Mustafa në Londër: Dhuna e opozitës, e papranueshme

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se në takimet në Londër po diskutohet për çështjet zhvillimore në Kosovë si dhe për gjendjen aktuale.
Ai ka thënë se Londra nuk pajtohet me aktet e dhunshme të opozitës, sidomos në Parlamentin e Kosovës.
“Në takimet që i patëm deri tani u trajtuan çështjet zhvillimore, gjendja politike, përmbushja e detyrimeve tona euro-atlantike si dhe shqetësimet që i kemi tani sa i përket situatës së krijuar nga aktet e dhunshme që po i bënë opozita brenda dhe jashtë Kuvendit”, ka thënë Mustafa në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra për RTK-në.
Ai ka thënë se në të gjitha takimet që ka pasur, të gjithë janë shprehur kundër dhunës dhe se kanë thënë se veprimet e dhunshme, nuk janë të pranueshme në luftën politike për pushtet.
“Të gjithë u shprehën kundër këtyre veprime, brenda dhe jashtë Kuvendit sidomos brenda Kuvendit. Dhe se veprimet e dhunshme nuk janë mënyrë e pranueshme e luftës politike për pushtet”, ka thënë ai.
“U zotuam se do të përmbushim programin tonë qeverisës, se qeveria me program është e gatshme të tërheq investime të huaja”, tha Mustafa.