Mustafa: Koalicioni opozitar do ta afatizojë dialogun
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshja me dy partitë tjera opozitare për të qeverisur me vendin do t’i vë një afat dhe do ta kornizojë dialogun me Serbinë.
“Ne do t’i ndjekim politikat e bashkëpunimit dhe thellimit të partneritetit në harmoni me orientimet dhe synimet të cilat i kemi shpalosur para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë. Marrëveshja me AAK dhe Nismën për shumicën opozitare për ta qeverisur vendin në ta ardhmen, siguron orientimin tonë për dialog dhe implementimin e marrëveshjeve nga dialogu por edhe orientimin, kornizimin dhe afatizimin e dialogut në çështjet në interes të Kosovës”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.
Më tej, ai ka theksuar se ky koalicion do të fokusohet shumë në çështjet e brendshme, siç janë zhvillimi ekonomik, zvogëlimi i papunësisë dhe varfërisë, forcimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit.


