RCCOLA

Mustafa: Konkurrenca jofer tremb investitorët

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Rënia e vazhdueshme e investimeve të huaja në vend konsiderohet dështim serioz nga njohësit e fushës së ekonomisë. Profesori Muhamet Mustafa ka thënë se përkundër ndryshimeve që janë bërë ato nuk kanë arritur që të rrisin konkurrencën. Sipas tij, përmirësimi në renditjen e raportit të Bankës Botërore të “Bërit Biznes” pa ndryshimet tjera nuk mund të sjell investime.

Deputeti Muhamet Mustafa thotë se pas zgjidhjes së statusit politik, është menduar se do të ketë më shumë investime të jashtme, por duke mos anashkaluar ndikimet e krizës globale, problemi real sipas tij, qëndron se mjedisi i investimeve nuk ka evoluar pozitivisht.

“Qeveria, përkatësisht ministria përkatëse ka menduar se me disa ndryshime kozmetike, duke përmirësuar pozitën ne indeksin e bërjes biznes do të ketë investime, por ka lënë anash sigurimin e konkurrencës fer, mbrojtjen e kontratave, luftimin real te korrupsionit, përmirësimin e ofertës financiare, rregullimin e prokurimit publik, ajo në fakt nuk ka bërë ndryshim real pozitiv të gjendjes dhe si rezultat kemi rënien e investimeve të jashtme e fatkeqësisht edhe atyre vendore”, ka thënë Mustafa.

RCCOLA

Sipas tij, rënia e investimeve ka ndikuar edhe në rritjen e vogël ekonomike, pasi ndikimi i rritjes së investimeve publike me tutje nuk ka forcën që kishte.

“Qeveria duhet të punojë që të evitojë politikat dhe sjelljen klienteliste ndaj bizneseve dhe të siguroj konkurrencën e barabartë, të mbroj kontratat e transakcionet bzinesore me ligj. Këtu është fillimi, e pastaj duhet të përmirësojë kushtet e financimit, përshtatje në politikën e taksave, të bëhet vetë me efektive, më ekonomike , më llogaridhënëse”, ka thënë eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa, për Telegrafin.

Ndryshe nga raportet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), thuhet se në tre muajt e parë të këtij vitit Investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje të lehtë prej 6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit, duke arritur vlerën e 60.1 milionë euro. /Telegrafi/