Mustafa: Kosova nuk ka djem të humbë në luftëra të padobishme për shqiptarët

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili aktualisht gjendet me pushime jashtë vendit, përmes një postimi në Facebook, ka përshëndetur aksionin e sotëm të policisë për arrestimin e ekstremistëve dhe radikalëve fetarë, duke thënë se askush nuk ka të drejtë që fenë ta shndërrojë në instrument për të masakruar njerëz.
Në reagimin e tij ndaj arrestimeve të sotme, Mustafa ka thënë se “Kosova nuk ka djem të humbë në luftëra, ide dhe ideologji të padobishme për shqiptarët dhe Evropën dhe të dëmshme e me pasoja për njerëzimin por edhe për besimet, cilat do qofshin ato”.
“Shteti dhe drejtësia duhet të parandalojë të mos i bëjmë dëm vetes dhe të tjerëve. Veprimi që u ndërmor sot nga policia dhe nga drejtësia do të duhej të ndërmerrej më herët, sepse numri i atyre që po arrestohen sigurisht se do të ishte më i vogël”.
“Askush nuk ka të drejtë që fenë ta shndërrojë dhe ta manifestojë si instrument për të masakruar njerëz. Ideologjia e terrorizmit, qoftë politik apo fetar duhet të ketë kufij dhe duhet të parandalohet. Dhe këta kufij qartë do t’i vendosë organi më i lartë legjislativ i Republikës së Kosovës”, ka theksuar Isa Mustafa në Facebook.