RCCOLA

Mustafa kritikon fushatën kundër Donika Gërvallës

/ 2 minuta lexim

Demokracia ua mundëson njerëzve të shprehin mendimin e tyre. Edhe ky është fat të cilit duhet t’i gëzohemi, ka komentuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përkitazi me intervistën e Donika Gërvallës dhënë të mërkurën në KTV.

“Shpesh shprehja e mendimit nga dikush nuk u pëlqen të gjithëve, disa atakohen e disa, me të drejtë, e kundërshtojnë. Të gjithë nuk kemi informata të njëjta, nuk sillemi në rrethe të njëjta, prandaj edhe nuk mendojmë dhe nuk shprehemi njëjtë. Kështu ndodhi edhe me zonjën Donika Gërvalla, e cila në një emision të Rubikonit shpalosi shumë vrojtime dhe mendime lidhur me Kosovën dhe më gjerë. Nuk dëshiroj të them se çfarë më pëlqeu dhe çfarë jo nga ai emision, por ajo që nuk më pëlqen është fushata që fillon të zhvillohet kundër saj. Jo se atë e dëmton kjo fushatë, por nga fakti se po tregojmë një intolerancë dhe një mungesë të kulturës demokratike”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Mobi Casa

Sipas tij, cilësimet dhe vlerësimet e skajshme, nganjëherë kapërcejnë natyrën politike të të shprehurit dhe janë punë për të tjerët.

“Por, në dritaret e mediave elektronike dhe në faqet e shtypit, këta muaj kemi përjetuar aq shumë vlerësime që cenojne dinjitetin personal dhe familjar, aq të pavërteta dhe abuzime me të tanishmen dhe të kaluarën, sa që konsideroj se është një sinjal i mjaftueshëm se në këtë shoqëri duhet të mendojmë të ndërtojmë standard të përgjegjësisë, edhe për ata që shtrojnë pyetje edhe për ata që japin përgjigje, por edhe për ata që nxjerrin arkiva dhe gjysmë informata për të poshtëruar njerëz dhe familje. Duhet të krijojmë klimë që të thuhet e vërteta, me përgjegjësi”, thuhet në fund të postimit të tij. /Telegrafi/