Hidromorava

Mustafa: Lufta joparimore dhe jokushtetuese e opozitës për pushtet e ka bllokuar shtetin

/ 12 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Ish kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend për rajonipress thotë se duhet të merren vesh dy subjektet e mëdha PDK – LDK dhe të formojnë institucione me stabilitet të fortë në kuvend (sepse vetëm ato i kanë 67 ulëse e me pakicat i bëjnë mbi 80 vende). Ky do të ishte koalicioni më fatlum për vendin për këto katër vite tepër të rëndësishme për stabilizimin e marrëdhënieve me rajonin, posaçërisht me Serbinë, për plotësim të shumë standardeve për rrugëtim kah integrimi evropian dhe kah OKB dhe për ngritjen ekonomike të vendit përmes “Misionit të Ri” të modifikuar edhe sipas shijes së partnerit në qeverisje.

Qemajl Mustafa vazhdon të mbetet një nga figurat më transparente kur kjo i kërkohet nga mediet. Është shumë aktiv dhe i palodhshëm edhe në qëndrime e vlerësime të guximshme për politikën aktuale.

Ai për rajonipress ka komentuar zhvillimet politike me theks të veçantë se si i sheh zhvillimet e sotme, si është dashur të dukej zgjidhja dhe a ndikon ky ngërç në zhvillimin e komunave, dhe pse nuk duan të tjerët të qeverisin me PDK.

Qemajl Mustafa, ish kryetar i Gjilanit thotë se liderët e subjekteve parlamentare e kanë patur rastin ideal për të dëshmuar në rend të parë para qytetarëve të vet se janë të zgjedhurit e tyre dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë dijnë ta përkthejnë shpejtë dhe fuqishëm në institucione të mira për të vazhduar ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të tyre. “Një veprim dhe një sjellje e tillë edhe pritet përherë nga votuesit e një vendi. Ata kurrë nuk votojnë për interesa të ngushta të liderëve ose të partive. Ata kurrë nuk votojnë për zënka inatesh e për qasje primitive pushtetare e lideriste e që janë qasje bllokuese të jetës së shtetit e të shoqërisë së tyre. Qytetarët janë të pastër si loti. Zgjedhësi përherë është qëllimmirë” tha Mustafa.

Mustafa tha se themelimi i institucioneve me kohë dhe me kualitet do të na paraqiste të pjekur goxha mirë para miqve tanë ndërkombëtarë të cilët kanë dhënë shumë për të na pa përfundimisht të “rritur”, përtej adoleshencës politike dhe të gatshëm me i hy “ndër krah” vetvetes, shtetit të Kosovës. “Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri tashti dhe ky është një rast i madh i huqur për Kosovën. E mirë e madhe në këtë punë është se faktori ndërkombëtar, nuk është involvuar në dizajnimin e zgjidhjes (bile jo drejtpërdrejtë dhe jo deri tashti). Politika vendore e ka rastin edhe disa ditë (por sigurisht jo disa javë, që të krijojë marrëveshje dhe të dizajnojë zgjidhjen për ndërtimin e majës së parlamentit dhe të qeverisë). Nëse këtë nuk e bën shpejtë dhe me elegancë faktori vendor atëherë duhet pritur pa hatrim “zarfin” si në rastin e presidentes për çka edhe i kemi shenjat e para që mund të ndodhë edhe kjo. Presidentja jo rastësisht dhe pikërisht në këtë periudhë ishte në SHBA (mos mbetshim pa ta se shumë prej nesh në politikë kishim me qenë version tepër zhgënjyes për qytetarët e këtij vendi të varfër e me shpresë të thyer).

Tutje Mustafa tha se dihet botërisht se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fitue zgjedhjet dhe pavarësisht se ne luajmë me terminologji sikur është “fituese relative” ose “nuk i ka numrat” etj, e vërteta e kulluar mbetet që populli i Kosovës i ka besue dallueshëm më së shumti projektit të kryeministrit Thaçi dhe PDK-së (PDK është hiq më pak se 5% para subjektit të dytë, e kjo nuk është pak). “Kjo do të thotë se populli i Kosovës edhe kësaj here i ka besuar Hashim Thaçit që ta bëjë shumicën në Kuvend dhe ta formojë qeverinë. Natyrisht, në marrëveshje gjentile me partnerët e tjerë. Të kapluar nga ankthi i të mbeturit në opozitë edhe për katër vitet e ardhshme, humbësit u bashkuan shpejtë për ta “përqafuar dhe ngrohur” njëri tjetrin dhe për t’i kaluar disi “ditët e acarit” të madh politik për ta. Duhet ta përkujtojmë se ankthi në psikologji është i definuar si frikë ekstreme. Kjo, në shikim të parë duket politikisht e lejueshme dhe e qëndrueshme sepse bazohet në vullnetin e lirë politik të subjekteve parlamentare dhe të deputetëve të tyre por, shikuar më thellësisht del që Kushtetuta e Kosovës është hartuar me kujdes dhe arsyeshëm sa i përket këtij momenti. Ajo në mënyrë të qartë e të prerë nuk e lejon një gjë të tillë. Grupi i madh parlamentar është ai që ka dalur nga subjekti ose koalicioni parazgjedhor e jo grupimet paszgjedhor dhe pikë” ka shtuar Mustafa.

