Mobi Casa

Mustafa në Sarajevë: Çështjet e brendshme Kosova nuk i diskuton me Serbinë

/ 12 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ndërkaq, kryeministri Mustafa i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në këtë takim nga kryeministri serb, Vuçiq duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të. “Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiq, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha kryeministri Mustafa në samit, përcjell “Zeri.info”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “Western Ballkan 6”, i cili u zhvillua në Sarajevë.

Në takim, përveç kryeministrit Mustafa ishin edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn si dhe kryeministrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano.

Mustafa u prit në hapje të Samitit nga homologu boshnjak, Denis Zvizdiq, transmeton “Zeri.info”.

Më pas, Mustafa ka marrë pjesë në punimet e Samitit, ku para të pranishmëve ka prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës, si dhe ka shprehur qëndrimet lidhur me proceset e mëtejme eurointegruese të Republikës së Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

“Jemi të interesuar të lehtësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar, të eliminojnë, të thjeshtëzojmë procedurat burokratike dhe të gjejmë rrugët më të përshtatshme për t’u integruar në tregun unik evropian. Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha ndër të tjera kryeministri, duke folur edhe për të arriturat e Kosovës dhe statistikat e tregtisë të cilat konfirmojnë bashkëpunimin rajonal.

Mustafa, më tutje ka folur edhe për ankesat e bizneseve me procedurat shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja.

“Konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit”, tha kryeministri, duke kërkuar që t’i jepet përparësi disa prej aspekteve konkrete që lidhen me lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik.

Më tej, duke folur për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shumicën e vendeve të rajonit, duke folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-së.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në këtë takim nga kryeministri serb, Vuçiq duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të.

“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiq, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha kryeministri Mustafa në samit, përcjell “Zeri.info”.

Më tej, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e konektivitetit, për kompletimin e Autostradës 7, që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe Kosovën me Nishin në Serbi, për fazën e avancuara për fillimin e rekonstruktimit të linjës 10 të hekurudhës që lidhë Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur dhe i kohës, që do të krijonte ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor, për bashkëpunimin në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Më lejoni të konfirmoj qëndrimin afirmativ të Kosovës në drejtim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për të lehtësuar tregtinë ndërmjet vendeve tona, në frymën e Marrëveshjes së CEFTA-së, në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në frymën Evropiane. Aspiratat për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian, janë reale dhe legjitime. Ato nuk lidhen vetëm me faktin që ne i takojmë këtij kontinenti, por me substancën se kemi nevojë të jemi në BE por edhe se BE përfiton më shumë me ne në gjirin e saj, sesa me ne si satelit të saj.

Në fund, dua të theksoj se Republika e Kosovës kërkon përkrahje nga ju që selia e Traktatit të Komunitetit të Transportit të caktohet në Prishtinë. Kosova do t’i përmbushë të gjitha detyrimet administrative për këtë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Pas përfundimit të takimit, është zhvilluar një konferencë për media, si dhe është lëshuar një deklaratë e përbashkët.

Ndërkaq mbrëmë, kryeministri Mustafa mori pjesë në darkën e shtruar për kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të pranishëm në Samitin e Sarajevës.

Gjatë takimeve, është diskutuar për proceset eurointegruese të vendeve të rajonit, për bashkëpunimin ndërmjet tyre si dhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme.

Ky Samit, është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit, sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë. /ZËRI/

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në Samitin e Sarajevës:

I nderuar Kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, nikoqir i këtij takimi, z. Zvizdiq,

I nderuar Komisioner Johannes Hahn,

E nderuara drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, z. Angjelina Einchorst

I nderuar Ministër i Jashtëm i Italisë, z. Alfano

Të nderuar kolegë kryeministra nga vendet e rajonit,

Zonja e Zotërinj, të gjithë ju të pranishëm.

Uji Dea

Ju përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe e vlerësoj të rëndësishëm këtë takim.

Tanimë, kur jemi në prag të samitit të ardhshëm të Triestes në kuadër të takimeve të rregullta të Procesit të Berlinit, mund të konstatojmë se janë arritur suksese të rëndësishme. Kemi krijuar mundësi për komunikim dhe marrëveshje ndërmjet vendeve tona dhe me Bashkimin Evropian.

Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal. Jemi të interesuar të lehtësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar, të eliminojnë dhe të thjeshtëzojmë procedurat burokratike dhe të gjejmë rrugët më të përshtatshme për t’u integruar në tregun unik evropian.

Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionoj pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave.

Kosova po e implementon Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si marrëveshje të parë kontraktuale me BE-në.

Kosova ka rritje ekonomike vjetore prej 4 % për dy vitet e fundit, kemi arritur stabilizim makroekonomik dhe stabilitet buxhetor, kurse jemi vendi me pjesëmarrjen më të ulët të borxhit publik në GDP.

