RCCOLA

Mustafa pas lirimit të avokatit Berisha: Çdo gjë pritet nga ata të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit

/ 3 minuta lexim

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, ka reaguar për arrestimin e pastaj lirimin e avokatit, Besnik Berisha, që kohë më parë kishte edhe rolin e këshilltarit në kabinetin e Mustafës.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa tha se drejtësia nuk e cilësoi kriminel avokatin Berisha, por doli që kriminel mund të jetë pushteti, që porositi apo ndikoi në arrestimin e tij.

“Në arrestimin e kompetencës profesionale, arrestimin e guximit për të shprehur mendimin; arrestimin e dinjitetit njerëzor. Dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që unë e drejtova duke aluduar se u arrestua për krim ish këshilltari i saj (do të thoja për “nacionalizëm e irredentizëm”, siç ua mveshte UDB-ja jugosllave atyre që i ndiqte ti eliminonte e s’kishte argumente dhe fakte për ndonjë vepër konkrete) tha Mustafa.

Sipas tij, çdo gjë pritet nga ata, të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit për tu organizuar bashkërisht për të kundërshtuar e kërkesat e Veteranëve të UÇK-së.

“Por, duhet të gëzohemi se gjyqësia, të cilën shpesh po e kritikojmë, pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin; të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet”, shprehet ai me tej.

Hidromorava

Mustafa theksoi se është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi.

“Kosova meriton shtet ligjor, avokatë të fortë e të guximshëm, prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e nuk veprojnë me porosi. Vetëm kështu, ne si qytetarë mund të ndihemi të sigurt. Nuk na bëjnë të sigurte sondazhet e partive politike por zbatimi i Kushtetutës dhe ndërtimi i shtetit të mirëfilltë ligjor”, shkroi Mustafa.

Reagimi i Mustafës erdhi pasi Prokuroria Themelore në Ferizaj, të premten, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve tjerë: Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refki Cakolli dhe Adonis Salihu.

Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”./Telegrafi/