Hidromorava

Mustafa: Pas 8 qershorit qytetarët nuk do të kenë më frikë nga SHIK-u

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të shtunën në Mitrovicës se qeveria e drejtuar nga ai do ta ndalë kontrabandën në Veri që po i kushton miliona euro buxhetit të shtetit, ndërsa do të ofrojë rend dhe ligj për të gjithë, ku askush nuk do të ketë më frikë nga SHIK-u dhe shërbimet sekrete partiake.
Kreu i LDK’së të shtunën ka qëndruar në Mitrovicë.

“Mitrovica do të jetë simboli se si ne do ta luftojmë kontrabandën, korrupsionin dhe se si do ta luftojmë krimin e organizuar. Mitrovica nuk do të ketë më frikë, do t’i harrojë SHIK-at, shërbimet e sigurimit, sepse ata nuk mund të kenë punë në një Kosovë në të cilën askush nuk do të jetë mbi ligjin. Nëse Kosovës i nevojitet shërbim, atëherë ai do të jetë shërbim i Kosovës, por jo shërbime partiake, jo shërbime grupore”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se ju sigurojmë qytetarëve se organet e Republikës së Kosovës do t’i mbulojnë të gjithë kufijtë e shtetit, do t’i luftojmë kontrabandistët, të cilët do t’i identifikoni pasi ta marrim pushtetin ne, dhe përkundër interesave të tyre individuale, ne do të forcojmë themelet e shtetit të Kosovës.

“Qytetarët e Mitrovicës e kanë shumë të qartë se kush duhet të fitojë në Kosovë. Fitues i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë dhe do të jetë LDK-ja. Fitorja e LDK-së është fitore e çdo qytetarit të Republikës së Kosovës, dhe është fitore e Kosovës. Ne do të organizohemi mirë, do të punojmë shumë për fitoren tonë”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së ka potencuar se ne jemi nisur nga motoja se vetëm ne mundemi. “Nuk kemi menduar se mundemi vetëm ne të LDK-së, po kemi menduar se vetëm ne LDK-ja dhe qytetarët mundemi ta bëjmë ndryshimin e domosdoshëm në këtë kohë. Kjo është motoja jonë, ky është qëllimi jonë, dhe ne se bashku mund të bëjmë ndryshime”, ka thënë ai.

Sipas tij, motoja jonë ka të bëjë me zhvillimin e shtetit të Kosovës, ne Kosovën e shohim si shtet unitar, në të cilin të gjitha organet dhe institucionet e Kosovës ushtrojnë rolin dhe sovranitetin e tyre.

Mobi Casa

“Me këtë moto ne zotohemi se do ta ndalojmë korrupsionin , evazionin fiskal, do t’i ndërprejmë marrëdhëniet e këqija ekonomike të cilat po na krijohen me këtë kufi, do ta ndërprejmë kontrabandën e organizuar ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, e cila po i kushton shtetit të Kosovës qindra miliona euro”, shtoi Mustafa.

Ai ka thënë se aktualisht shteti është kapur për fyti, demokracia është në rrezik, liritë e qytetarëve janë në rrezik, liritë fetare janë në rrezik sepse po luhet me ato.

“Të drejtat fetare janë të drejtat tona dhe liri e shprehjes së vullnetit qytetar, këto të drejta janë edhe shprehje e vullnetit politik. Me të drejtat qytetare dhe liritë fetare askush nuk guxon të bëjë pazare me to. Këtë duhet ta dinë edhe anëtarët e Partisë së Drejtësisë se çfarë u ka bërë udhëheqësia e tyre”, tha Mustafa.

Ai foli edhe për dështimet e qeverisë në projektet infrastrukturore. “Misioni i ri i kësaj qeverie mund të shihet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Qe 6 vite kjo qeveri e ka premtuar këtë rrugë, por si duket edhe 60 vite të tjera nuk do ta kishte përfunduar. Misioni i ri i kësaj qeverie thirret në rrugën tuaj në Mitrovicë, gjoja të ndërtuar. Ne kemi këtë gjendje ekonomike, sepse pranë Zyrës së Kryeministrit kemi disa agjenci të cilat nuk punojnë për interesa të qytetarëve por për interesa të qeverisë”, tha ai.

Lidhur me të ardhmen e Trepçës Mustafa ka thënë se atë do tua kthejë minatorëve, familjeve të tyre dhe gjithë qytetarëve dhe në të ardhmen për Trepçën nuk do të vendosë asnjë qeveri, ministri, apo agjenci, por do të vendosë Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i popullit.