FIDANISHTJA

Ish kreu i Gjilanit thotë se Kushtetuta (interpretimi i saj) nuk e lejon bashkimin paszgjedhor të “të vegjëlve” në një tërësi të madhe sepse me një veprim të tillë në Kosovë do të themelohej një praktikë (presedan) e keqe për secilin proces të ardhshëm paszgjedhor. “Do të vraponin shpejtë e shpejtë “vëllezërit e vegjël” dhe t’i bashkojnë muskujt politikë për t’ia marrë jorganin “vëllait të madh” vetëm e vetëm pse sërish shtëpia atë e ka lavdëruar për punët që deri tashti i ka bërë mirë dhe i ka besuar që ta mbajë “kuletën” dhe ta udhëheqë shtëpinë edhe për disa vite. Ky është problem jashtëzakonisht i ndjeshëm sepse mesazhi që do të bartej për të ardhmen për subjektet politike (sikur kushtetuta ta lejonte një gjë të tillë) është: “Mos merrni turr, mos u mundoni shumë dhe mos u bëni edhe aq kreativë me i fitue zgjedhjet sepse në Kosovë edhe kur je i dyti, i treti, i katërti… mund të jesh në qeveri dhe tepër lehtë bëhesh fitues”.

Sipas Mustafës kjo drejtpërdrejtë do ta cënonte kualitetin dhe konkurrencën e mirëfilltë në politikën e vendit sepse energjia do të shpenzohej në dizajnimin e lidhjeve konspirative të subjekteve politike për formimin e “blloqeve” e jo në fushatë kualitative dhe në garë të programeve të vërteta. “Ne në Kosovë jemi përcaktuar për modelin e demokracisë parlamentare e cila mundëson zhvillim të demokracisë, të institucioneve dhe të ekonomisë së vendit e kjo bëhet vetëm nën kushtet e konkurrencës së plotë ligjore dhe të garimit me projekte kualitative. Pra, konstatimi im i bazuar dhe i argumentuar më lartë është se LVAN nuk ka të drejtë të themelojë institucione pa vullnetin e fituesit, të PDK-së. Në anën tjetër del një e metë e madhe e Kushtetutës sepse nuk e thotë askund qartë që “të tjerët detyrohen (secila me vullnetin dhe programin e tyre) me iu bashkue grupit fitues nga zgjedhjet për t’i formuar institucionet”. Aq më keq që kushtetuta kërkon përherë që të kemi minimumin prej 50% plus një votave (në rastin tonë 61 vota) të Kuvendit për t’i themeluar këto institucione. Kjo bie në konflikt të rëndë me situatën e krijuar aktuale kur “vullneti për shtetin” i përfaqësuar nga LVAN është barrikaduar keq kundër PDK-së që doli fituese nga zgjedhjet”.

