak të gjendjes së rëndë sociale të qytetarëve. Po ashtu, ka qenë një vit që kemi pasur zgjedhjet nacionale dhe jemi sfiduar me shumë çështje të zhvillimit demokratik dhe të proceseve demokratike në vend, por edhe të mungesave të cilat i kemi pasur në Kushtetutë dhe ligje lidhur me kapërcimin e problemeve të ndryshme të ndërtimit të institucioneve të cilat më herët nuk i kemi evidentuar.

Mendoj se ka qenë një vit mjaft specifik. Për fat e kemi përmbyllur me ndërtimin e institucioneve, por e kemi përmbyllur edhe me një situatë të rëndë të tendencave për migrim të qytetarëve tanë që është një faktor shumë i rëndësishëm për proceset e ardhshme, të cilat do të jenë në Kosovë. Unë mendoj se këto janë disa prej çështjeve që kanë lënë shenjë në këtë vit dhe të cilat do t’i kemi parasysh në periudhën e ardhshme kohore.

Telegrafi: Pas gjashtë muajsh ngërçi politik, jeni në koalicion me PDK-në? Pse?
Mustafa: Ishte e pamundur që koalicioni që ne e bëmë fillimisht me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën ta qojmë deri në fund, për arsye të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe po ashtu për shkak të kritereve që u përcaktuan lidhur me dhënien e mandatit partisë së dytë, nëse PDK nuk do të mund të realizonte mandatin për mandatar të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne i shterëm të gjitha mundësitë për pesë muaj. U munduam që të gjejmë mënyrën se si ai koalicion të mund të përfundojë me sukses dhe t’i ndërtojë institucionet. Mirëpo, përgjegjësia jonë ishte më e madhe që Kosova të ketë institucione dhe të gjejmë zgjidhje, se sa që të vazhdojmë me një situatë ku do të mbeteshin peng edhe rezultatet të zgjedhjeve nacionale.

Unë mendoj se pa marrë parasysh që nuk arritëm që ta bëjmë atë për çfarë ne fillimisht u përcaktuam me vetëdije të plotë dhe qëllime të mira, ky koalicion kështu i bërë tani për tani, do të mundësojë që të bëhen ndryshime pozitive në Kosovë dhe që qeverisja të jetë e suksesshme.

Telegrafi: A ju dëmton kjo juve si parti?
Mustafa: Unë mendoj se nuk dëmton, sepse votuesit dalin në zgjedhje në mënyrë që të qeverisin me vendin. Ky është qëllimi themelor i çdo subjekti politik, i çdo partie dhe ne do të realizojmë këtë qeverisje në interes të votuesit, duke realizuar premtime që ne u kemi dhënë votuesve tanë.

DEKLARATAT E SEJDIUT JANË TË PASAKTA

Telegrafi: Ish kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka thënë se keni pasur marrëveshje me PDK që para disa muajve? Po ashtu Albin Kurti thotë se ka pas mundësi të gjendet një zgjidhje për koalicion me bllokun?
Mustafa: Sa i përket deklaratës së zotit Sejdiu, mendoj se deklarata është totalisht e pavërtetë dhe e pasaktë. Asnjë marrëveshje nuk ka qenë me PDK-në. Po ta kishim këtë marrëveshje ne e kishim bërë në qershor të këtij viti.

Në qershor ne nuk kemi dashur të hyjmë dhe të bëjmë marrëveshje dhe koalicion me PDK-në, sepse s’do të kishte pasur kuptim që nëse ne do të kishim marrëveshje me PDK-në ta, që ne të bëjmë një marrëveshje tjetër me AAK-në dhe Nismën, sepse objektivat dhe qëllimet kanë qenë tjera.

Ne kemi biseduar me të gjitha subjektet e koalicionit atëherë, edhe me AAK-në, Nismën dhe VV-në. Nuk kemi gjetur hapësirë ta realizojmë këtë. Ka pasur vërejte edhe sa i përket faktorit ndërkombëtar, i cili në këtë proces ka qenë shumë i rëndësishëm për ne, për dialogun për të cilën ne u morëm vesh që Vetëvendosje të merrej me të (përkatësisht të udhëheq me dialogun). Ata ishin të pakënaqur dhe ishte një kriter që ne nuk e plotësonim pastaj për marrjen e mandatit, sepse ishte implementimi i marrëveshjeve të dialogut në Bruksel, i vazhdimit të dialogut në formatin e njëjtë dhe po ashtu i partneritetit me Bashkimin Evropian.

Telegrafi: Le të bisedojmë pak për programin, çka do të fokusoheni në këtë mandat?
Mustafa: Programi është harmonizuar para se të konstituuohet Kuvendi. Tani ne programin e kemi nëpër ministri, në mënyrë që ai të konkretizohet dhe të bëhet agjenda e realizmit të programit, edhe agjenda kohore, por edhe kostoja të përcaktohet. Jemi duke punuar edhe në planin e Qeverisë. Do të përfundojë më 15 janar, do të aprovohet plani i punës së qeverisë për vitin 2015, kështu që të gjitha këto i kemi të gatshme.

