Mustafa: Lista e kandidatëve reflekton fitoren e PDK-së

Gjilan – Në listën e PDK-së nga Gjilani janë kandiduar: Qemajl Mustafa, Zenun Pajaziti, Salie Mustafa, Floriana Zymberi, dhe Sabedin Kadriu. Qemajl Mustafa tha për rajonipress se ranglista si e tillë besojë që reflekton strategjinë e partisë për fitore.
Kryesia qendrore e PDK-së tashmë ka bërë publik emrat e të gjithë kandidatëve për deputet, duke përfshirë edhe komunat. Nga Gjilani kësaj radhe do të garojnë kandidatët: Qemajl Mustafa, Zenun Pajaziti, Salije Mustafa, Floriana Zymberi dhe Sabedin Kadriu, raporton rajonipress.
Kandidimi i Qemajl Mustafës është pritur mirë dhe pozitivisht në mesin e të gjithë anëtarëve dhe aktivistëve të PDK-së. Kjo për faktin se ishte pikërisht Qemajl Mustafa që solli në pushtet PDK në Gjilan.
Ndryshe duke ju referuar listës qendrore dhe asaj lokale Qemajl Mustafa i pyetur nga rajonipress tha se kështu e ka “peshuar” partia secilin prej nesh dhe na ka rangue.”Ka plotë vend për diskutim sa i përket pozicioneve në listë sepse rang lista si e tillë së paku besojë që e reflekton strategjinë e partisë për fitore. Ky rangim pra do të duhej me reflektue meritë të punës së mirë shumëvjeçare, meritë për suksesin e deritashëm, pritshmëri për sukses nga kandidatët që janë të ri në moshë dhe nga ata që kanë aderuar rishtas në PDK”.
Mustafa tha se krejt këto elemente është vështirë të harmonizohen idealisht, andaj duhet pranuar listën kështu si është.”Fundja edhe në familje ne e kemi ndonjë anëtar më “simpatik” dhe i krijojmë më shumë hapësirë dhe e trajtojmë më pozitivisht se sa që ndoshta e meriton, por kështu funksionon jeta në organizimet shoqërore kudo, që nga familja e deri tek institucionet e shtetit”.
Mustafa tha se megjithatë lista është e hapur dhe votohet për kandidatin kështu që nuk duhet të frikohemi nga pozicioni në listë.”Ai që meriton dhe ai që këtyre ditëve e bënë punën mirë, unë jam i bindur që e fiton statusin e deputetit në mandatin e pestë të Kuvendit të Kosovës, kësaj duhet shtuar patjetër funksionimin normal të sistemit dhe procesit zgjedhor”.
Mustafa thotë se nëse nuk ka abuzim të votave qysh edhe janë zotuar liderët politik dhe institucionet që janë të ngarkuara për mbarëvajtje të procesit atëherë frika nuk ka vend.”Nga zgjedhjet e kaluara e kemi rastin e kandidatëve nën numrin 110 e që janë bërë deputet. Megjithatë fitorja së pari është e partisë e pastaj e neve kandidatëve” mendon Mustafa./rajonipress/