Mustafa: Kujt t’i shkohet në zgjedhje, le të shkojë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa duke iu përgjigjur paralajmërimit të djeshëm të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi për alternativën e zgjedhjeve të tjera parlamentare, ka shkruar në një postim të tij në Facebook se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, sepse ka shumicë parlamentare.
Postimi i plotë i tij në Facebook:
Në popullin tonë thuhet “dija hallin vetit”. Edhe PDK, që me koalicionin pesëpartiak ka vetëm 36 vota në Kuvendin e Kosovës prej 120 votave, vështirë dhe hiq se mundet në mënyrë rezolutive të përcaktojë se çfarë duhet të bëhet në Kosovë dhe se kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Në zgjedhje nëse u shkohet mund të shkojnë vetëm ata, sepse ky Kuvend ka shumicë parlamentare.
Kuvendi duhet të zhbllokohet nga mbajtja peng e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duhet të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Qeverinë do ta zgjedhë ai grupim që ka shumicën e votave, që është i gatshëm të sigurojë zhvillim, përfshirje të komuniteteve, luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe partneritet evropian.
Kushtetuta do të respektohet, do të veprohet edhe sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por një gjë është e qartë se Qeveria e këtij vendi zgjedhet me votat e shumicës së deputetëve dhe jo sipas renditjes të subjekteve politike nga zgjedhjet nacionale. (sic) /Telegrafi/