Rishikimi i statistikave të ndryshme sa i përket tregtisë me vendet e rajonit, flet se:

– Rreth 30% e importeve të Kosovës realizohen nga 5 vendet e Ballkanit Perëndimor;

– Nga vlera e importeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ne mbulojmë me eksporte vetëm 19%, që tregon se vendet tjera kanë mundësi më të mëdha që të hapin tregjet e tyre për produktet e Kosovës ashtu siç Kosova ka bërë deri më tani me to.

– Procedura e importit/eksportit është aq e lehtësuar sa që në 75% të rasteve, ajo përfundon brenda 15-20 minutave si rezultat i përdorimit të metodave si “kanali i verdhë, paperless dhe e-payment” etj. Të ngjashme janë edhe procedurat e tranzitit.

– Edhe procedurat fito-sanitare, kryhen konform rregullave të BE-së, dhe vetëm një numër i vogël i nënshtrohen kontrollit dhe licencave shtesë.
Në anën tjetër, mund të themi se bizneset tona ankohen kryesisht me procedura shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja. Problematike, po ashtu, mbetet zgjatja e procedurave të eksportimit të pemëve dhe perimeve gjatë sezoneve të caktuara, si barrierë jo-tarifore, e në disa situata edhe mos-respektimi i marrëveshjes së CEFTA-së apo mos-respektimi i deklaracionit e të ngjashme.
Prandaj, konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit.

Vlerësoj, se në kuadër të këtij bashkëpunimi ekonomik, duhet t’i japim përparësi:

– Njohjes reciproke të certifikatave fito-sanitare, të cilat do të rrisnin shpejtësinë e tregtimit dhe do të ulnin koston e tregtisë;

– Njohjen reciproke të kualifikimeve individuale dhe profesioneve ndërmjet vendeve tona, përfshirë edhe kualifikimet universitare dhe ato të specializuara;

– Krijimi i pakove të përbashkëta për tërheqjen e investitorëve. Në këtë drejtim, rajoni ynë mund të ofroj edhe pako të përbashkëta turistike.
Bashkëpunimi ekonomik do të ndikoj pozitivisht në avancimin e bashkëpunimit politik ndërmjet vendeve tona. Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shumicën e vendeve të rajonit. Megjithatë, ka raste që ato ende mund të avancohen.

Kosova tani e disa vite me radhë, me ndërmjetësimin e BE-së, zhvillon negociatat për normalizimin e raporteve me Serbinë. Rezultatet e dialogut janë evidente, ashtu siç është evidente edhe nevoja që të punojmë në implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Kosova mbetet e përkushtuar për dialog dhe dialogun e shohim pa alternativë. Kohëve të fundit kemi pasur dy takime të nivelit të lartë në Bruksel, ku jemi marrë vesh të ulim tensionet.

Disa çështje që u hapën sot këtu (nga Vuçiq) i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve.

Agjenda e konektivitetit në fakt është vet esenca e konceptit të takimeve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, si proces i cili e forcon bashkëpunimin rajonal dhe që e nxitë integrimin në Bashkimin Evropian.

Jemi të përkushtuar që të avancojmë në këtë agjendë. Jemi shumë të interesuar për kompletimin e Autostradës 7, që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe Kosovën me Nishin në Serbi. Deri në vitin 2018, do ta përfundojmë autostradën për Shkup, të cilën po e financojmë me burime tona.
Po ashtu, jemi në faza mjaft të avancuara për fillimin e rekonstruktimit të linjës 10 të hekurudhës që lidhë Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin. Për këtë projekt kemi zhvilluar procedurat me Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me Bankën Evropiane për Investime.
E vlerësoj lart edhe themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur dhe i kohës, që do të krijonte ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor.

Bashkëpunim për t’u vlerësuar në rajonin tonë ka pasur gjatë këtyre viteve edhe në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

As këto dukuri, sikurse krimi i organizuar dhe korrupsioni por dhe ekonomia informate nuk janë dukuri autonome të cilat shfaqen dhe përfundojnë vetëm në një vend. Ato, së paku, eksportohen dhe importohen brenda vendeve tona por marrin edhe karakter më të gjerë. Prandaj, konsideroj se zvogëlimi i këtyre dukurive varet nga bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet nesh.

Pa dashur ta zgjasë më tutje, më lejoni të konfirmoj qëndrimin afirmativ të Kosovës në drejtim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për të lehtësuar tregtinë ndërmjet vendeve tona, në frymën e Marrëveshjes së CEFTA-së, në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi, në frymën Evropiane. Aspiratat për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian janë reale dhe legjitime. Ato nuk lidhen vetëm me faktin që ne i takojmë këtij kontinenti, por me substancën se kemi nevojë të jemi në BE por edhe se BE përfiton më shumë me ne në gjirin e saj, sesa me ne si satelit të saj.

Në fund dua të theksoj se Republika e Kosovës kërkon përkrahje nga ju që selia e Traktatit të Komunitetit të Transportit të caktohet në Prishtinë. Kosova do t’i përmbushë të gjitha detyrimet administrative për këtë.

Ju falënderoj shumë për vëmendjen.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.