Prioritet themelor i programit është zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës. Për këtë arsye ne i kemi dhënë programin nëpër ministri të shohim se çfarë do të ndërmarrin ministritë për ndryshimin e agjendës ligjore, në mënyrë që ne të krijojmë rrethana dhe ambient më të mirë për investime të jashtme direkte dhe për investitorë të brendshëm dhe si të mundësojmë që të hapen më shumë vende të punës e që të kemi një rritje më të shpejtë ekonomike.

Tjerat janë të orientuara kryesisht në zhvillimin e shtetit ligjor, në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe këto do t’i bëjmë me shtyllën e drejtësisë, me prokurorinë, gjyqësinë në mënyrë që atyre tu sigurojmë pavarësi të plotë, por edhe të sigurojmë kushte materiale që ata të mund ta bëjnë punën e tyre pa pengesa.

Janë reformat në arsim dhe shëndetësi që janë të domosdoshme të bëhen, por këto reforma do të mundohemi t’i bëjmë jo në formë fushate, por të jenë substanciale në mënyrë që të mos merremi gjithmonë me to.

FILLIMI ËSHTË I MIRË

RCCOLA

Telegrafi: A do të mund t’ia arrini ta zbatoni këtë program me PDK-në, kur dihet sa shumë e keni kritikuar për keqqeverisje?
Mustafa: Mendoj se mund të realizohet. Sa i përket programit ekonomik, ekzistojnë objektiva të ngjashme. Bile PDK-ja pati shkuar me premtime më të mëdha lidhur me vendet e punës që mund të hapen, por ne do të mundohemi që ato të jenë objektive dhe atë që e japim si synim ta realizojmë.

Sa i përket shtetit ligjor, duhet tani të bëjmë përpjeke të përbashkëta që domosdoshmërisht ta forcojmë shtetin ligjor dhe të heqim interferimin e politikës në drejtësi. Prej kësaj përbërjeje të Qeverisë, unë shoh mundësi që mund ta bëjmë një punë të mirë dhe që qeverisja të jetë e suksesshme.

Telegrafi: Ka ministra që janë në hetime?
Mustafa: Nuk kemi ministra që janë nën hetime, sepse e kemi bërë verifikimin e të gjithëve. Asnjë nuk është, sepse nuk kemi pranuar. Me marrëveshje e kemi që asnjë nuk mund të jetë ministër nëse ka qenë i dënuar ose është ngritur akuzë ndaj tij. Dhe, çdo moment që mund të ngritët ndonjë akuzë ndaj një anëtari të i kabinetit qeveritar, ai do të pushojë së kryeri detyrën.

Telegrafi: Ka zëra se do ta keni të vështirë t’i kontrolloni ministrat nga radhët e PDK-së? Sa është e vështirë kjo?
Mustafa: Ky fillim bashkëpunimi është shumë i mirë me të gjithë. Asnjë problem nuk e kemi në bashkëpunim dhe nuk kemi asnjë dallim. Qasja jonë ka qenë të kemi një ekip që punon. Kemi njerëz me të cilët mund ta pranojnë punën ekipore, të cilët do të punojnë si një trup, jo si qeveri e LDK-së ose PDK-së, ose pakicave, por si një qeveri e Republikës së Kosovës e cila do t’i nënshtrohet ligjit dhe do t’i nënshtrohen objektivave ose programit qeverisës, e jo interesave dhe vijave partiake.

Telegrafi: Pse po vonohet kompletimi i kabinetit qeveritar? Kur do të emërohen zëvendësministrat?
Mustafa: Mendoj se është shumë shkurt për këtë vit. Ne kemi biseduar edhe brenda LDK-së e edhe me zotin Thaçi që t’i bëjmë përgatitjet dy palët, por edhe me pakicat. Mendoj se kjo do të dihet në dhjetë ditët të vitit të ardhshëm. Por, nuk është e domosdoshme që menjëherë të shkojmë e t’i emërojmë të gjithë. Do të shkojmë në mënyrë suksesive në mënyrë që të mundësojmë që ministritë të kenë njerëzit në cilësinë e zëvendësministrave me zgjidhjet më të mira.

MË 2015 DO TË VLERËSOHET PERFORMANCA E MINISTRAVE

Telegrafi: Kosova që 14 vite pas lufte ende nuk gëzon një ekonomi stabile, mirëqenie të qytetarëve, ndërkohë që në kabinet keni disa ministra të kabineteve të mëhershme? Nuk keni kuadro, apo emërimi është bërë bazuar në afërsi personale?
Mustafa: Emërimi është bërë në bazë të vlerësimeve të punës. Unë mendoj se asnjëri prej tyre që janë këtu nuk janë që janë treguar ministra të pasuksesshëm në periudhën e kaluar kohore. Po ashtu, ekziston nevoja e një lloj kontinuiteti, që të kemi njerëz që megjithatë kanë punuar dhe e dinë si bëhet puna e Qeverisë. Ne do të vazhdojmë që të bëjmë vlerësimin e performancës dhe nëse gjatë vitit 2015 tregohet se dikush nga ministrat nuk është gjendje ose nuk e kryen punën mirë, natyrisht se do të bëjmë ndryshime adekuate.

