Fundamenti

Mustafa: Ky është viti i sfidave dhe vendimeve të mëdha

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se viti 2015 është vit i sfidave dhe vendimeve të mëdha, duke filluar nga vendimi për Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale, shënjimi i kufirit me Malin e Zi, dialogimi dhe arritja e marrëveshjes për pjesën më të ndjeshme të Marrëveshjes së Parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka theksuar gjithashtu se në ditët në vijim janë në kërkim të mënyrës më të mirë për të përmbyllë çështjen e transformimit të FSK-së në forcë mbrojtëse të vendit.

Lexojeni të plotë postimin e kryeministrit Mustafa në Facebook:

“Ky vit po kalon si vit i sfidave dhe vendimeve të mëdha. Në të njëjtën kohë, jo rastësisht, para nesh u shtrua nevoja të marrim vendim për Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale, për Shënjimin e kufirit me Malin e Zi, të dialogojmë dhe të arrijmë marrëveshje për pjesën më të ndjeshme të Marrëveshjes së Parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në ditët në vijim po kërkojmë mënyrën më të mirë, për të përmbyllë çështjen e transformimit të FSK-së në forcë mbrojtëse të vendit.

Janë këto çështje, të cilat konsumojnë shumë energji dhe përqendrim të Qeverisë, krahas fokusimit tonë në drejtimin me prioritetet e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe uljes së varfërisë.

Reformat fiskale kanë krijuar balance të nevojshme në këtë fazë për të nxitë investimet, përmes lirimit nga tatimet doganore dhe TVSH nga importi i makinerisë, pajisjeve, teknologjisë informatike, lëndës së parë e cila nuk prodhohet në vendin tonë. Do të kenë efekte sociale te lehtësimi i shportës së konsumit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërkaq e mbajnë stabilitetin buxhetor.

RCCOLA

Marrëveshja e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, është me interes sidomos të hapjes së mundësive për investime të cilat gjenerojnë zhvillim ekonomik, pa kufizime të rregullës fiskale që e aplikojmë për borxhin e jashtëm. Kjo do të mundësojë që në katër vitet e ardhshme të rekonstruktojmë hekurudhën e cila do të zbres dukshëm koston e transportit dhe do të jetë në shërbim të udhëtarëve dhe ekonomisë, do të zhvillojmë shumë projekte të infrastrukturës regjionale dhe të zgjerimit të sistemit të ujitjes së tokave bujqësore.

Ligji për faljen e borxheve, përpos efekteve sociale do të krijojë disiplinë dhe përkushtim të ri në përmbushjen e detyrimeve ndaj buxhetit dhe detyrimeve ndaj kompanive publike, të cilat u ofrojnë shërbime qytetarëve.

Kemi përfunduar Ligjin mbi garantimin e kredive për bizneset, si një prej komponentëve bazë të ligjeve që nxisin zhvillim ekonomik, kurse po punohet edhe në shtyllat tjera, atë të nxitjes së bizneseve të të rinjve dhe atyre të grave.

Gjatë këtij muaji në Qeveri do të procedojmë me Ligjin mbi Investimet Strategjike, ligj ky që për herë të parë trajtohet në vendin tonë. Ky ligj do të krijoj hapësirë të marrëveshjes së drejtpërdrejtë me investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe do të tejkaloj problemet procedurale, të cilat kanë dekurajuar investitorët e jashtëm të vijnë e të investojnë në vendin tonë.
Bashkëpunimi me bizneset, odat ekonomike dhe asociacionet e tjera të bizneseve është konkret dhe I përhershëm.

Edhe pse efektet e këtyre masave, pritet të shihen më konkretisht në vitin 2016, vlen të konstatohet se ka përmirësime në rrethinën ekonomike edhe në këtë vit. Kanë rënë dukshëm normat e interesit për kreditë për biznese dhe për familje dhe janë rritë investimet e huaja të drejtpërdrejta si dhe numri I ndërmarrjeve të regjistruara me pronarë nga jashtë. Janë këto disa elemente të rëndësishme të cilat flasin se vendi ynë ka filluar të lëvizë në mënyrë konkrete në rrugën e rritjes ekonomike, të stabilitetit afatgjatë makroekonomik dhe atij buxhetor” (sic.), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/