RCCOLA

Mustafa: Koalicioni me PDK-në – i vështirë por s’kishte rrugë tjetër

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Zërit të Amerikës se qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit por edhe vazhdimin e bisedimeve me Beogradin, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe çdo forme të ekstremizmit. Kryeministri Mustafa ka thënë se koalicioni me Partinë Demokratike ishte vendim i vështirë, por u bë i domosdoshëm për çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur në votë dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Mendoj që do të funksionojë mirë. Mendoj që kemi krijuar raporte konstruktive dhe pozitive sa i përket synimeve tona themelore të qeverisjes së vendit. Kemi punuar mjaft gjatë në një program qeverisës i cili përfshinë fusha të rëndësishme për ne. Por, i cili ngërthen orientimet gati të njëjta të LDK-së dhe PDK-së, si në sferën e zhvillimit ekonomik, në sferën e forcimit të shtetit ligjor, në sferën e integrimeve evropiane, të partneritetit ndërkombëtarë dhe po ashtu edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, por edhe të gjitha ekstremizmave të tjerë”, ka thënë Mustafa.

Lidhur me akuzat e ndërsjella, që LDK-ja ka këmbyer me PDK-në, ai ka theksuar se Kosova ka një sistem kushtetues i cili garanton 20 vende të garantuara për minoritetet, prandaj asnjë parti nuk arrin të marrë votat e mjaftueshme me të cilat ajo do të siguronte dhe të bënte një koalicion ashtu siç dëshiron.

“Në këtë rast ju kemi përshtatur një realiteti, por ju kemi përshtatur edhe një synimi dypalësh që para së gjithash të vëmë në spikamë dhe në fokus qeverisjen e mirë të vendit, nevojën që të bëhen ndryshime edhe përkundër asaj që PDK-ja ka vazhduar të qeverisë rreth 7 vjet dhe t’i përshtatemi kërkesave që i ka komuniteti ndërkombëtar edhe SHBA, para së gjithash si shtet me të cilin ne dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie speciale, miqësi të përhershme, ashtu siç Presidenti Rugova gjithmonë theksonte dhe që ka mbetur si dëshirë, obligim dhe synim yni i përhershëm. Por, po ashtu edhe me shtetet e BE-së dhe vendet e tjera mike me të cilat kemi shumë interes të thellojmë bashkëpunimin dhe të marrim përvojat më të mira nga ato që të zhvillojmë edhe ekonominë, por edhe demokracinë në vendit tonë”, ka konstatuar kryeministri i ardhshëm i Kosovëws.

Uji Dea

Isa Mustafa ka folur edhe për prishjen e marrëveshjes me partitë tjera të bllokut LAN.

“Mendoj se të gjithë duhet të jemi realist. Mendoj se të gjithë duhet të jemi koshient karshi asaj se çfarë në kemi punuar bashkërisht me AAK-në, me Nismën… me Vetëvendosjen. Kemi bërë të gjithë përpjekje që të realizohet qëllimi ynë. Mirëpo, këto përpjekje i ka vënë në pikëpyetje vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po ashtu edhe kriteret që janë deklaruar nga presidentja e Republikës së Kosovës lidhur me mënyrën e nominimit të mandatarit të qeverisë së Republikës së Kosovës, ku është thënë që përpos kritereve të shumicës, duhet të jenë edhe kriteret e partneritetit evropian, të dialogut, të implementimit të marrëveshjeve nga dialogu dhe të përfshirjes së pakicave në qeveri, gjë që ne e kemi pasur gjithmonë synim”, ka thënë ndër tjerash Mustafa.

Ai ka folur edhe për objektivat e qeverisë së re dhe rreth pakënaqësive edhe në partinë e tij rreth këtij koalicioni.

“Unë i konsideroj ato si pakënaqësi individuale që nuk janë të lidhura shumë me motive dhe kritere politike, sepse kriteret dhe orientimet politike i përcakton organi më u lartë i LDK-së, Këshilli i përgjithshëm i LDK-së. Ai e ka thënë fjalën e vet”, ka vlerësuar Mustafa. /zeri i amerikes/