Mustafa: LDK është alternativa e vetme e qeverisjes së deritanishme

Kamenicë – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Isa Mustafa, ka thënë të premten gjatë një tubimi në Kamenicë se alternativa e LDK-së duhet të përkrahet nga sa më shumë qytetarë të Kosovës, duke shtuar se vota për LDK më 8 qershor do të jetë votë për Kosovën, për shtetin e fortë ligjor, shtetin e zhvilluar ekonomikisht, shtetin e dinjitetshëm dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.
“LDK duhet të përkrahet nga qytetarët, e jo vetëm nga anëtarësia e LDK-së. Qeverisja e ardhshme do të jetë qeverisje për qytetarët. Nuk do t’i dallojmë mbi baza partiake, etnike, fetare apo rajonale”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se qeverisja në largim ka anashkaluar tërësisht Kamenicën dhe tërë Anamoravën, duke e lënë zhvillimin e këtij rajoni mbrapa rajoneve tjera të vendit.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Isa Mustafa, ka theksuar se qeveria që ai do të drejtojë do të kujdeset në mënyrë të veçantë edhe për sigurinë e qytetarëve të brezit kufitar. “Do të shtojmë sigurinë në Kamenicë, sepse kemi fshatra që kanë probleme me sigurinë në kufi. Askush nuk do të mund t’i trazojë banorët e fshatrave të brezit kufitar sepse është obligim i shtetit të kujdeset për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka theksuar se në këtë pjesë të Kosovës nuk është investuar, pothuaj asgjë, nuk është përkrahur Anamorava. “Këta meritojnë të shkojnë në opozitë dhe të përgjigjen për dëmet që kanë bërë. Duhet të vijnë ata që këtë vend e barazojnë me vendet tjera, me infrastrukturë rrugore dhe me stimulim të zhvillimit të bizneseve e të bujqësisë. Edhe pse e ka pasur edhe qeverisjen lokale, PDK nuk ka bërë asnjë punë në komunat e Anamoravës. Ne kemi punuar edhe pse nuk kemi pasur mbështetjen e qeverisë qendrore, e cila është drejtuar prej PDK-së”, ka thënë Mustafa.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, ka theksuar se premtimet e partisë që e udhëheqë qeverinë në largim nuk janë serioze dhe përbëjnë mashtrim. “Qytetarët do ta notojnë qeverinë në largim. Kjo qeveri meriton të marrë notë të dobët, të marrë notën negative dhe të shkojë në opozitë”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, me praktikat e mashtrimeve dhe kushtëzimeve, qeveria në largim po mundohet të shpëtojë prej ndëshkimit të qytetarëve më 8 qershor. “Pak ditë para fushatës po shpallin konkurse, edhe në polici po thonë se do t’i pranojnë 300 policë, po u premtojmë punëtorëve të KEK-ut rritje pagash edhe pse qeveria nuk ka lidhje me rritjen e pagave në KEK. Krejt këto ashtu sikurse edhe përdorimi i shërbyesve civilë, arsimtarëve dhe mjekëve për fushatë zgjedhore, janë përpjekje për blerje të votave”, ka thënë Mustafa.
Por, Mustafa është shprehur i bindur se qytetarët e Kosovës, me 8 qershor, do ta ndëshkojnë qeverisjen e keqe, ndërsa do ta përkrahin alternativëne e vetme që garanton qeverisje të mirë, transparente dhe zhvillimore të Kosovës, të cilën e garanton LDK. Mustafa ka kërkuar mobilizimin e strukturave të LDK-së që vota për LDK-në më 8 qershor të jetë e madhe, që i siguron asaj të ndërtojë qeveri stabile.
“Ne ju garantojmë se programi ynë ekonomik e nxitë sektorin privat, nuk do të lejojë familjarizimin e kompanive publike me qeveritarë. Ata po punojnë për interesa të njerëzve të qeverisë, sepse kanë futur familjet e tyre dhe shërbimet informative në to. Do t’i privatizojmë ndërmarrjet kur të shohim se ai privatizim është në dobi të qytetarëve. e shton vlerën e pasurisë së Kosovës. Do të stimulojmë bujqësinë, të trefishojmë subvencionet dhe ato t’ua japim prodhuesve bujqësorë, e jo pronarëve të tokave, që në të shumtën e rasteve janë njerëz të qeverisë. Kamatat e kredive për bujqit do t’i marrë përsipër qeveria. Do t’i punësojmë ata që janë të papunë brenda një viti. Kjo qeveri që po ofron misionin e ri, i ka pasur 300 mijë njerëz pa punë. I ka vërejtur vetëm ata që kanë qenë të punësuar, nuk është marrë me të papunët, me pensionistët, me kontributdhënësit dhe nuk ka bërë asgjë në Bruksel për kthimin e kontributeve të pensionistëve, të plaçkitura nga Serbia”, ka thënë Mustafa.
“Fondet e privatizimit i ka dërguar vet jashtë dhe tash po thotë se do t’i kthejë. Ata duan që ato t’i marrin dhe t’ua japin kompanive të veta. Vetëm 30 % e kompanive janë me afarizëm të mirë, sepse janë kompani të qeveritarëve dhe të njerëzve të afërt me ta”, ka thënë Mustafa.
Mustafa u ka thënë të pranishmëve në Kamenicë se partia që udhëheqë qeverinë në largim, nga frika e humbjes prej LDK-së, ka mbledhur disa parti në koalicion. ”Ata që thirren në vlerat fetare janë futur në PDK, e cila nuk ka lënë gjë të keqe pa bërë këto vite të qeverisjes. Udhëzimin administrativ për ndalimin e shamive në shkolla e ka sjellë PDK. Këta tash po ju thonë, na jepni votën t’a heqim ndalesën e shamisë”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se kjo është hipokrizi.
Qeevrisja e LDK-së, sipas tij, do ta ndërtojë shtetin ligjor dhe respektimin e kushtetutës, e cila garanton liritë fetare”.
Kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, njëherit kandidat për deputet, Shaip Surdulli, ka thënë se qytetarët e komunës së Kamenicës, po tregojnë se i besojnë fuqishëm LDK-së dhe fitores së saj të bindshme më 8 qershor. Ai kërkoi nga veprimtarët e LDK-së të mobilizojnë mbështetësit e filozofisë politike të LDK-së, që t’i ndihmojnë fitores së LDK-së dhe t’i mundësojnë asaj të qeverisë me Kosovën, për të garantuar qeverisje të ndershme e të përgjegjshme.
“Më 8 qershor Kosova duhet të çlirohet nga qeverisja e keqe, dhe të vendosë qeverisjen demokratike dhe zhvillimore të LDK-së, në krye me kryeministrin Isa Mustafa. LDK do të qeverisë ndershëm dhe do t’i trajtojë të gjithë banorët e Kosovës në mënyrë të barabartë dhe nuk do ta anashkalojë Kamenicën dhe tërë Anamoravën, siç ka bërë qeveria në largim”, ka thënë Surdulli.