Por çka më tutje?. Sipas Qemajl Mustafës janë disa variante të lojës në vazhdim.”Në rastin e formimit të shpejtë të institucioneve e që do të ishte me interes të veçantë për Kosovën (sepse kemi humbur shumë kohë) janë disa skenarë. Po nisem nga më i miri kah ai më pak i preferueshëm: a) Të merren vesh dy subjektet e mëdha PDK – LDK dhe të formojnë institucione me stabilitet të fortë në kuvend (sepse vetëm ato i kanë 67 ulëse e me pakicat i bëjnë mbi 80 vende). Ky do të ishte koalicioni më fatlum për vendin për këto katër vite tepër të rëndësishme për stabilizimin e marrëdhënieve me rajonin, posaçërisht me Serbinë, për plotësim të shumë standardeve për rrugëtim kah integrimi evropian dhe kah OKB dhe për ngritjen ekonomike të vendit përmes Misionit të Ri të modifikuar edhe sipas shijes së partnerit në qeverisje. b) Të merret vesh PDK me AAK, NISMA dhe pakicat për të themeluar institucione me një shumicë të brishtë në kuvend e që varet edhe nga pakica serbe. Kjo qeveri do ta kishte problem të veçantë opozitën tepër të fortë LDK-LVV dhe do të ishte përherë në siklet. Ky koalicion pak është i besueshëm edhe për një arsye tjetër. Tashmë është e njohur që nuk lidhen assesi “në një mullar” dy pushtetarët e pasionuar e që janë Thaçi e Haradinaj e sidomos me kërkesën e fiksuar të Haradinajt për kryeministër. c) Varianti i tretë mund të ndodhë vetëm me ndërmjetësimin e përfaqësimit ndërkombëtar në Prishtinë e që është një qeveri e përkohshme me bazë të gjerë me një program heterogjen që unë preferoj t’i them qeveri teknike sepse ajo është e tillë dhe nuk jeton gjatë por është e domosdoshme për këso lloj situatash emergjente në të cilën ndodhet sot Kosova. Kjo qeveri do të jetonte deri në dy vite dhe do të ishte e mirëseardhur për dy arsye: e para se nuk do të humbnim më shumë kohë dhe vendi do të provonte me lëvizë përpara dhe e dyta se me bashkëqeverisje dhe me kalimin e kohës do të “shëroheshin” komplekset dhe pasionet e manifestuara sot përmes bllokut LVAN por edhe nga PDK e cila përveç të mirave të shumta që ia ka sjellë vendit, është edhe me plotë kabahate nga shtatë vitet e kaluara dhe pikërisht për këtë edhe nuk ishte qendër e gravitetit për partitë tjera në formimin e institucioneve.

Ndërsa sipas tij varianti kur duhet të mbahen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme është variant më i keq dhe shumë i kushtueshëm për Kosovën sepse do t’i humbim edhe së paku tre muaj deri te themelimi i qeverisë së re dhe vendi do të ngecë në shumë aspekte për të cilat fola më lartë. “Zgjedhjet janë zgjidhja e fundit e mundshme e cila në këtë situatë polarizuese politike për mua nuk është variant i preferueshëm. Por, nëse nuk ka pajtueshmëri sadopak natyrale për bashkëqeverisje, zgjedhjet mbesin zgjidhja e vetme e problemit. Populli përherë e ka thënë “kur nuk ka shi bën edhe breshër”…

Ndërkaq Mustafa thotë se kjo gjendje natyrisht që e ka penguar zhvillimin ekonomik të vendit dhe ka ndikuar edhe te komunat sepse nuk ka patur rishikim të buxhetit që do t’i ndihmonte edhe komunat dhe komunikimi me qeverinë patjetër që është i mangët ose fare i varfëruar për shkakun se kemi ministra në detyrë dhe ushtrues detyre të cilët tashmë nuk janë të motivuar që t’i kryejnë më së miri punët qeveritare. “Nëse kësaj i shtohet edhe njëfarë gjendje politike e amullisë që mbretëron qe disa muaj në popull atëherë del që edhe komunat sikur edhe qeveria janë penguar mjaftueshëm në kryerjen e detyrave të tyre. Kjo do të shihet me tregues konkret në bilanset ne fund të këtij viti. PDK duhet të ketë marrë shumë mësime nga kjo situatë dhe do të duhej t’i hynte punës menjëherë për reformë të mirëfilltë (pas formimit të institucioneve të vendit) në mënyrë që të përgatitet e fortë, e vitalizuar dhe e unifikuar për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe qendrore. Kështu qysh është sot, PDK nuk i ka punët aspak mirë. Pyetja e parë e madhe që ajo duhet t’ia bëj vetes është: Pse natyrshëm nuk deshi askush me qeverisë me të? Përgjigja është tepër e thjeshtë: Nga përvojat tona jetësore del se nëse një shtëpi nuk e ka dashtë krejtë katundi atëherë kurrë nuk është fajësuar i tërë katundi po është fajësuar shtëpia e leqitur. Ne, PDK-ja, këtyre muajve kemi qenë sikur “shtëpia e leqitur”. Me rregullim të brendshëm, me komunikim të mirë brenda e jashtë, PDK mund ta kalojë këtë gjendje sepse brenda saj ka njerëz të fuqishëm të shtrirë nëpër tërë strukturën e saj e që kanë dijtë me kalue nëpër shumë faza të rënda të zhvillimit të vendit dhe të vetë asaj si parti. Kjo strukturë e njerëzve të mirë në PDK do ta ketë kurajon që me guxim ta thotë të vërtetën për shkaqet që kanë sjellur deri këtu dhe pastaj të ndërtojmë program sanues të diskutuar dhe të miratuar nga baza e partisë në terren dhe të veprojmë menjëherë” ka përfunduar Mustafa./rajonipress/
c

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.