Telegrafi: Disa deputetë të partisë suaj janë shprehur kundër koalicionit me PDK-në, ndërkohë që fjalimi juaj në Kuvend ka qenë haptas qortues ndaj tyre? Është kjo demokraci, nuk kanë të drejtë të mendojnë ndryshe?
Mustafa: Nuk është fjala për mohim të mendimit ndryshe, por është fjala për respektimin e vendimit të partisë, sepse në organet e partisë çdokush ka të drejtë të jap edhe mendim ndryshe. Ne e kemi pasur Këshillin e Përgjithshëm para se të mbahet Kuvendi, kanë diskutuar 32 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm – prej 100 sa kanë qenë në mbledhje. Disa kanë qenë kundër, por kur është votuar, 77 kanë qenë për. Pastaj, me statut ekziston obligimi që të gjithë të respektojnë vendimin e organit më të lartë të partisë.

Telegrafi: Megjithatë ata janë deputetë…
Mustafa: Ata janë deputetë dhe si deputetë të Kuvendit ne nuk përzihemi në votën e tyre, por nuk ua parapëlqejmë sjelljen nëse ata nuk respektojnë vendimet e partisë. Pak është absurde që një deputet i partisë të votojë kundër faktit që kryetari i partisë së tyre të bëhet kryeministër i vendit.

Telegrafi: A mendoni se do të keni problem t’i siguroni votat e tyre edhe në çështje tjera, veçanërisht në zgjedhjen e Thaçit president?
Mustafa: Kjo punë po bëhet shumë e madhe. Mendoj se po bëhet e madhe për shkak se Vetëvendosje po mban shpresë se i kanë disa deputetë të LDK-ja që votojnë për ta. Deputetët e LDK-së votojnë për LDK, nuk votojnë për tjerët. Ajo ka qenë një rast.

ÇFARË DO TË NDODHË ME DIALOGUN ME SERBINË

Telegrafi: Le të flasim pak për çështjen e ikjes së qytetarëve nga vendi që po krahasohet me periudhën e paraluftës?
Mustafa: Unë mendoj se të gjithë si shoqëri duhet të angazhohemi që njerëzit mos ta lëshojnë Kosovën, sepse nuk është bërë ky shtet që njerëzit të ikin nga aty. Probleme kemi dhe problemet janë reale, sociale, problemi i shkollimit, regjimit të vizave… Jemi i vetmi vend që kemi mbetur të izoluar dhe është totalisht e pakuptimtë kjo, sepse nuk jemi një vend i madh që do ta rrezikonte Evropën.

Nëse edhe ne do të kishim liberalizim vizash, gjë që është treguar edhe te Maqedonia, Shqipëria, Serbia, askush prej tyre nuk e lëshoj vendin që të shkojë e të jetoj jashtë. I mbani mend autobusët në Maqedoni kur e morën të drejtën e lëvizjes së lirë? Filluan të shkojnë, por prapë u kthyen. Kështu, te ne askush nuk s’do ta shiste pasurinë që të dilte jashtë.

Po ashtu duhet të marrim masa që të ecim në zhvillimin ekonomik, në mënyrë që njerëzit të kenë perspektivë këtu.

Telegrafi: Ndërkohë, bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë. A keni vija të kuqe në këto bisedime? Do të vazhdoni me qasjen e PDK-së apo do të keni qasje të re?
Mustafa: Ne do të mundohemi që ta përcaktojmë agjendën dhe cilat janë çështjet. Për sa do të jetë koha e dialogut në Bruksel, do të mundohemi të jemi shumë më transparent me Kuvendin.

Telegrafi: A do të kërkoni që edhe pikat me interes për Kosovën të futen në dialog, si zgjedhja e fatit të të pagjeturve, zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme, liria e lëvizjes dhe ndërtimi i shtëpive edhe në veri?
Mustafa: Shumica e marrëveshjeve kanë mbetur në letër dhe nuk po zbatohen. Do të ulemi ta bëjmë një inventarizim të të gjitha çështjeve për të cilat është biseduar e për të cilat mund të them se s’kemi informata, sepse nuk kam qenë në pozitë që të kem informata. Mirëpo, në fillim të vitit do të ulemi dhe do të shohim me njerëzit që paraprakisht kanë marrë pjesë në këto bisedime se ku kemi mbetur, çfarë do të bëjmë, te cilat çështje kemi hapësirë dhe duhet të kërkojmë t’i shtyjmë para në tryezën e dialogut. /Telegrafi/