UBT

Mustafa: Kosova ka kapacitet për marrjen e vendimeve të rëndësishme

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten në takim kongresistin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel. Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe kongresisti Engel biseduan për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kongresisti Engel po japin për Kosovën, në të gjitha fushat.

Duke folur për progresin që po arrihet në Kosovë, kryeministri Mustafa e njoftoi me agjendën e Programit të Qeverisë së Kosovës, i cili e ka prioritet kryesor zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proceset integruese evropiane si dhe reformat në shëndetësi e arsim, si pjesë përbërëse e zhvillimit të vendit.

Mobi Casa

Gjatë takimit u bisedua edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka themelimi i tyre për Kosovën në këtë fazë, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike.

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, vlerësoi lartë progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve e të popullit të Kosovës për të ecur përpara.
Kongresisti Engel po ashtu shprehu përkrahjen e mëtejshme për avancimin e proceseve dhe progresit në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua edhe për dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe për zhvillimet e tjera në rajon, me ç ‘rast u vlerësua roli konstruktiv i Kosovës në këto procese.