RCCOLA

Mustafa : Me ardhjen e PDK-së në qeverisje për Gjilanin ka ndodhur mrekullia

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Nuk ka fshat që nuk është lidhur me infrastrukturë rrugore me qytetin, ka një ndryshim rrënjësor me investime në Gjilan nga ardhja jonë në qeverisje. Për qytetarin gjilanas ka ndodhur një mrekulli me ardhjen tonë në qeverisje, sikur që do të ndodh mrekullia tjetër me vazhdimin e qeverisjes nga ana jonë edhe për katër vitet e ardhshme ka thënë Qemajl Mustafa.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, njëherit edhe konditat për mandatin e tretë nga PDK, së bashku me anëtar të kryesisë së Degës dhe me bashkëpunëtor të tjerë, janë takuar me strukturat e partisë nëpër nëndegë si dhe me qytetarë të këtyre lagjeve.

Mustafa i ka informuar ata se janë ndarë mbi 2.7 milion euro për infrastrukturë për Komunën e Gjilanit. Ai tha se përzgjedhja e kompanive për rregullimin e rrugëve, trotuareve, ujësjellësve dhe kanalizimeve është bërë, mjetet janë të gatshme vetëm pritet fillimi i punëve në terren. “Ka edhe pak rrugë të mbetura që të rregullohen dhe këtë do ta bëjmë shumë shpejt sikur që e kemi ndryshuar pamjen e qytetit për këto vite të qeverisjes nga ana jonë, që njëherit kemi ndryshuar edhe funksionimin brenda Komunës së Gjilanit. Nuk ka fshat që nuk është lidhur me infrastrukturë rrugore me qytetin, ka një ndryshim rrënjësor me investime në Gjilan nga ardhja jonë në qeverisje. Për qytetarin gjilanas ka ndodhur një mrekulli me ardhjen tonë në qeverisje, sikur që do të ndodh mrekullia tjetër me vazhdimin e qeverisjes nga ana jonë edhe për katër vitet e ardhshme” ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se Gjilani nuk mbanë mend qeverisje më të mirë se sa kjo që ne kemi bërë për këto vite me radhë, kështu edhe do të vazhdojmë. “Ne qytetarin e kemi konsideruar bashkeqeverisës me ne, sepse ne jemi tuajt dhe ju jeni tanët, vetëm kështu mund të qeverisim edhe më mirë në të ardhmen, sepse kemi kapacitete, mundësi dhe dije. Dihet mirë që Gjilani ishte në terr, ishte në “lloç”, ishte pa infrastrukturë normale në arsim, pa shërbime të mira administrative etj, dhe kjo ka ndryshuar bindshëm, këtë më së miri e dinë qytetarët e Komunës së Gjilanit, vlerësojeni dhe ju vet”.

Fundamenti

Mustafa ka thënë se projektet që ne kemi bërë dhe realizuar deri më tani janë bërë për ju dhe familjet tuaja, kështu do të vazhdohet edhe më tutje.”Komuna është e juaja, taksat që ju jepni për funksionimin normal të shtetit po e shihni që po kthehen me investime përsëri për ju, realisht edhe qëllim yni si qeverisje ka qenë që paraja juaj të investohet në infrastrukturë”.

Gjatë bashkëbisedimit me strukturat e nëndegës së XXV dhe me strukturat në zabelin e Sahit Agës, Mustafa i ka informuar qytetarët me projektet që janë shpallur për tu realizuar në lagjet e tyre.

Ai tha se janë një numër i madh i rrugëve, trotuareve, ndriçimit që do të realizohen gjatë këtij viti në lagjen numër VIII si dhe rruga kryesore që lidh Zabelin me Malishevën sikurse edhe rrugica të tjera të shumta në këtë lagje, së bashku me ndriçimin dhe trotuaret.

Mustafa i ka informuar qytetarët se edhe sa i përket transportit urban, Gjilani nga fillimi i vitit të ardhshëm do të bëhet me këtë transport, sepse miratimi për Partneritet Publiko Privat është marrë nga Komiteti i Partneritetit Publiko Privat në nivel qendror, fizibiliteti është kryer dhe mbetet të shpallet nga ana e prokurimit, dhe kjo do të behet menjëherë pas zgjedhjeve komunale./rajonipress/