Mustafa: Paga reale në Kosovë është zvogëluar, inflacioni s’ka rënie, është ulur vetëm dinamika e rritjes së tij
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë se inflacioni në Kosovë nuk ka pësuar ulje, por që sipas tij është zvogëluar vetëm dinamika e rritjes së tij.
Sipas, Mustafës rritja e vazhdueshme e inflacionit në 3 vitet e fundit e ka dëmtuar standardin jetësor të qytetarëve për të paktën 20% dhe ka shkaktuar një çrregullim të tregut.
Mustafa për RTV21 ka thënë se institucionet përkatëse nuk ndërmorën masat e nevojshme për ta vënë situatën nën kontroll.
”Inflacioni rritet nëse indeksi i përgjithshëm i çmimeve e ka një nivel më të lartë në krahasim me periudhën paraprake, në opinion shpesh thuhet se inflacioni ka rënë, në të vërtetë inflacioni nuk ka rënë, norma e inflacionit nuk ka rënë, por ka rënë dinamika me të cilën rritet inflacioni. Këtë vit nëse e marrim fundin e gushtit në krahasim me nivelin e çmimeve të gushtit 2023 çmimet janë rreth 20% me të larta, por problemi me inflacionin në Kosovë nëse e marrim aktualisht një rritje prej 20% e çmimeve tëe inflacionit brenda standardeve nuk duhej ta shqetësonte shumë publikun dhe qytetarët, po problemi është se ne kemi një inflacion të akumuluar qe nuk është adresuar me kohë me masat përkatëse, nëse e marrim prej vitit 2020 deri tash indeksi i çmimeve është rrit me tepër se 20 % por me problematike për Kosovë është rritja e shportës për 50 %’’, tha Mustafa.
Ai tutje ka shtuar se rritja 50% e shportës e ka goditur standardin e jetës seriozisht dhe se paga reale është zvogëluar.