Mustafa: Luta, ky kumbar i copëtimit të Gjilanit dhe keqpërdorimit të fondit të tërmetit

Gjilan – Gjilani për gjithë kohën e pasluftës LDK-në dhe liderin e sotëm të saj në Gjilan e njeh vetëm për gjëra negative, siç ishte kumbarë për decentralizimin dhe copëtimin e Komunës së Gjilanit në favor të rritjes së komunave fqinje, ashtu ishte kumbar edhe i keqpërdorimit të fondit të tërmetit që e preku Gjilanin në vitin 2002, poashtu është edhe kumbar i manipulimeve dhe blerjeve të votave nga komunitetet pakicë por edhe duke i keqpërdorur gjendjen sociale të disa familjeve në nevojë ka thënë Qemajl Mustafa.
Duke ju përgjigjur akuzave të Lutfi Hazirit, Qemajl Mustafa ka thënë se pavarësisht rezultatit në raundin e parë, homogjenizimi që ka ndodhur në PDK këtyre ditëve dëshmon se ne do ta rikthejmë rezultatin në favorin tonë, ngase dëshmia e përmbysjes së këtij rezultati janë ardhjet e shumta që kanë ndodhur nga të gjitha subjektet politike pos nga LDK. “Elektorati i të gjitha subjekteve të tjera është organizuar në sjelljen e sa më shumë votuesve, që kanë të vetmin qëllim, atë të ndaljes së të keqes së madhe që i kanoset Gjilanit me ardhjen e Lutës në krye të qeverisjes së Gjilanit. Kemi fakte, edhe pse jo të mjaftueshme për blerjen e votave nëpër disa lagje të komuniteteve pakicë, por edhe nga qytetarët e tjerë, të cilët janë manipuluar me premtime shumë të mëdha dhe assesi të mundshme për t’u realizuar. Ne me manipulime nuk jemi marrur dhe as që do të merremi, sepse dëshmia më e mirë për gjilanasit është puna jonë shumë e madhe që është bërë në zhvillimin e gjithandejshëm në hapësirën e Komunës të realizuara nga PDK”.
Ndërsa sa i përket kritikave të tij se fushata në Gjilan po bëhet nga “jabangjinjtë” duke aluduar në Kryeministrin Thaçi, ai ka informuar publikun se kryeministrin e përcakton fuqia elektorale, prandaj ai është kryeministër i gjithë Kosovës dhe bënë vizita dhe do të bëjë kahdo nëpër Kosovë, ngase e ka obligim.
Poashtu ai ka thënë se edhe përkundër investimeve që nuk kanë qenë në atë agjendën të cilën ne e dëshirojmë dhe e kemi kërkuar, jemi larg më të mirë se ata të cilët ishin para nesh. “Periudha e kryeministrit Thaçi në qeverisje është sikurse dita, në krahasim me atë kur kanë qeverisur në nivel vendi LDK e që për qytetarët njihet sikur nata. Qeverisja prej vitit 2008 – 2013 njihet si qeverisja më e suksesshmja që ka ndodhur deri më tani në udhëheqjen e Gjilanit”, ka thënë ai ndër të tjerash./rajonipress/